Një 46-vjeçar është gjetur sot pa shenja jete në banesën e tij nga e ëma, e ndërsa ishte shpallur i humbur që prej datës 11 shkurt. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “24 Maji”, ndërsa viktima është identifikuar si Altin Alikaj.
Rrethanat e ngjarjes janë të paqarta, ndërsa denoncimin në polici për zhdukjen e 46-vjeçarit e kishte bërë kushëriri. Ai u gjet i pajetë nga nëna e tij, e cila ishte kthyer nga Greqia pas shqetësimeve për djalin.
Banesa ku ai jetonte nuk ishte kontrolluar nga policia, edhe pse ishte denoncuar i humbur prej 8 ditësh. Viktima dyshohet se ishte përdorues i lëndëve narkotike. Ai ishte ushtarak në një repart në Vlorë. Burimet konfirmuan se policia e ka njohur viktimën, si përdorues të lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë
“Më datë 19.02.2022, është gjetur i pajetë, në banesë, nga nëna e tij, shtetasi A. A.,46 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, i cili ishte shpallur i humbur më datë 11.02.2022. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.