Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka lëshuar deklaratën e saj të parë publike në një letër drejtuar komunitetit global. Në të, ajo transmeton tmerret e luftës, veçanërisht për gratë dhe fëmijët. Ajo përmendi edhe disa fëmijë të viktimave të luftës deri më tani:
“Alisa tetë-vjeçare, e cila vdiq në rrugët e Okhtyrka, ndërsa gjyshi i saj u përpoq ta mbronte”. “Polina nga Kievi, e cila vdiq në granatimet me prindërit e saj”.
“14-vjeçari Arseniy u godit në kokë nga rrënojat dhe nuk mundi të shpëtohej, sepse një ambulancë nuk mundi t’i afrohej në kohë për shkak të zjarreve intensive”.
“Kur Rusia thotë se “nuk po bën luftë kundër civilëve”, unë fillimisht thërras emrat e këtyre fëmijëve të vrarë”, ka shkruar ajo.
Ajo falenderoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe vendeve fqinje, që kanë pranuar refugjatët. Por ajo përsëriti gjithashtu thirrjet e bashkëshortit të saj, Presidentit Zelensky, për vendet perëndimore që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi. NATO i ka rezistuar këtij veprimi, sepse do të përfshinte forcat perëndimore që ka të ngjarë të angazhohen ushtarakisht me avionët rusë.
“Ne kemi nevojë për ata që janë në pushtet, për të mbyllur qiellin. Mbyllni qiellin dhe ne vetë do ta menaxhojmë luftën në terren”.
“Me këtë letër, unë dëshmoj dhe i them botës: lufta në Ukrainë nuk është një luftë ‘diku atje’. Kjo është një luftë në Evropë, afër kufijve të BE-së”.
“Nëse nuk e ndalojmë Putinin, i cili kërcënon të nisë një luftë bërthamore, nuk do të ketë vend të sigurt në botë për asnjë prej nesh”.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today