Komisioni i Sigurisë është shoqëruar me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Deputeti i PD-së Ervin Salianji foli për rastin e Lear Kurtit, duke drejtuar gishtin nga drejtuesit e policisë, por kryetari i Komisionit, Nasip Naço i ndërpreu fjalën.
“Ne kemi denoncuar dhe denoncojmë përfshirjen e drejtuesve të lartë të shtetit në paligjshmëri, në moszbatim të ligjit dhe në përfshirjen e manipulimeve kriminale.
Nuk i bën mirë Policisë së Shtetit mbrojtja e paduhur. Edhe në ngjarjen e fundit nëse nuk do kishtë nxitim për manipulim të ngjarjes, padiskutim që nuk do ishim këtu.
Këtu ka një shqetësim, që policia që duhet të ruajë qytetarët, mos t’i vrasë. Ne mbështetjen e japim, por që të kapet me zë dhe figurë në manipulim të ngjarjes. Ore ju do distancoheni, punonjësit e policisë e ngrinin një qënie njerëzore sikur të ishte thes”, tha ndër të tjera Salianji.
Në stomakun e Lear Kurtit, 32-vjeçarit që vdiq pasi u shoqërua nga policia, është gjetur qese me gjurmë kokaine. Lajmin e ka konfirmuar përveç ekspertizës edhe Prokuroria e Tiranës, e cila ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
“Është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.