Shqipëria u mund 2-1 nga Izraeli në sfidën vendimtare për Ligën e Kombeve, dhe tani nuk ka më shanse të marrë kreun që do ta ngjiste në Ligën A. Sezonin e ardhshëm aty do të jetë përfaqësuesja izraelite që ka 8 pikë, ndërsa kuqezinjtë mbeten me 1. Ish-futbollisti i famshëm i Kombëtares, Sokol Kushta, me anë të një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’, ka reaguar ashpër pas humbjes së pësuar.
“Kisha 8 ditë që lexoja dhe dëgjoja në TV nga shumë specialistë dhe lojtarë të Kombëtares që në ndeshjen me Izraelin do ta fitonim, 1-0, 2-0 deri në 3-0, dhe pyesja veten po këta e dinë se kush është Izraeli?
Atë gjë e kuptuam kur filloi minuta e parë dhe deri sa ra bilbili i fundit. Kjo ishte një shuplakë për delirantët dhe të paaftët, dhe të gjithë ata që mendojnë se futbolli fitohet me fjalë dhe tangërlliqe.
Futbolli është sporti më i lehtë në botë për disa që e bëjnë me fjalë…ndeshjet fitohen me djersë, punë dhe gjak. Është një gjë kur futesh në fushë, emrat bëhen të barabartë, pasi vetëm rezultati të bën të madh”, ishte postimi i Sokol Kushtës.
Me mungesa të rëndësishme në mbrojtje dhe mesfushë, kombëtarja nuk arriti të merrte rezultatin e shumëkërkuar në Tel Aviv. Edy Reja vendosi një rreshtim ndryshe nga ndeshjet e kaluara me 4 mbrojtës. Mundësinë e parë të mirë e pati Broja në fillimin e takimit.