Më shumë se një muaj pas ngjarjes është prangosur në Tiranë autori i plagosjes me armë zjarri në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë. 26-vjeçari Markeljan Beqiri, që është vendosur në pranga, akuzohet se tentoi të vrasë me armë zjarri Arni Sulejmanin 20-vjeç. I riu u arrestua mbrëmjen e kaluar në segmentin rrugor Linzë-Surrel në Tiranë, teksa po qarkullonte me një makinë.
Markeljan Beqiri dyshohet se më 9 dhjetor të vitit të kaluar, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, tentoi të vrasë me armë zjarri shokun e tij.
Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Beqiri u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Linza”, pas informacioneve se po qarkullonte me makinë në segmentin rrugor Linzë-Surrel.
Si ndodhi ngjarja?
Në datë 9 dhjetor, Markeljan Beqiri ishte në një dhomë hoteli së bashku me tre persona të tjerë, një vajzë dhe dy djem. Në dhomë në momentin që ndodhi ngjarja ishin Arni Sulejmani, Markeljan Beqiri, Tefik Shehu dhe Anxhela Brisku. Por për shkaqe të paqarta, 26-vjeçari tentoi të vrasë me armë zjarri Arni Sulejmanin.
Markeljan Beqiri dhe Tefik Shehu u larguan nga dhoma e hotelit, ndërsa 20-vjeçarja fshehu armën e 26-vjeçarit, me të cilën ai tentoi të vrasë Arni Sulejmanin.