Në Fiks Fare mbërriti një denoncim nga një qytetar i cili kishte hasur probleme me Kartën e Identitetit.
Në momentin që ai ka rinovuar ID e tij pranë zyrave të Aleat ka vënë re një gabim në vendlindjen e tij , ku shkruhej lagjja nr.4 pa emrin e qytetit. Qytetari shpjegon se në momentin e tërheqës së ID pranë Aleat-it të Njësisë 4 ka refuzuar të marri kartën, pasi në të nuk shkruhej qyteti i lindjes por vetëm lagjja. Punonjësja e Aleat i shpjegon se nuk është gabim i Aleat por që ashtu figurojnë të dhënat e zotërisë në sistem. Për të bërë ndryshimin në sistem ai duhet t’i drejtohej Njësisë Nr.4 për korrigjim. Edhe në këtë njësi qytetarit i tregojnë se ashtu figuron në sistem vendlindja e tij, pra në Lagjen nr.4. Por ky gabim qytetarit i ka kushtuar shumë, pasi i ka krijuar probleme kudo që është paraqitur pasi dokumenti bazë siç është Karta e Identitetit nuk ka patur vendlindjen si qytet.
Në këto kushte qytetari i drejtohet gjendjes civile nr. 4 për gabimin që ka hasur duke ju eliminuar qyteti i lindjes dhe lënë vetëm lagjja nr.4. Punonjësit e gjendjes civile i japin një formular për të plotësuar në mënyrë që të bëjnë rregullimin në sistem.
Pas disa ditësh qytetari merret në telefon nga gjendja civile dhe i komunikohet se i janë ndryshuar të dhënat, pra i është vënë më në fund edhe qyteti i lindjes. Por edhe pse ky nuk ishte një gabim i tij, ai sërish është i detyruar të paguaj për rinovimin e Kartës së Identitetit pas ndryshimit të të dhënëve personale. Ai me të drejtë pyet punonjësen e gjendjes civile se pse duhet të paguajë për një gabim të kësaj të fundit, punonjësja i përgjigjet se duhet ta paguajë vetë ose mos ta bëj fare.
Pra edhe pse kishte pritur më shumë se 6 muaj për të bërë ndryshimet në gjendjen civile, kjo e fundit edhe pse kishte hedhur gabim të dhënat personale në sistem nuk mban asnjë përgjegjësi. Qytetari edhe pse jo për faj të tij penalizohet duke pohuar sërish për rinovimin e Kartës së Identitetit kësaj radhe me të dhënat e rregullta, në rastin konkret me emrin e qytetit ku ka lindur.
Qytetari në gjendjen civile nr. 4
Qytetari: Më fal a mund t’ju pyes diçka? Për një kartë identiteti të lëshuar që në dhjetor, që ka një gabim ku mund të… ndonjë përgjegjës ose përgjegjëse që të bisedoj të flas? Sepse është eliminuar qyteti i lindjes dhe është lënë vetëm lagjja numër 4.
Punonjësi gjendjes civile: Duhet të plotësosh dokumentat.
Qytetari: Po pra dhe si duhet të veproj unë? Të plotësoj këtë? Më fal nuk më sqarove çfarë duhet të bëj me këtë?
Punonjësja gjendjes civile: Duhet të mbledhësh ato dokumentat që ke aty dhe t’i sjellësh.
Qytetari: Do t’i mbledh t’i sjell?
Punonjësja gjendjes civile: Ke qenë regjistruar diku tjetër?
Qytetari: Jo fare, vetëm këtu gjithë kohës.
Punonjësja gjendjes civile: Ne i mbledhim por duhet pak kohë, nëse i do më shpejt te Bashkia e Tiranës.
Qytetari: Nuk ka problem, vetëm të më zgjidhet, më kupton, të më bëhet vendlindja Tiranë. Jam shumë dakord nuk ka problem le të zgjasë. E di pse se gabimi juaj dhe po vuaj pasojat në dhjetor – qershor, 6 muaj. Ishalla nuk pres edhe 6 muaj do Zoti mos të shkoj kaq gjatë.
Qytetari pasi është njoftuar me telefonatë se i janë ndryshuar të dhënat, drejtohet sërish pranë gjendjes civile nr. 4.
Qytetari: Përshëndetje si jeni? Më keni marrë në telefon për këtë kartën e identitetit, që janë ndryshuar të dhënat, për një gabim që ishte bërë nga ana juaj u hoq vendlindja Tiranë dhe u vendos lagjja 4.
Punonjësja gjendjes civile:Në sistem e ke lindur në Tiranë.
Qytetari: Po në kartë lexoje pak si është.
Punonjësja gjendjes civile: Është lagjja 4.
Qytetari: Do hidhet Tiranë dhe do eliminohet lagjja 4? Këtë unë e kam bërë para 6 muajve duhet ta paguaj unë apo ….?
Punonjësja gjendjes civile: Ti do ta paguash sepse qe në momentin që ke aplikuar të është sqaruar si procedurë.
Qytetari: Jo fare, nuk më është sqaruar. Erdha edhe këtu u ankova, prit të mbaroj. Nuk të duket një gafë shumë e madhe ndoshta edhe në shkallë botërore, të heqësh Tiranë dhe të lësh lagjja numër 4?
Punonjësja gjendjes civile:Ke firmosur formularin.
Qytetari: Po pra, po ju nuk mbani përgjegjësi, nuk e quani gafë të heqësh tiranë dhe të vesh lagjja 4, nuk ndiheni fajtor fare? Nuk mbani përgjegjësi për të kërkuar ndjesë ose falje?
Punonjësja gjendjes civile:Normalisht tek puna ime në rregull jam. Tani ti e kishe lagjja 4 Tiranë dhe do të mbetej lagjja 4.
Qytetari: Po lagjja 4, ku përshembull? Në Kukës, në Sarandë?
Punonjësja gjendjes civile: Në Tiranë.
Qytetari: Për një gafë tuajën duhet të paguaj 1500 lekë të tjera unë përsëri? Të duket normale që unë të paguaj 1500 lekë përsëri?
Punonjësja gjendjes civile: Mos e bëj./Top Channel