Personi i cili mori peng për 9 ditë nënën e dy fëmijëve, mësohet se është lënë në burg. Shtetasi Mario Musaku, i cili akuzohet si pengmarrësi i 30-vjeçares nga Durrësi Ersida Dyrmishi, është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Në polici Musaku ka pohuar se nuk ishte pengmarrje, pasi të dy kishin njohje e madje ai i kishte propozuar për diçka më tej. Ai ka deklaruar se kishte njohje me nënën e 2 fëmijëve dhe se pëlqenin njëri-tjetrin, por ajo ka kundërshtuar bashkëjetesën e kërkuar nga ai.
“Erdhi me dëshirën e saj. Nuk e kam marrë forcërisht, po erdhi me dëshirën e saj. Po ta kisha marrë me forcë, nuk do ta sillja vetë në komisariat. Kemi njohje me njëri-tjetrin”, tha ai në dëshminë e parë për uniformat blu.
Pas kundërshtimit nga ana e Ersida Dyrmishit, ai e ka mbajtur forcërisht në një banesë në zonën e Spitallës për 9 ditë me radhë.
30-vjeçarja në krahun tjetër ka deklaruar gjatë dëshmisë në polici se kërcënohej prej Musakut me jetën e 2 fëmijëve dhe bashkëshortit.
Hetimet kanë nxjerre në dritë se Musaku me precedentë penalë e ka mashtruar 30-vjeçaren, dhe pasi e ka futur në banesë, i ka kërkuar bashkëjetesën me dhunë.
Pasi është gjetur nga policia, 30-vjeçarja ka deklaruar në polici se është mbajtur me forcë pa dëshirën e saj, në një banesë, në zonën e ish-kënetës në Durrës nga Mario Musaku.
Ajo ka deklaruar në polici, në prani dhe të bashkëshortit të saj, se është detyruar për të bashkëjetuar nga Mario Musaku, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.
Ersida ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.