Një shtresë e trashë hiri që mbulon të gjithë komunitetet ishullore, mund të shihet në imazhet e para të Tongës së goditur nga fatkeqësia që shfaqen pas asaj që ekspertët besojnë se është shpërthimi më i madh vullkanik në botë në më shumë se 30 vjet.
Fotot ajrore të lëshuara nga Forca e Mbrojtjes e Zelandës së Re nga ishujt qendror Ha’apai të Tongas tregojnë pemë, shtëpi dhe fusha të veshura me hirin gri, të nxjerra nga vullkani nënujor Hunga-Tonga-Hunga-Ha’apai ndërsa shpërtheu të shtunën, duke dërguar valët e cunamit nëpër Paqësor.
Imazhet satelitore tregojnë një skenë të ngjashme në lagjen Kolofo’ou të kryeqytetit, në ishullin kryesor të Tongës, me pemë dhe shtëpi të mbuluara plotësisht nga mbeturinat vullkanike. Disa ndërtesa duket se janë shembur, dhe punonjësit e ndihmës tani janë të shqetësuar për ndotjen e ujit dhe sigurinë ushqimore.
Imazhet satelitore të portit kryesor në kryeqytetin e Tongës, Nuku’alofa, tregojnë ndikimin e shpërthimit të madh vullkanik dhe cunamit.
Por ndërsa vdekjet e para u konfirmuan dhe operacionet e shpëtimit vazhduan, punonjësit e ndihmës paralajmëruan se shkalla e vërtetë e shkatërrimit mbetet e panjohur.
Alexander Matheou, drejtor i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, tha se përveç hirit, ka “dëmtime në shkallë të gjerë bregdetare si pasojë e valës së cunamit”.
Dorëzimi i ndihmave humanitare në vend është penguar nga reshjet e hirit që kanë mbuluar pistën e aeroportit të kryeqytetit, sipas zyrtarëve nga disa vende donatore.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar në të gjithë Tongën, e cila është shtëpia e më shumë se 100.000 njerëzve, me shumicën që jetojnë në ishullin kryesor të Tongatapu. Të paktën 100 shtëpi në të gjithë arkipelagun janë dëmtuar, me të paktën 50 të shkatërruara plotësisht. Por numrat ka të ngjarë të rriten, ndërsa shpëtimtarët punojnë për të rivendosur linjat e komunikimit.
Burimi i lajmit: CNN. Përshtatur nga Tirana Today