Nga: Artur Ajazi
Ndërkohë që Europa dhe mbarë bota, po ndjek me interesim maksimal, ngjarjet në Ukrainë, tek ne (anapulla si gjithmonë) nisën protestat. Sali Berisha ishte i pari që deklaroi se “ka nisur stina pranverore e protestave popullore”. Duket sikur e ka nga “dhëmbshuria” për popullin, për ata që nuk kanë para për të blerë karburantin, për të paguar energjinë, apo taksat e rritura, gjithmonë sipas ish-liderit historik.
Protesta ka qenë dhe mbetet legjitime në sisteme demokratike, por ne kemi qenë dëshmitarë të protestave të dikurshme. Të atyre protestave, ku rrihej populli, gazetari, hallexhiu dhe qyqari, kemi qenë dëshmitarë të veprimeve antiligjore të një policie politike dhe ushtarake, që merrte urdhëra me sms, nga deputeti, ministri apo shoferi Partisë Demokratike. Ashtu siç jemi dëshmitarë, të një kohe ndryshe, kur sot dilet për të protestuar paqësisht, dhe thyhen xhama, digjen makina, digjen zyra dhe institucione, dhe natyrisht policia procedon sipas ligjit, dhe nuk dhunon. Por le të kthehemi paksa tek “protestat pranverore”.
Realisht Sali Berisha, është në “kohë të artë”, pasi në 6 Mars fitoi Shkodrën, u rendit i dyti si formacion politik, dhe Lulzim Basha ka sot kundër 90 per qind të deputetëve, të cilët i kërkojnë largimin pas humbjes. Rritja e befshme e çmimeve të karburantit apo produkteve ushqimore, kishte shkak situatën e krijuar në Ukrainë, kurse protestat, ishin dhe mbeten të yshtura politikisht. Protesta legjitime, ka një përfaqësi, ka kërkesat e saj, dhe shtrohet në bisedime me qeverinë apo subjektin ndaj të cilit ka pakënaqësitë. E pavarur, nuk mund të quhet protesta e forumeve rinore të kujdo partie politike. E pavarur nuk mund të quhet protesta e yshtur nga një ish-kryeministër që kërkon rikthimin në skenën politike dhe në pushtet.
Ndaj mendoj se, protesta duhet të ketë një moral. Rritja e çmimeve, mbetet një shkak kryesor që natyrisht duhet të çojë në protesta lokale apo qëndrore. Por kurrë nuk quhen të tilla, kur pas “perdes” fshihet politika dhe politikani, kur pas tyre fshihen skenaristët e fajdeve, shpërthimit të depove të armatimit në 1997,Gërdecit, 21 Janarit, etj, etj. Jo, ato nuk quhen protesta popullore, por rrebelime politike të rrezikshme.
Mjafton të konstatosh kohën dhe momentin kur mbahen ato “protesta”, kërkesat ultimative dhe “zikzaket” e tjera me prapavijë politike, për tu bindur sa dëmtojnë ato grumbullime çështjen themelore të angazhimeve të Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë, është momenti të jemi të bashkuar, të jemi të njehsuar me situatën ekonomike të krijuar, duke ndihmuar dhe jo dëmtuar fatin dhe të ardhmen e vendit. Analistët e protestave dhe “sinoptikanët” e ndryshimeve politike, duhet të mbeten në fatin e tyre. Ata nuk mund të dalin jashtë kontekstit logjik të situatave të krijuara edhe për vendin tonë, në kushtet e një krize globale ekonomike, financiare dhe politike. E kundërta, i shërben interesave të fuqive agresive, që po mundohen të trazojnë edhe Ballkanin, më tepër se kudo tjetër duke nisur nga Tirana.