Ish-kryeministri Sali Berisha, i është përgjigjur deklaratës së ambasadores së SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim, e cila kërkoi kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, që të mos jetë i pranishëm si deputet në legjislaturën e ardhshme në Kuvend, pas shpalljes ”non grata”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Kim gaboi rëndë me deklaratën e saj, kur tha se Partia Demokratike nuk duhet të hajë bar për shkak të një njeriu i cili ka probleme me ligjin, duke iu referuar atij. Sipas tij, Kim ka dhunuar në mënyrë flagrante misionin e saj, duke kërkuar që ai të mos jetë në Kuvend, në shtator.
Përsa i përket shpalljes së tij non-grata nga SHBA-të, Berisha shkruan se deri më tani nuk është publikuar asnjë provë që të vërtetojë akuzat, kështu që ai nuk do ta tradhëtojë besimin që i kanë dhënë qytetarët për ta zgjedhur si deputet e për rrjedhojë do të futet në Parlament.
Postimi i Berishës në rrjetin social, Facebook
Njoftim shtypi
Sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me nje deklarate fyese per cdo demokrat dhe shqiptar duke iu permendur barin, ne dhunim flagrant te misionit te saj, i kerkoi Kryetarit te PD qe Sali Berisha te mos futet ne parlamentin e ardhshem. Lidhur me keto deklaroj sa vijon:
Asnje shpifje, trillim apo sajim nuk mund te pengoje kurre Sali Berishen te permbushe misionin e tij te besuar nga zgjedhesit shqiptar ne mbrojtje te interesit kombetar dhe publik te shqiptareve.
Qe nga data 19 maj 2021 dhe deri sot pas vendimit te Sekretarit Blinken, te bazuar ne lobimin korruptiv te Edi Rames dhe George Soros, armik i demokracise se shqiptareve dhe shpifjet e tyre, une i kam kerkuar dhe i kerkoj Sekretarit Blinken te publikoje çdo fakt, dokument apo prove qe ai ose kushdo tjeter mbi toke disponon per te faktuar ato qe ka shkruar ne vendimin e tij. Por deri sot nuk eshte publikuar asnje prove dokumet apo fakt vetem e vetem se ato nuk ekzistojne. Per te gjitha keto une kam njoftuar se kam paditur Sekretarin Blinken per shpifje ne Gjykaten Korreksionale te Parisit.
Deri sot Departamenti i Shtetit me zedhenesin e tij ka informuar se Sekretari Blinken vendimin e ka te bazuar ne raporte te NGO lokale, rajonale dhe nderkombetare, raportet e mediave dhe raportet investigative antikorrupsion te qeverise shqiptare.
Domethene vendimi i Sekretarit Blinken eshte bazuar ne raportet e armiqeve te mi, NGO te kontrolluara nga George Soros dhe raportet e mediave te kontrolluara nga qeveria dhe raportet sekrete te Edvin Rames te pa publikuara kurre ne Shqiperi.
Duke shprehur bindjen se vendimi eshte nje abuzim i paster me ligjin e Kongresit te SHBA, perdorimin e tij si arme kunder kundershtareve politik te multimilardierit George Soros dhe mikut te tij te ngushte Edi Rama, une pavaresisht nga keto perseri ftoj Sekretarin Blinken ti bej te gjithçka publike.
Perveç ketyre e ftoj Sekretarin e Shtetit te ndikoje tek Edi Rama qe te votojme ne parlament ligjin e vetingut te politikaneve.
Une dua ti rikujtoj Zonjes ambasadore se ke gabuar rende me barin qe iu permende demokrateve. Ne kete kontekst shprehja juaj se PD nuk mund te haje bar eshte nje fyerje per çdo demokrat dhe per çdo shqiptar te cilet citate te ngjashme i kane degjuar vetem ne diktature apo nga raciste albanofobe.
Se fundi, nuk e di nese takimi i sotem i Zj ambasadore Kim ka ndonje nxitje nga denoncimi im i marreveshjes se dyshimte qe u njoftua se u arrit ne prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares se KLGJ, Llagami dhe Instutut East West qe sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kerkuar mundesisht te beni transparente kete marreveshje ju siguroj se sikunder deri sot do te denoncoj çdo afere te dyshimte nga cilido dhe pa asnje hezitim.
Shqiptaret jane njerez te lire dhe me dinjitet qe nuk meritojne bar por transparence! sb
Kim takon Bashën në selinë e PD, Berisha jo në Kuvend
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, i kërkoi kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, që ish-kryeministri Sali Berisha të mos jetë i pranishëm si deputet në legjislaturën e ardhshme në Kuvend, pas shpalljes ”non ngrata”.
Pas takimit me kryedemokratin në selinë blu, Kim tha para gazetarëve, se Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura.
Sipas saj, do të ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse “partia do duhej të hante bar” për hir të një deputeti të saj, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.
Yuri Kim: “Pata një diskutim shumë të mirë me kryetarin e PD Lulzim Basha sot, ishte në vijim të takimit që kemi pasur kur Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA dhe rolin e rëndësishëm që PD ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe për rëndësinë që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj për në BE. Është për t’u theksuar fakti që roli i PD ka qenë i pazëvendësueshëm dhe që PD do të kthehet në Kuvend në shtator. Kuptojmë që partia dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, por që gjithashtu këto shqetësime janë pasqyruar në raportin e OSBE-ODIHR. Gjithashtu do të jetë e rëndësishme dhe e domosdoshme që kjo gjë të bëhet në mënyrë domethënëse dhe SHBA-të do vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për demokracinë në Shqipëri.
Dua të nënvizoj dhe njëherë përgjegjësinë që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend, të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e Shqipërisë. E rëndësishme që PD të mendojë për këto çështje. Siç e përmenda më parë, PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj. Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë të shkojë përpara. Për këtë arsye ka vendime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”.
Berisha ”non grata”, padi ndaj Sekretarit Antony Blinken
Më 19 maj, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ”non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij.
Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë, dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit, është përfshirë në afera korruptive.
Në faqen zyrtare, DASH ka publikuar vendimin e plotë, ku thuhet se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike, dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin.
Në vendimin e tij, Blinken ka përcaktuar si të papërshtatshëm edhe bashkëshorten e ish-kryeministrit Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi.
Berisha ka vendosur të padisë Blinken në Gjykatën Korreksionale të Parisit për shpifje publike, teksa avokati i tij do të jetë Jean-Yves Le Borgne.