Zbardhen detaje të reja në lidhje me ekzekutimin e ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Tepelenës, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri, 54-vjeçari Çajup Selimi.
Viktima kishte një biznes të tij të regjistruar në QKB, që tregtonte materiale ndërtimi. Mësohet se ai ishte përfshirë shumë herë në konflikte të njëpasnjëshme. Tre vite më parë, në vitin 2018, Selimi u dhunua me leva hekuri dhe sendë të forta nga konkurentët e tij.
Për këtë ngjarje u ndalua Risiano Abedini, i cili gjithashtu ka një biznes të njëjtë me të Selimit. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm, por deri më tani ende nuk është e qartë nëse në ngjarja e sotme, që ka tronditur Tepelenën ka lidhje me konkurencën në biznes.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:15, dhe Selimi humbi jetën në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.
“Rreth orës 21:15 në qytetin Tepelenës, në lagjen “15 Shtatori”, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Ç.S., rreth 45 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Gjirokastër si pasojë e plagëve të marra.”, informoi policia.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë në lidhje me rrethanat e krimit të rëndë.