Koço Kokëdhima ka qenë gjithmonë pro legalizimit të kanabisit mjekësor. Në një intervistë në emisionin “Breaking”, ai i është rikthyer sërish nismës së tij për legalizimin e kultivimit të kanabisit, me qëllim shitjen e tij në tregun farmaceutik ndërkombëtar. Ai shpesh e ka thënë se nuk flet për legalizimin e kanabisit për qëllime konsumi normal, por për një proces të kontrolluar nëpërmjet një ligjislacioni të mirë.
Ish-deputi i PS-së, Koço Kokëdhima, i qëndron besnik opinionit të dhënë më herët se kanabisi farmaceutik do të duhej të ishte legalizuar në Shqipëri që prej vitit 2014. “Sot, debati për faktin nëse duhet legalizuar ose jo kanabisi, është debat i kapërcyer në të gjitha shoqëritë e përparuara të Evropës dhe SHBA-së. Nuk ka asnjë argument kundër. Kundërshtarët nuk kanë më asnjë armë në duar. Problemi është vetëm kompleksi i këtyre njerëzve. Kemi një milion arsye, se pse duhet ta kishim legalizuar kanabisin farmaceutik që në vitin 2014”, tha Kokëdhima.
Ish-deputeti shtoi se në Shqipëri ka me mijëra përdorues të kanabisit, dhe legalizimi do ishte një ndihmë për këta të fundit. “Duhej të kishim bërë hapa të rëndësishëm edhe për legalizimin për përdorim nga të rriturit për qëllime rekreative. Konsumi i kanabisit është realitet në të gjitha shoqëritë. Qeveria duhet t’i përgjigjet këtij realiteti me ligje. Janë me mijëra konsumatorë kanabisi në Shqipëri.
Është më mirë të mësohet se kush e konsumon kanabisin, dhe mund ta marrin në farmaci, me cilësi dhe çmime të drejta. Nga ana tjetër, kjo duhet të shërbejë edhe si ekonomi. Edhe Greqia dhe Maqedonia e Veriut po e bëjnë realitet”, tha Kokëdhima.