Gazetari investigativ, Elton Qyno deklaroi se në bazë të informacioneve që posedon, SPAK do të ndërhyjë javën e ardhshme në Bashkinë e Tiranës, megjithëse nuk dihet se cilët janë personat që do të akuzohen.
Deklarata e Qynos, u bë ditën e sotme në një intervistë për RTV Ora. Gazetari u shpreh se gjatë verës do të ketë shumë arrestime, për të krijuar një klimë sikur ligji është prezent dhe goditet krimi dhe korrupsion
Ndër të tjera, Qyno tha seSPAK ka filluar të veprojë, por sipas tij, ka bërë prerjen e denoncimeve duke anashkaluar zyrtarë të caktuar.
Elton Qyno: ”Ka shumë zyrtarë të tillë që janë në koshin e SPAK-ut duke mos u nxjerrë në sipërfaqe. Kemi zyrtarë të bashkisë së Tiranës që së shpejti do të kemi një operacion nga SPAK-u në ambientet e bashkisë. Edhe pse këta zyrtarë janë kapur me korrupsion dhe veprime arbitrare, akoma nuk kemi parë një ndërhyrje të SPAK. Pritet një dhe po qarkullojnë informacione që javës që vjen do të ndërhyhet edhe në bashkinë e Tiranës. Topi është drejtuar në bashkinë e Tiranës, por nuk dihen njerëzit që do të akuzohen. Unë di që janë drejtorë dhe zyrtarë të urbanistikës në bashki. Do të kemi një verë të nxehtë nga SPAK-u arrestimesh, ku do të bëhen shumë koka kurban për të krijuar një klimë sikur ligji është prezent dhe goditet krimi dhe korrupsioni. SPAK-u ka filluar të veprojë, por ka bërë prerjen e denoncimeve duke anashkaluar zyrtarë të caktuar. SPAK-u po merret me çështja që kanë ndodhur shumë kohë më parë si vepra penale. Po merren këto çështje tani për të dhënë mesazh që i kanë të gjithë në kosh dhe do t’i nxjerrin kur të duan para publikut. Janë goditje selektive të SPAK-ut, sepse sigurisht që edhe ata kanë ndikime dhe ndërhyrje, për të goditur njërin apo për të lënë tjetrin jashtë vëmendjes së goditjes.