Nga Indrit Vokshi
Diçka për Lezhën
Objektivi i PD në qarkun Lezhë ka qenë 37.000 vota. Janë marrë 33.998
Fitorja e opozitës do ishte t’i hiqte Edi Ramës mandatin 3 në Lezhë. Ai të merrte 2. Jo të merrte opozita, mandat brenda opozitës duke ja marrë PD-ja, LSI-së.
Kurbini e Mirdita, kanë marrë rezultat të mirë dhe mund të analizohet për të kultivuar përvojë elektorale.
Analiza e pritshme, duhet të nxjerrë për bashkinë Lezhë:
1. A u mënjanuan nga fushata me tendencë, ose su begenisën, individë të cilët nëse do motivoheshin, do sillnin më shumë vota?
2. A pati kandidatë të cilët kur u caktuan, shkuan në Lezhë dhe u thanë disa njerëzve, më ndihmo me takimet se nuk njoh asnjëri dhe pse ndodhi kjo?
3. A pati kandidatë të cilët deklaruan se nuk kemi lidhje me PD, nuk jemi anëtarë të PD, por ju të tjerët duhet të votoni PD?
4. A u formuan klika gjatë fushatës? A përcaktua struktura e pushtetit ende pa fituar dhe, shumë faktorë në Lezhë u dekurajuan e u trembën, ngaqë menduan se postet do i marrin filani, filani e filani dhe ne do përjashtohemi e do shkelemi edhe po hipi PD në qeveri? Dhe kështu e ulën kapacitetin?
5. A ishte gabim caktimi i 4 kandidatëve nga një rreth i vetëm familjar e fisnor me rrjet votash të përbashkëta dhe, lënia e zonave si Zadrima e Shënkolli pa kandidat plotësues lokal prej vendit aty?
6. A u eleminua dhe mënjenua faktori opozitar i 8 viteve, në favor të disa njerëzve të cilët në 8 vite opozitë nuk kanë asnjë qëndrim, asnjë deklaratë, asnjë status të vetëm fb dhe jo vetëm kaq por, kanë bojkotuar edhe fushatat? Dhe a u bë kjo me qëllim për të promuvuar njerëz krejt të tjerë për pushtetin “e nesërm”?
Këto janë disa pyetje minimale. Ka të tjera pyetje. Nëse analiza nuk jep përgjigjje, do ua jap unë përgjigjjen këtu, publikisht, me emra, me fakte, me argumente.
Ndokush mund të thotë se e ka personale Indrit Vokshi se nuk ishte vetë në listë. Po të ishte fituar Lezha njëlloj si Kurbini, sdo kisha asgjë personale.
Por kam diçka personale në ketë kuptim dhe sdo jem aspak modest: jam rritur në Lezhë, kam qenë anëtar i kryesisë së PD në Lezhë në kohën kur shumë njerëz nga këta që fryhen, nuk na vinin as tek zyra e PD. Kam dalë me deklarata në Lezhë, në kohën kur asnjë nga ata që kapardisen nuk kishin guxim të shpreheshin në media, ngaqë kishin interesa diku tjetër. Në kohën kur siç më tha dikush, thonin po ai Vokshi çfarë ka që flet ashtu, a ska frikë? Dhe unë kam ndejtur aty pa u kandiduar asnjëherë për asgjë. Dhe skam qenë i paaftë politikisht (po e them meqë sjam modest sonte).
Unë e di që Lezha ka ajkë demokrate, ka demokratë shumë të vendosur, shumë të flaktë, aq sa ka arritur të dalë edhe 9000 vota plus në 2009 dhe të fitojë 8 nga 10 komuna. Demokratët e Lezhës janë spektakolarë nëse dikush arrin t’i bashkojë e t’i udhëheqë.
Unë vazhdoj të jem anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, që i bie, përfaqësues i lartë partiak i demokratëve. Dhe nuk mund të rri pa folur kur shikoj që dikush tallet me ndërmarrjen tonë të përbashkët politike, kur dikush kërkon të shfrytëzojë investimin e përbashkët të interesave ideologjike, politike dhe ekonomike të demokratëve të Shqipërisë. E kur flas për liderin e PD, të tjerët as i kam në llogari. Duhet të japin përgjigjje para partisë.
Nuk mund të kalojë lehtë ajo çfarë ka ndodhur. Ata që mendojnë se do ta kalojnë lehtë dhe pa faturë për nënvlerësimin dhe paaftësinë e tyre për fatet e demokratëve, ta harrojnë, sdo kalojë. PD-ja nuk është as taksi që e merr për të të çuar diku dhe pastaj i zbret, e as prostitutë ku shfryn epshet me pagesë.
Presim analizën.