Nga: Leonard Demi
Presidenti Vladimir Putin, siç e kam shprehur edhe më parë, përqendroi një arsenal të jashtëzakonshëm ushtarak rreth Ukrainës me paramendim: të pushtonte Ukrainën, një shtet sovran, anëtar i Kombeve të Bashkuara, sigurinë e të cilit vetë Rusia e mori përsipër ta respektonte 28 vjet më parë, në këmbim të armëve bërthamore ukrainase (Praglufte dhe Po të fillojë lufta nesër, “Panorama”, 15 dhjetor 2021, dhe 15 shkurt 2022). Ofensiva kundër Ukrainës është lufta më e madhe në Europë që nga viti 1939 apo 1945 dhe një katastrofë me përmasa të gjera, edhe për vetë Rusinë. Këtë përmbysje historike e kanë dënuar me ashpërsi dhe indinjatën më të madhe i gjithë komuniteti demokratik ndërkombëtar, me në krye Presidentin Bajden, NATO dhe liderët e BE-së, si një agresion i paligjshëm dhe i papranueshëm, që dhunon integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, që shkel hapur parimin bazë ligjor ndërkombëtar, sipas të cilit kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë, se vendet sovrane janë të lira të marrin vendimet e tyre. Kësisoj, Presidenti i Rusisë po hedh në erë jo vetëm përpjekjet e sotme për paqe, por gjithë përpjekjet historike për një rend ndërkombëtar dhe demokraci, duke rritur mundësinë e një lufte gjithëpërfshirëse. Shumica e liderëve perëndimorë e konsideronin z. Putin taktik, por jo strateg dhe besonin se ai kërcënonte me agresion dhe provokonte me qëllim që Rusia të njihej edhe një herë si një partner kyç nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Por agresioni në plan të gjerë kundër Ukrainës është një përgjakje historike.
RETROSPEKTIVË
Vladimir Putin, pasi mori detyrën në vitin 2000, e quajti rënien e Bashkimit Sovjetik një “tragjedi të vërtetë” dhe “katastrofën më të madhe gjeopolitike” të shekullit të njëzetë dhe Presidenti Putin ka qenë gjithmonë i qartë në qëllimet e veta, por jo të gjithë e kanë dëgjuar me vëmendje. Në vitin 2001, në Luftën e Dytë Çeçene, pasi vuri re dobësi në luftimet e ushtrisë ruse, filloi reformat dhe modernizimin e saj si mjetin mbështetës të pazëvendësueshëm për të rivendosur sferën e ndikimit të Rusisë në Europën Lindore dhe Qendrore. Gjashtë vjet më vonë, më 10 shkurt 2007, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai dënoi politikën e zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes dhe sistemet demokratike euroatlantike se vepronin me pikësynime kundër Rusisë.
Afërsisht një vit pas këtij fjalimi, në prill 2008, kur NATO deklaroi se Ukraina dhe Gjeorgjia do t’i bashkoheshin Aleancës, Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë e kundërshtuan ashpër këtë vendim dhe katër muaj më pas, ai pushtoi dy krahina të Gjeorgjisë: Osetinë Jugore dhe Abkazinë. Në vitin 2014, kur Ukraina po përgatitej të nënshkruante Marrëveshjen e Asocimit me Bashkimin Europian, Moska, duke e akuzuar se po përpiqej të hynte në NATO me mënyra të tërthorta, aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe nxiti një luftë të vazhdueshme në Ukrainën juglindore, në rajonin e Donbasit (Donetsk dhe Luhansk). Muajt e fundit, Rusia, edhe pse kishte rrethuar Ukrainën me një arsenal ushtarak të jashtëzakonshëm me rreth 200,000 trupa, këmbëngulte se nuk kishte plan ta pushtonte, por paralajmëroi për një “operacion taktik të posaçëm”. Dhe ky operacion, nuk është gjë tjetër veçse një ofensivë në shkallë të gjerë për të nënshtruar të gjithë Ukrainë, gjë për të cilën nuk dyshoi kurrë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bajden, duke bërë të njohura edhe të dhënat e shërbimeve informative.
Urdhërimin e trupave ruse për të marshuar drejt Ukrainës zoti Putin e shoqëroi me një ligjëratë të çuditshme historie, ku Ukraina moderne u krijua tërësisht nga Rusia, më saktë, nga Rusia komuniste, për të mbështetur kauzën bolshevike. Vladimir Iliç Lenini ishte “autori dhe arkitekti” i saj dhe i krijimit të republikave të veçanta, ku, sipas zotit Putin, strehohen farat shkatërruese të nacionalizmit, të cilat lehtësuan shpërbërjen e Rusisë.
Organizimi i mbledhjes të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ku ‘silovikët’ e zotit Putin kërkuan të njiheshin separatistët në të dy “republikat”, ku Ukraina po “bombardonte” qytetarët rusë, ishin veprime, që synonin qartësisht të bindnin popullin rus se kombi i tyre ka një pretendim legjitim historik ndaj Ukrainës dhe se ata po tërhiqeshin në një konflikt të imponuar nga nacionalistët apo neonazistët ukrainas të manipuluar nga Shtetet e Bashkuara.
Në këtë dizastër, duhet të kuptojmë se kjo është lufta e zotit Putin, i cili është krijesë e Luftës së Ftohtë dhe vjen nga një brez zyrtarësh rusë të sigurisë, që nuk arritën kurrë të pajtohen me humbjen e Moskës në Luftën e Ftohtë. Për ta, Bashkimi Sovjetik u zhduk nga harta pa përpjekje ushtarake, pa pushtim të huaj dhe sulmi kundër Ukrainës është një pikë logjike dhe e domosdoshme. Ata ëndërrojnë të dizajnojnë, edhe një herë, hartën perandorake sepse nuk janë të interesuar të shkruajnë të ardhmen, ata duan të rishkruajnë të kaluarën.
Në literaturë, dallohen dy lloj luftërash: luftërat e domosdoshme me anën e të cilave vendet mbrojnë interesat jetike kombëtare dhe përfshijnë përdorimin e forcës ushtarake si mjetin e fundit, si dhe luftërat me zgjedhje, të cilat nuk bëhen për të mbrojtur interesat kombëtare. Pushtimi i Ukrainës është, padyshim, një luftë, që ka e zgjedhur zoti Putin. Pretendimet e tij se mbi rusët etnikë, që jetojnë në Ukrainë, po ushtrohet gjenocid, nuk kanë asnjë bazë racionale. Rusët etnikë, as po kërcënohen dhe as nuk janë kërcënuar. Sot, është ushtria ruse, që po ushtron gjenocid në të gjithë territorin e Ukrainës, ku vret edhe fëmijë të parritur. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të diskutuar për probleme sigurie, që marrin parasysh interesat ruse. Por, qëllimi i Presidentit të Rusisë nuk është bashkëbisedimi transparent i mbështetur në të drejtat ndërkombëtare, por kthimi i rrotës së historisë dhe rritja e sferës të vet të influencës në Europën Lindore dhe Qendrore. Pikërisht për këtë ai kërkon të çarmatosë (çmilitarizojë) dhe të rrëzojë qeverinë demokratike ukrainase (denazistifikojë) për ta zëvendësuar me një klikë filoruse, që kur t’i thotë hidhu, ajo t’i përgjigjet: ku? Për të qenë i qetë, do të asgjësojë edhe të gjithë ata, që janë përpjekur për një Ukrainë demokratike të lirë nga tutela ruse.
QËNDRESA
Presidenti Putin iu ka bërë thirrje anëtarëve të forcave të armatosura të Ukrainës të dorëzojnë armët dhe të refuzojnë të marrin urdhra nga eprorët e tyre në Kievi. Por, e papritura e tij e madhe është qëndresa dhe trimëria e popullit të Ukrainës, të cilët, deri më tani, kanë penguar trupat e ushtrisë ruse të marrin qytete të rëndësishme, si dhe kryeqytetin Kiev. Shembulli më i pashlyeshëm, padyshim, është ai i Ishullit të Gjarprit, 35 km larg bregut të Ukrainës, në Detin e Zi. Ditën e pushtimit, një anije ruse iu afrua dhe u kërkoi 13 rojeve kufitare të linin armët. Ata jo vetëm që nuk u dorëzuan, por, para se ushtarët rusë t’i vrisnin, heronjtë iu përgjigjën: “ik ……”.
Në fund të fundit, pse Rusia do të dështojë dhe Ukraina do të mbizotërojë? Për shkak të një guximi të tillë, i cili e ka forcuar më tej unitetin euroatlantik për të thelluar sanksionet kundër Rusisë dhe të rritë mbështetjen e vet ushtarake, inteligjente, ekonomike dhe diplomatike ndaj Ukrainës edhe pse Presidenti Putin ka vendosur forcat bërthamore në gatishmëri apo se po kërcënon me pasoja të panjohura nga historia. Këtë e dëshmuan edhe ovacionet e Parlamentit europian për President Zelenski.
Disa studiues, përfshirë ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, argumentojnë bindshëm se një pushtim rus i Ukrainës, ndoshta duke përfshirë Kievin, do të çonte në një kryengritje si ajo me të cilën Bashkimi Sovjetik u përball në Afganistan, në vitet 1980.
Presidenti Putini mund të jetë në gjendje të marrë të gjithë vendin nëse përdor forcë dërrmuese, por ai nuk do të jetë në gjendje ta mbajë atë përgjithmonë. Rezistenca do të jetë e ashpër, veçanërisht në Ukrainën Perëndimore, vendlindja e nacionalizmit ukrainas. Nga ana tjetër, ka frikë se do të zhytet në një kryengritje të zgjatur, sidomos kur dëgjon ministrin e Jashtëm, Kuleba, të thotë: “Ne nuk do të dorëzohemi. Ne nuk do të kapitullojmë. Ne nuk do të heqim dorë nga asnjë pëllëmbë e territorit tonë”. Një konflikt i zgjatur do të shoqërohej me viktima masive dhe do të shkaktonte pakënaqësi dhe trazira në shtëpi.
Pasoja strategjike, gjeopolitike dhe implikime buxhetore Në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield, duke dënuar vendimin e Presidentit rus, me të drejtë theksoi se pasojat do të jenë të tmerrshme në të gjithë Ukrainën, në të gjithë Europën dhe në mbarë globin. Pushtimi apo kontrolli i plotë i Ukrainës jo vetëm që godet rëndë rendin e tanishëm ndërkombëtar dhe u hap rrugën konflikteve dhe rikonfigurimimit të pushtetit, por do të shoqërohej me pasoja të rënda në arkitekturën e sigurimit europian. Presidenti Putin kërkon të krijojë një vijë të re të fronti në Europën Lindore dhe Qendrore dhe për këtë po përdor Ukrainën si mjet për të arritur qëllimin.
Forcat e armatosura ushtarake ruse, në qoftë se do të përfundojnë misionin e tyre, do të jenë të gatshme të vendosin forca tokësore, ajrore dhe raketa në baza ushtarake në Ukrainën perëndimore dhe në Bjellorusi, dmth, përgjatë gjithë kufirit lindor të tri shteteve baltike: Estoni, Letoni dhe Lituani; të Polonisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe kufirit verior të Rumanisë. Por, pos këtyre shtatë vendeve anëtare të NATO-s në Europën Lindore, po kaq të kërcënuara do të ndjehen Finlanda dhe Ballkani Perëndimor.
Një pikë tjetër e mundshme konflikti mund të jetë Kaliningradi, selia e Flotës Ruse të Detit Baltik dhe bazë e një arsenali të madh ushtarak, përfshi raketa konvencionale ose bërthamore, që mund të arrijnë lehtësisht qendrat europiane.
Kjo bazë e rëndësishme ruse ndahet nga Bjellorusia vetëm nga Korridori Suwalki, një rrip i ngushtë, 100 km i gjatë, midis Lituanisë dhe Polonisë. Zoti Putin mund të kërkojë të lidhë Kaliningradin drejtpërdrejt me Bjellorusinë me qëllimin strategjik për të shkëputur territoret e vendeve baltike nga pjesa tjetër e NATO-s. (Robert Kagan)
Lufta në Ukrainë ngërthen, gjithashtu, potencialin e frikshëm për të ndezur konflikt edhe në Ballkanin Perëndimor. Një fitore e zotit Putin në Ukrainë, mund të nxitë udhëheqësit e Republika Srpska për t’u shkëputur nga Federata boshnjake.
REFUGJATËT
Bashkimi Europian bën të ditur se lufta pushtuese në Ukrainë rrezikon të detyrojë më shumë se shtatë milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Kjo krizë humanitare do të zbehte migrimet e vitit 2015 dhe mund të kthehet në zhvendosjen më të madhe të popullsisë në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Komisionerit për Refugjatët, sot numërohen rreth 500,000 ukrainas, që janë larguar për në Poloni, Hungari, Sllovaki dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian. Situata po rëndohet nga ora në orë dhe për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që i largohen vdekjes, BE vendosi t’i lejojë qytetarët ukrainas të qëndrojnë në vendet e Bashkimit Europian për tre vjet.
Ky është një zhvillimi tjetër, që zoti Putin e nënvlerësoi. Për refugjatët ukrainas edhe vendi ynë ka hapur dyert e mikpritjes.
QËNDRIMI I NATO-S
Samiti virtual i 25 shkurtit dënoi me termat më të ashpra pushtimin e Ukrainës, i bëri thirrje Rusisë “të ndalojë këtë luftë të pakuptimtë, të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe të kthehet në rrugën e dialogut, që i ofrohet vazhdimisht nga NATO”.
Ofensivën ruse në Ukrainë Aleanca e konsideron si një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike, kërcënimin më të madh në dekada dhe, pos ndihmës së pakufishme që i ka dhënë Ukrainës për tetë vjet me radhë, po bën gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët (“Po të fillojë lufta nesër”, “Panorama”, 15 shkurt 2022). NATO ka rritur praninë e vet në pjesën lindore të Aleancës me më shumë trupa, grupe luftarake, me grupet luftarake të aeroplanmbajtëseve amerikane dhe britanike, me më shumë anije në detin Mesdhe dhe Detin e Zi, si dhe me më shumë avionë. Po kështu, NATO ka rritur gatishmërinë e Forcës së Reagimit prej 40 000 trupa dhe po shqyrton, gjithashtu, nëse duhet të ketë ndryshime më afatgjata në konfigurimin ushtarak të Aleancës në pjesën e vet lindore. Këshilli i Atlantikut të Veriut miratoi kërkesën e Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për të zhvilluar konsultime urgjente sipas nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit. Po kështu, me kërkesë të komandantit të Komandës Operacionale, Gjeneralit Tod Wolters, Këshilli vendosi të aktivizojë planet e veta të mbrojtjes. Ky vendim i jep mundësi aleancës të vendosë trupa, përfshirë Forcën e Reagimit dhe kapacitete ushtarake atje ku nevojiten. Sot, Aleanca ka në gatishmëri të lartë mbi 100 avionë luftarakë dhe më shumë se 120 anije, nga Veriu i Lartë deri në Mesdhe.
Plani, gjithashtu, mund të ngrejë katër grupe luftarake shumëkombëshe me rreth 1000 trupa secili për t’u dislokuar në Bullgari dhe Rumani, ndoshta edhe në Sllovaki dhe Hungari. Franca është ofruar të drejtojë grupin luftarak, që do të vendoset në Rumani.
Dislokimet e reja dhe të përhershme të forcave ushtarake, pajisjeve, avionëve dhe madje edhe raketave ruse do të jenë një kërcënim i madh kundër paqes relative dhe prosperitet të komunitetit euroatlantik të këtyre 30 vitet të fundit. Kësisoj, kemi hyrë në një epokë të re.
Vendimet e fundit të Gjermanisë janë shembulli më i qartë që tregon se pushtimi i Ukrainës kërkon një ridimensionim radikal të politikave zhvillimore dhe shpenzimeve të mbrojtjes. Siguria ka një çmim dhe ai ka filluar të rritet.
Aleatët e NATO-s, sidomos SHBA, Britania e Madhe, Holanda, Norvegjia, Danimarka Islanda, anëtarët nga Europa Lindore: Estoni, Finlandë, Letoni, Lituani, si dhe Suedia si partner, individualisht, po mbështesin Ukrainën me atë që munden. Shtetet e Bashkuara, vetëm këtë vit, i kanë akorduar mbi 600 milionë dollarë, të cilat po ndiqen nga financime të tjera të konsiderueshme. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka planifikuar 450 milionë euro për armatime dhe njoftoi se do të mbyllë hapësirën ajrore për avionët rusë, po kështu Britania e madhe dhe vende të tjera.
Gjermania ka bërë hapin e parë të madh në drejtimin e duhur kur vendosi të furnizojë me armatime Kievin si përgjigjen më të drejtë kundër agresionit të Presidentit rus, duke përmbysur kështu dekadat e kontrolleve të rrepta mbi politikën ushtarake gjermane. Por, akti më i rëndësishëm është vendimi për të ngritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.3 në mbi 2 për qind të PBB, sipas zotimit të NATO-s, të cilin e kishte planifikuar për në vitin 2030. Po këtë vit, Gjermania do të angazhojë 100 miliardë euro për forcat e armatosura për të përmbushur detyrimet e veta në aleancë me “një ushtri të fuqishme, moderne, të përparuar, që mbron me besueshmëri”.
Pushtimi i Ukrainës ka njësuar më shumë Aleancën dhe planet për një mbrojtje europiane “strategjikisht autonome” apo çdo përpjekje që ndan Europën nga Amerika do të ishin fatale, do të dobësonin NATO-n dhe do të përçante Europën. Prania e Shteteve të Bashkuara në Europë dhe pjesëmarrja e fuqishme e Amerikës në Aleancë është një domosdoshmëri jetike e patjetërsueshme për sigurinë e Europës.
SANKSIONET
Tani, e dimë se sanksionet nuk mund të ndalojnë tanket dhe se ndërvarësia ekonomike si garancia më e mirë për paqen ka rezultuar e gabuar. Kapitalizmi nuk mjafton për të zbutur autoritarizmin. Tregtia me diktatorët nuk i bën vendet tona më të sigurta, përkundrazi. Gazi rus e bëri kontinentin tonë më të pasigurt dhe më të prekshëm. Mbajtja e parave të liderëve të korruptuar në bankat perëndimore nuk i civilizon ata. Bashkimi Sovjetik nuk u mund kurrë ushtarakisht, ai u shemb sepse ishte i gjymtuar ekonomikisht, prandaj komuniteti euroatlantik ka vendosur ta godasë Rusinë fort ekonomikisht. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe pasi miratuan raundin e parë të sanksioneve kundër institucioneve, kompanive, agjencive qeveritare të sektorit të mbrojtjes, bankave dhe institucioneve të tjera të mëdha financiare ruse, që financojnë operacionet në territoret e pushtuara; kanë rënë dakord të parandalojnë disa nga institucionet kryesore financiare të Rusisë të veprojnë globalisht, dmth, t’i përjashtojnë nga sistemi “Swift”, si dhe të bllokojnë në mënyrë efektive eksportet dhe importet ruse. Fuqitë perëndimore janë të vendosura të vazhdojnë ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe ekonomitë e tyre. Vlerësimet e mëparshme kanë sugjeruar se largimi i Rusisë nga “Swift” mund të rrëzojë deri në 5 për qind produktin e brendshëm bruto të vendit. Po kështu, aleatët perëndimorë do të vendosin masa kufizuese, që synojnë të parandalojnë veprimtarinë e bankës qendrore ruse të minojë sanksionet, si dhe të bllokojnë Kremlinin të përdorë rezervat e tij të konsiderueshme valutore në Perëndim. Ekspertë mendojnë se kjo paketë sanksionesh do të dëmtojë seriozisht Rusinë. Do të kufizojë aftësinë e qeverisë ruse për të siguruar kapital në tregjet financiare dhe shërbimet perëndimore: të Amerikës dhe të BE-së, nuk do të mundë të tregtojë borxhin e saj të ri as në tregjet amerikane dhe as në tregjet europiane me synim kufizimin e financimit të politikave përshkallëzuese dhe agresive të Presidentit Putin. Pas përshkallëzimit të sanksioneve ekonomike, që përfshijnë edhe bllokimin e Bankës Qendrore të Rusisë nga sistemi global i pagesave, vlera e rublës ra në një nivel rekord kundrejt dollarit, rreth 30 për qind dhe qytetarët rusë u vunë në radhë para bankomatëve për të tërhequr paratë e tyre. Në këto kushte, Banka Qendrore rriti më shumë se dy herë normat e interesit: nga 9.5 në 20 për qind me shpresën se depozitat më të larta mund të kompensojnë rreziqet e inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës. Brenda pak ditësh, sanksionet nga simbolike janë kthyer në dëmtues seriozë. Përjashtimi nga sistemi “Swift” edhe i bankave të tjera do ta rëndonte edhe më situatën ekonomike të Rusisë. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione edhe ndaj elitave ruse, individëve me lidhje me Kremlinin, oligarkëve dhe familjeve të tyre si një përpjekje që njerëzit më të afërt me zotin Putin të mos i shpëtojnë dhimbjes financiare, që pritet të godasë rëndë gjithë vendin. Ata bënë të ditur, gjithashtu, se sanksionet do të intensifikohen nëse zoti Putin përshkallëzon konfliktin për të pushtuar të gjithë vendin me gjakun e dhjetëra mijëra njerëzve. BE vendosi të ngrijë asetet edhe të Presidentit rus dhe ministrit të tij të Jashtëm. Bashkimi ka deklaruar se do të sanksionojë të 351 anëtarët e Dumës ruse, që votuan për njohjen e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, si dhe shumë persona të tjerë. Masat përfshijnë fundin e “vizave të arta” për oligarkët e lidhur me Kremlinin dhe krijimin e një task force transatlantike për të koordinuar zbatimin e sanksioneve financiare, të cilat do të vazhdojnë të thellohen për të gjymtuar ekonominë ruse.
NJË EPOKË E RE
Qeveritë europiane kanë reaguar me forcë, shpejtësi dhe unitet të palëkundur kundër shkeljes flagrante të sovranitetit kombëtar të Ukrainës. Edhe pse Europa ka lidhje të rëndësishme tregtare me Rusinë dhe disa vende janë të varura nga gazi rus, të cilin Rusia e përdor si një armë gjeopolitike, përpjekjet e Presidentit Putin nuk mundën t’i përçajnë. Shembulli më domethënës është ai i Gjermanisë, e cila nuk do të certifikojë gazsjellësin, Nord Stream 2, i ndërtuar për të transportuar gaz direkt nga Rusia në Gjermani. Shumë pyesnin nëse Kancelari Scholz do të vepronte kundër interesit ekonomik të Gjermanisë, duke pasur parasysh varësinë e saj nga gazi rus, por, Gjermania nuk këmbeu sigurinë europiane me gazin rus.
- Putin nuk e kishte parashikuar se demokracitë dhe aleanca perëndimore, pavarësisht nga problemet e tyre, do të njësonin qëndrimin kundër një kërcënimi të përbashkët dhe do të miratonin paketën e ashpër të sanksioneve kundër tij dhe vendit të vet.
Vendimi i BE-së për t’i ofruar Ukrainës 450 milionë euro për të blerë armatime kundër agresionit rus dhe 50 milionë për pajisje joushtarake ka thyer “një tabu” dhe po i jep Bashkimit Europian mundësinë për t’u sjellë si një fuqi gjeopolitike. Presidentja e Komisionit, Fon der Lejen, e konsideron këtë akt si një pikë kthese historike në politikën e mbrojtjes të BE-së.
Përveç sanksioneve financiare dhe ekonomike kundër Rusisë të vendosura ditët e fundit, Komisioni njoftoi, gjithashtu, edhe ndalimin e mediave qeveritare ruse RT dhe Sputnik të transmetojnë për të bllokuar fushatën e tyre të dezinformimit. Bashkimi Europian, deri më tani, nuk ka qenë në gjendje të ndjekë një politikë të qartë dhe të bashkuar në lidhje me Presidentin Putin. Urdhri i tij për të pushtuar Ukrainën çimentoi jo vetëm NATO-n, por e bëri Bashkimin Europian një organizatë të aftë t’i ofrojë ndihmë ushtarake një vendi joanëtar nën sulm. Këtë herë, zotit Putin provokoi tronditjen e nevojshme dhe Europa, më në fund po sillet si një fuqi gjeopolitike. Nuk ka shpjegim tjetër kur tetë vende anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë që BE të fillojë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën.
Rusia, gjithashtu, është përjashtuar nga Këshilli i Europës, organ shumëkombësh për të drejtat e njeriut, finalet e futbollit të Ligës së Kampionëve 2022 janë zhvendosur nga Moska në Paris, po kështu nuk do të ketë asnjë pjesëmarrje ruse në konkursin e këngës së Eurovizionit të këtij viti.
QËNDRIMI I REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS
RP e Kinës nuk e ka dënuar sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, por u bëri thirrje palëve të respektojnë shqetësimet legjitime të sigurisë së të tjerëve, madje shkoi edhe më tej kur miratoi importet e grurit nga Rusia, një veprim që mund të zvogëlojë ndikimin e sanksioneve perëndimore. Gjatë dy muajve të fundit, aleanca Moskë-Pekin ka kaluar nga hipoteza në realitet, falë qëllimit të përbashkët për të sfiduar Amerikën. Ndërkohë, elitat kineze nuk janë të entuziazmuara nga pushtimi i pamatur i Ukrainës nga Rusia, por nuk ka dyshim se ata do të qëndrojnë në anën e Moskës. Kinezët po përpiqen të balancojnë tri qëllime, që nuk mund të pajtohen me njëri-tjetrin: marrëdhënien strategjike me Rusinë; përkushtimin ndaj parimit afatgjatë të politikës së jashtme kineze të “mosndërhyrjes”; si dhe dëshirën për të minimizuar dëmin kolateral ndaj interesave kineze nga trazirat ekonomike dhe sanksionet e mundshme nga SHBA-ja dhe BE-ja.
DIPLOMACI
Dje, më shumë se 100 diplomatë nga rreth 40 vende, si: nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Britania, aleatë, përfshirë Japoninë, u larguan nga fjalimi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në forumin më të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut në shenjë proteste kundër pushtimit rus të Ukrainës. Sidoqoftë, diplomacia ka të drejtë të kërkojë shanse, edhe pse është krejt e qartë se Presidenti Putin nuk ka asnjë interes të ketë një marrëdhënie produktive-përveçse sipas kushteve të tij: Kievi të njohë sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë, të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të demilitarizohet; ndërsa ai të ketë dorën e lirë për agresion dhe represion kundër vendeve, që i konsideron territor rus apo zonë të influencës ruse. Megjithatë, të dyja palët pohojnë se janë të gatshme të nisin negociatat për t’i dhënë fund konfliktit.
FJALË PËRMBYLLËSE
Presidenti Putini ka shkatërruar sistematikisht të gjitha kontrollet dhe balancat, që ekzistonin në Rusi, madje edhe nën sundimin e tij të dashur komunist. Vendimmarrja kolektive është braktisur. Kontrolli i Dumës mbi pushtetin e Putinit nuk ekziston dhe për sa kohë që zoti Putin është në pushtet, nuk do të ketë një Rusi dhe rend ndërkombëtar të qëndrueshme dhe të parashikueshëm. Nëse aleatët transatlantikë nuk duan të kapen në befasi dhe të jenë të kërcënuar, siç ndodhi në vitin 2014, duhet të hartojnë një politikë afatgjatë ndaj Rusisë.