Nga 1 qershori i këtij viti do të ndalohet prodhimi, shitja dhe futja e qeseve plastike për përdorim individual. Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese projektligjin, që qëndron në sirtaret e Kuvendit, që në vitin 2019, teksa bëri me dije edhe masat administrative që parashikohen për prodhuesit apo qytetarët që i përdorin ato.
Qeveria shqiptare parashikon heqjen e përdorimit të këtyre materialeve që nga qershori i këtij viti. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka parashikuar gjoba për ata që importojnë dhe përdorin qeset plastike.
Deputetët e opozitës u fokusuan te pasojat ekonomike, që ka kjo masë te prodhuesit shqiptarë, të cilët kanë investuar në linjat e prodhimit. Përfaqësuesit e opozitës shprehen se me këtë ligj, shumë biznese do të falimentojnë, dhe shumë persona do të mbeten pa punë.