Bankat shqiptare kanë hequr komisionet për transfertat drejt Ukrainës, duke u krijuar lehtësi qytetarëve të cilët do të duan të kontribuojnë me ndihma dhe donacione për ata në nevojë, për të përballuar situatën e vështirë të krijuar nga veprimet luftarake të Rusisë në Ukrainë.
Shoqata Shqiptare e Bankave, ka njoftuar se të gjitha bankat tregtare që operojnë në Shqipëri, kanë vendosur të heqin komisionet për transfertat bankare në drejtim të Ukrainës si edhe të përfituesve individë dhe institucioneve shtetërore nga Ukraina.
Në këtë formë, edhe sektori bankar shqiptar i bashkohet kompanive që kanë ofruar mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Falë kësaj nisme, do të zerohen kostot e transfertave bankare drejt Ukrainës, për të lehtësuar dërgesat financiare, që synojnë të mbështesin shtetin dhe familjet ukrainase.