Kryeministri Edi Rama ka dalë dalë në një konferencë për mediat, për të folur për përmbylljen e mandatit të dytë qeverisës. Teksa shprehu falenderimet ndaj mjekëve për punën e tyre në luftën me pandeminë, Rama zbuloi se shefja e Infektivit, Najada Çomo, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes.
Ai vlerësoi Çomon për vendimin e saj, duke e cilësuar si përgjegjësi të lartë profesionale. Sipas Ramës, Çomo kishte kërkuar të qëndronte pranë ekipit të saj, në një kohë kur varianti Delta po përhapet masivisht në vend.
“Jam i prekur nga komunikimi me doktoreshën Najda Çomo, më kërkoi të pranoja tërheqjen e saj nga roli i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, kur Delta nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive.
Një shembull kuptimplotë i përgjegjësisë së lartë për detyrën. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta e dimri mund të jenë të vështirë, por falë mjekëve janë shpëtuar me mijëra jetë dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë”, tha Rama.