Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan në Bruksel për përgjigjet ndaj një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës.
Forcat territoriale ukrainase gjatë trajnimit në Kiev
Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u takuan në Bruksel në përpjekje për të gjetur një përgjigje ndaj një pushtimi të mundshëm të Ukrainës nga Rusia. Pas takimit shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se ekziston “unitet” midis vendeve anëtare për veprime “të shpejta dhe të vendosura”, nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Borrell shtoi se BE-ja është zotuar të mbështesë Ukrainën në “fushat kyçe” duke përfshirë kundërsulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride, siç janë fushatat e dezinformimit rus.
Borrell për Ukrainën: “Rruga e dialogut” do të vazhdojë
Takimi, të cilit iu bashkua Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken me videokonferencë, u zhvillua pasi Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore u kërkuan familjeve të diplomatëve të tyre që të largohen nga Ukraina për shkak të krizës.
Si po përgjigjet BE-ja?
Disa brenda BE-së mendojnë se ajo po mënjanohet në situatën aktuale, sepse qeveria ruse është e përqendruar në bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për të paraqitur kërkesat e saj të sigurisë.
Megjithatë Uashingtoni u ka bërë thirrje të gjithë aleatëve të vet që të vendosin sanksione ekonomike për të ndëshkuar Rusinë nëse ajo vazhdon me pushtimin. Takimi në Bruksel u zhvillua pasi NATO njoftoi se do të dërgonte avionë dhe anije shtesë në Evropën Lindore për shkak të frikës së një sulmi rus ndaj Ukrainës.
Holanda do të dërgojë dy avionë luftarakë F-35 në Bullgari
Holanda, për shembull, do të dërgojë dy avionë luftarakë F-35 në Bullgari, ndërsa Danimarka do të dërgojë një fregatë në Detin Baltik dhe aeroplanë shtesë në Lituani.
Sanksione të ashpra
Ministrat e jashtëm të BE-së shprehën shqetësimet e tyre të fundit për krizën në Ukrainë. Disa syresh kërcënuan me sanksione të ashpra nëse Rusia sulmon Ukrainën. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se Berlini ishte gati të mbështeste Kievin si ekonomikisht ashtu edhe financiarisht.
Ministri i Jashtëm danez Jeppe Kofod tha se BE-ja është e gatshme ta godasë Moskën me sanksione “të papara më parë” nëse Rusia sulmon Ukrainën. Gjatë takimit, kryetarja e Komisionit të BE-së von der Leyen njoftoi për një paketë të re ndihme prej 1.2 miliardë eurosh për Ukrainën.
Lojëra ushtarake ruse në zonën ekskluzive ekonomike të Irlandës
Ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney, tha se Rusia synon të zhvillonte lojëra ushtarake 240 kilometra nga bregu jugperëndimor i vendit të tij. Lojërat ushtarake do të zhvillohen si në ujërat ndërkombëtare, por edhe në zonën ekskluzive ekonomike të Irlandës.
“Ne nuk kemi fuqi për të parandaluar që kjo të ndodhë, por sigurisht ia kam bërë të qartë ambasadorit rus në Irlandë se nuk është e mirëpritur”, tha Coveney. /DW