Nga: Eduart Gjokutaj
Një debat i ripërtërirë në lidhje me ligjet që ndalojnë ose lejojnë përdorimin dhe furnizimin e kanabisit në mbarë botën është nxitur nga legalizimi i furnizimit dhe përdorimit të kanabisit për qëllime “rekreative dhe mjekësore” në disa shtete të SHBA-së, Europës dhe vende të tjera që nga viti 2012.
Propozimet për legalizimin e drogës kanë ngritur shqetësime ato mund të çojnë në rritje të përdorimit të kanabisit dhe dëmeve të lidhura me to, dhe pyetjeve në lidhje me mënyrat se si mund të rregullohet kanabisi për qëllime jomjekësore për të zbutur këto shqetësime. Në Bashkimin Europian [2], një sistem shpërndarjeje të kufizuar ka evoluar në Holandë që nga vitet 1970 dhe kjo ka parë zhvillime të mëtejshme në vitet e fundit. Përparësitë dhe disavantazhet e këtyre sistemeve të rregulluara po vëzhgohen nga afër.
Po kështu, në Gjermani [3], qeveria e re ka në plan të legalizojë kanabisin. Projektligji për ligjin e kontrollit të kanabisit përfshin kultivimin e licencuar të drogës së lehtë dhe shitjen në dyqane të specializuara për personat mbi 18 vjeç. Modeli i “klubeve sociale të kanabisit” është përmendur gjithnjë e më shumë në debatet europiane për politikat e drogës. Ndërsa një numër jo i pakët i vendeve të BE-së e mbështesin legalizimin e kanabisit (sipas një studimi të ri), [4] rezulton se Holanda çuditërisht ka pikëpamjet më pesimiste për legalizimin e kanabisit, me vetëm 47% të të anketuarve që mbështesin legalizimin. Ky është niveli më i ulët midis tetë vendeve europiane të anketuara, pavarësisht kafeneve të saj të famshme të shitjes së kanabisit.
Të ardhurat e taksimit për drogat e lehta sigurisht që varen nga norma tatimore dhe struktura tatimore. Drogat e lehta kanë një volum të vogël, por një vlerë të lartë. Në këtë aspekt, ato janë të krahasueshme me duhanin. Në fakt, ato janë shumë më të shtrenjta për gram se duhani. Nëse bazohemi në analizën e përfitimit nga rasti i përdorimit të kanabisit në kafenetë holandeze a gjermane, si rregull i përgjithshëm, tatimi mbi të ardhurat paguhet edhe për fitimet e realizuara nga aktivitetet e paligjshme. Prandaj, megjithëse shitja e kanabisit në kafene është e paligjshme (por e tolerueshme dhe e dukshme), kafenetë paguajnë tatimin mbi fitimin që bëjnë, si dhe tatimin mbi pagën dhe sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre.
Administrimi i kafeneve është shpesh i papërsosur, kryesisht për shkak se nuk ka administrim të furnizimeve. Në këto raste, fitimi vlerësohet në bazë të informacionit të marrë nga burime indirekte. Fitimi i një kafeneje në shumë raste tatohet me një normë tatimi tavan prej 52%. Ky është grupi më i lartë i tatimit mbi të ardhurat personale, i cili fillon me një të ardhur të tatueshme relativisht të moderuar prej rreth 57,500 €. Në tatimin mbi të ardhurat e firmave ka dy segmente/grupe.
Në grupin e parë (fitimi deri në 200,000 €), shkalla e tatimit është 20%. Fitimet më të larta tatohen me një normë tavan prej 25%. Fitimet neto të firmave të shpërndara tatohen me normën progresive të tatimit mbi të ardhurat personale. Qarkullimi i kafeneve vlerësohet në 600 milionë euro (7% e PBB), megjithëse ky është një vlerësim konservator. Kafenetë nuk paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për shitjen e kanabisit. Kjo është pasojë e faktit se TVSH-ja është një tatim i harmonizuar në BE. Sipas rregullave të BE-së, asnjë tatim mbi vlerën e shtuar nuk vendoset për aktivitetet e paligjshme. Legalizimi i shitjes së kanabisit në Holandë nuk do ta bënte automatikisht kanabisin të tatueshëm për TVSH-në.
Konkluzioni paraprak mund të jetë se efektet e mundshme totale buxhetore të vendosjes së një tatimi indirekt mbi konsumin e drogave të lehta bëhet në kombinim me rregullimin e prodhimit dhe furnizimit të drogave të lehta. Në bazë të një norme tatimore maksimale deri 100%, e cila është e moderuar në krahasim me normën tatimore për cigaret, këto efekte në buxhetin e shtetit mund të vlerësohen përafërsisht deri në 1 miliard euro në vit, megjithëse llogaritet për vende si Holanda, ku ka një rregullim dhe treg të hershëm me traditë në BE.
Vendet e tjera kanë vite që e analizojnë jo vetëm modelin e taksimit, por edhe efektet e tjera që duhen konsideruar për qytetarët dhe ekonominë e tyre. Ndërsa, lajmi i hedhur për vendimmarrje, pas një pyetësori sipas formatit të stafit të Kryeministrit Rama në Shqipëri, duhet analizuar me specifikat vendore në lidhje me zbatimin e ligjit në përgjithësi në vend (Shqipëria është në vend të fundit për zbatimin e ligjit në Ballkan) [6], si në aspektin e brendshëm, por po ashtu, edhe në aspektin e jashtëm, ku formalizimi dhe administrimi fiskal dhe ekonomik është larg mesatares europiane, por edhe ballkanike.
Legalizimi i kësaj lënde narkotike ndërkohë, pas mbi 8 vitesh prioriteti të qeverisë, ku arritjet e qeverisë “Rama 1” në këtë qasje morën edhe “bekimin” e Papa Franceskut, nuk ngjan aq i ligjshëm në perceptimin e qytetarëve shqiptarë.
Kështu, ideja për legalizim të kanabisit fillimisht për përdorim mjekësor, nëse nuk ka qëllim nga propozuesit socialistë të zhvendosë vëmendjen nga rritja e çmimeve prej afro 9 muajsh, si dhe nevojat për likuiditet të një buxheti që lëngon prej vitesh, ajo ka nevojë që të hyjë në kalendarin e një konsultimi publik real (jo me pyetësorë), apo referendumi për draft-ligjet që do të duhet të ndërtojnë infrastrukturën e veprimtarisë, analizën e kostos dhe përfitimit, si dhe ndikimet sociale, ekonomike dhe morale, për t’u qartësuar me përgjigje shteruese, që ende nuk dihen.
Ky proces më së pari ka nevojë për t’u dhënë përgjigje disa pyetjeve bazike si:
– A është kjo nismë qeveritare edhe një mënyrë administrimi për kursim energjie elektrike?
– A do të ndikojë procesi i kultivimit te reforma e ujit dhe problemet ulëritëse me shpërdorim të detyrave të pakryera nga qeverisja vendore?
– Si do të azhurnohen strategjitë sektoriale, programi politik qeverisës dhe fatura buxhetore? Pa dashur të listojmë edhe shumë pyetje të tjera, mundet që të bëjmë disa qasje empirike lidhur me perceptimin e deritanishëm të kësaj nisme, që konsiderohet njësoj si diskutimet e nxehta lidhur me hapjen e shtëpive publike në Shqipëri.
Së pari, ne, qytetarët, duhet të njihemi me përmasat që do të marrë brenda sektorit të bujqësisë kultivimi i kanabisit, për arsye të analizës së nevojshme për të ditur se sa mundet të dëmtojë aktivitetet aktuale në sektorin bujqësor, balancën e tregut të punës dhe zinxhirin e vlerës së tregut bujqësor bashkë me politikat shoqëruese për shërbimet sociale dhe ekonomike. Kush dhe mbi çfarë baze edukimi do të jenë specialistët e kësaj kulture bujqësore?
Po inventarët aktualë, të cilët janë objekt i kriminalizimit sipas Kodit Penal, a do të përdoren dhe si do të regjistrohen në librat fiskalë dhe procesin e fiskalizimit? Në fakt, kur analiza shtrihet në nivel kombëtar, kjo politikë e re strategjike për bujqësinë dhe mjekësinë, nënkupton se gjithë Shqipëria do ta trajtojë administrimin e procesit, si pjese të ekonomisë vendore.
Shoqëria civile do të duhet të ndryshojë gjithë studimet bazuar mbi ndikimin e kësaj droge në familjet shqiptare, në tekstet e shkollës, si dhe në riplanifikimin e buxheteve vendore dhe buxhetit të shtetit, si një nënkulturë e bujqësisë me një regjim të veçantë fiskal. Së dyti, ndikimi në rritjen e eksporteve bujqësore, në kushtet e një procesi ligjor të shpejtë në kohë, do të ndikojë direkt në shtrembërimin e politikave të sektorit dhe do të përhapë imazhin në tregun ndërkombëtar, se Shqipëria ka legalizuar tashmë gjithë sa përmenden në raportet e Departamentit të Shtetit, Komisionit Europian dhe organizatave të tjera monitoruese, si një vend, që tashmë është origjinues i drogave të lehta, ku kanabisi është puna që dinë të bëjnë më mirë shqiptarët.
Ndërkohë, ky aktivitet i ri do të duhet të ndikojë te qeveria për të modifikuar edhe gjithë programin e saj qeverisës, për arsye të ndikimit dhe transferimit të ekonomisë dhe fuqisë punëtore aty ku fitimi është më i lehtë dhe pa shumë konkurrencë. Nga ana tjetër, ky devijim i politikës do të rrisë edhe më tej strukturimin dhe perfeksionimin e korrupsionit dhe pastrimit të parasë, në të cilat një grup i ndjeshëm qytetarësh shqiptarë kanë vite përvojë.
Së treti, është një moment që rikthen në vëmendje të politikës fiskale, duke analizuar se çfarë modeli taksimi duhet përshtatur për t’u zbatuar që të mos ndikojë mbi aktivitetet e tjera, si dhe parimet e taksimit mbi drejtësinë tatimore, barazinë në zbatim dhe taksimin e ndershëm. Në këtë qasje do të duhet të njihemi edhe ne, zëri i ekspertizës dhe përcjellësit e zërit qytetar dhe shoqërisë civile, për të kuptuar analizën që sqaron se kush do të përfitojë direkt dhe indirekt, sa është interesi publik dhe interesi i buxhetit, si dhe politika të tjera që kanë një faturë buxhetore që rrjedh nga miratimi i një politike të re të legalizimit të drogave të lehta.
Së katërti, mundësia që paraja informale dhe kriminale të ketë një moment gjallërimi për të hyrë në ekonominë legale nëpërmjet amnistisë fiskale të deklaruar si një proces ligjor paralelisht me legalizimin e kanabisit. Në realitet, ky riciklim i politikës së parasë së piste, së bashku me nismën e amnistisë fiskale, me gjasa do të krijojë një goditje të fortë sociale dhe morale, që është e tepërt për integritetin social të çorientuar të shoqërisë ende të paemancipuar duke e krahasuar me shoqëritë e emancipuara të vendeve të BE-së.
Së pesti, paraja informale në një treg ku pastrimi i parasë dikton mbi politikat dhe strategjitë e qeverisë, krijon premisa të reja për manipulim të votës së lirë, nëpërmjet orientimit të parasë së lehtë dhe në sasi më të lartë se zakonisht, duke i shërbyer direkt interesit elektoral të propozuesve të saj dhe në disfavor të një procesi zgjedhor të drejtë dhe të barabartë për palët.
Së gjashti, ky lançim i politikës u jep shpresë elementeve/grupeve kriminale se koha politike po punon për ta duke vrarë shpresën për sundimin e ligjit, pasi do të perceptohet si një shembull negativ i procesit politik drejt mungesës së vullnetit për të ndërtuar një të ardhme të bazuar te vlerat e dijes dhe tregut konkurrues për rininë. Gjithë shtetet europiane lindore nuk kanë ndërmarrë nisma legalizimi të kanabisit, ndoshta pse nuk kanë siguri të adresojnë gjithë pyetjet dhe të tjera në vendet e tyre.
Në mbyllje, mbrojtësit e kanabisit argumentojnë se vendimi për të mos ndjekur penalisht individët për përdorim kanabisi në disa vende mund të zbatohet edhe për grupet e regjistruara të individëve, në mënyrë që të lejohet një sistem i mbyllur i prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit. Aktualisht, modeli është refuzuar nga autoritetet kombëtare në Europë.