Marigona Osmani u nda nga jeta dy ditë më parë në Ferizaj. Ajo është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqas, 29-vjeç, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu, 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga.
18-vjeçarja Marigona Osmani është dërguar pa shenja jete në hyrje të spitalit nga bashkëjetuesi i saj dhe një person tjetër, pasi e kishin dhunuar për dy ditë me radhë.
Policia në kërkim të bashkëjetuesit të Marigonës
Policia është në kërkim të bashkëjetuesit të Marigonës, Dardan Krivaqas, i cili është i dyshuari kryesor për keqtrajtimin e saj. Babai i Marigonës tha se vajza kishte qenë vazhdimisht nën presion nga ai, dhe se e keqtrajtonte.
Vrasësi në kërkim për disa vepra penale që prej vitit 2013
Dardan Krivaqa ishte në kërkim për disa vepra penale që prej vitit 2013.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shigjetuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për rastin duke deklaruar se do të kërkojë përgjegjësit.
“Pas këtij rasti që përfundoi me vrasje, shohim një tjetër skandal në sistemin gjyqësorë pasi shohim se i dyshuari kryesor kishte aktakuzë të ngritur që nga viti 2013″.
Dje, një grup qytetarësh në Ferizaj kanë ndezur qirinj në sheshin e qytetit, duke ndarë dhembjen me rastin tragjik të vrasjes së 18-vjeçares. Ata i kanë shprehur ngushëllimet familjes dhe kërkuan drejtësi.
Pacolli ofron shpërblim
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Behgjet Pacolli i cili ka ofruar shpërblim, për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës, që çon në arrestimin e vrasësit.
“Unë ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës, që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë!”, shkruan ai në një postim në Facebook.
U martuan para dy muajsh/ Rasti i 18-vjeçares është cilësuar si “vrasje e rëndë”
Ish-partneri i viktimës është në arrati. Rasti i 18-vjeçares është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka njoftuar se vajza dyshohet se u privua nga jeta për motive të ulëta.
“Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën, e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka njoftuar Prokuroria.
Vjosa Osmani: Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjeton dhunën
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar për rastin e rëndë në Kosovë. Osmani thotë se duhet të ketë drejtësi e dënim për ata që kryejnë krime makabre. Ajo citon në shenjë këmbane alarmi se s’mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve, si çështje familjare.
Statusi
Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.
Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave.
Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.
Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.
TIRANA TODAY