Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili kërkoi lirinë. GJKKO e ka lënë në burg atë. Ish-deputeti i PS ka folur në seancën e sotme, pasi kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë.
Bllako tha para gjykatës se në procedurat e shpronësimit për tokën ku është ndërtuar inceneratori i Fierit, nuk ka pasur asnjë rol, pasi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit vetëm ka përcjellë praktiken për shpronësim të hartuar nga Komisioni i ngritur me urdhër të Ministrit.
Ai ndodhet në burg pasi akuzohet se ka përfituar 15 milionë lekë, për shkak të shkeljeve për inceneratorin e Fierit. Në kërkesën e tij, Bllako nënvizoi se s’ka prova se ai është i rrezikshëm dhe si shmanget hetimit. Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi sipas SPAK ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.