Një laborator i pavarur i testimit ka zbuluar kimikatin benzen, një kancerogjen i njohur tek njeriu, në 78 produkte të kremrave që përdoren kundër diellit, dhe po i bën thirrje Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) që të urdhërojë tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu.
“Valisure”, është laboratori që kontrollon ilaçet dhe produktet e kujdesit shëndetësor për cilësinë. Kohët e fundit, ai testoi gati 300 lloje kremrash kundër rrezeve të dëmshme të diellit, dhe zbuloi se 27 për qind e tyre përmbanin benzen.
14 prej produkteve (5 për qind) përmbanin benzen në nivele më të larta se 2 pjesë për milionë (ppm), që është kufiri i rekomanduar i FDA-së për benzenin në ilaçet mjekësore.
“Prania e këtij kancerogjeni të njohur në produktet e rekomanduara gjerësisht për parandalimin e kancerit të lëkurës, dhe që përdoren rregullisht nga të rriturit dhe fëmijët është shumë shqetësues”, thotë Dejvid Lajt, themeluesi dhe drejtuesi i “Valisure”.
Benzeni është një lëng pa ngjyrë ose në ngjyrë të verdhë të lehtë, që formohet natyrshëm në natyrë. Por sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), ai prodhohet gjithashtu edhe nga aktivitetet njerëzore.
Për shembull, emetimet nga motorët e automjeteve dhe djegia e qymyrit dhe naftës mund të lëshojnë benzen në ajër. Po sipas CDC, ky kimikat përdoret gjithashtu në prodhimin e disa plastikave, gomave, ngjyrave, detergjenteve, ilaçeve dhe pesticideve.
Ekspozimi ndaj niveleve të larta të benzenit shkakton kancer tek njerëzit, sidomos kancerit të gjakut, përfshirë leuçeminë. Sipas shoqatës Amerikane të Kancerit, administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë në SHBA, e kufizon ekspozimin në vendin e punës ndaj benzenit në ajër në 1 ppm në një ditë mesatare, tek maksimumi 5 ppm për një periudhë 15 minutëshe.
Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit e kufizon benzenin në ujin e pijshëm në 0.005 ppm, ose 5 pjesë për miliardë (ppb), dhe e njëjta normë vlen edhe për ujin në shishe.
FDA-ja thotë se benzeni nuk duhet të përdoret në prodhimin e produkteve farmaceutike, përveç rrethanave të veçanta. Kjo e fundit në rast se përdorimi i tij është i pashmangshëm, dhe kur ilaçi në fjalë përbën një përparim të rëndësishëm terapeutik në kurimin e një sëmundjeje. Por edhe në këto raste, nivelet e benzenit duhet të kufizohen në 2 ppm “përveçse nëse justifikohet ndryshe”, thekson FDA.
Në fillim të pandemisë së Covid-19 kur kishte mungesa të dezinfektantëve të duarve, FDA lejoi përkohësisht përdorimin e dezinfektantëve të duarve që përmbanin deri në 2 ppm benzen. Por në marsin e këtij viti, kompania “Valisure” njoftoi se kishin zbuluar praninë e benzenit mbi këtë nivel në gati 20 e ca dezinfektantë duarsh.
Pas gjetjeve të benzenit në kremrat e diellit, kompania ika kërkuar FDA-së të hetojë 78 produktet dhe të marrë masat e duhura. Gati të gjithë 14 produktet e kremit kundër diellit me nivel benzeni mbi 2 ppm ishin në formë spraji. Por kimikati u shfaq gjithashtu tek locionet dhe xheli për lehtësimin e djegieve nga dielli.
Megjithëse FDA thotë se benzeni nuk duhet të përdoret në prodhimin e ilaçeve, agjencia nuk përcakton një kufi specifik për ilaçet si kremrat kundër diellit (FDA e lejon shitjen e kremrave të tillë pa recetë). Kufiri prej 2 ppm vlen vetëm për “rrethanat e veçanta” të përshkruara nga agjencia.
Prandaj “Valisure” po i bën thirrje FDA-së që të vendosë një kufi zyrtar për nivelet e benzenit në kremrat kundër diellit dhe produktet e tjera të ngjashme, dhe të vendosë një kufi për ekspozimin gjatë një dite.
Meqë benzeni nuk u zbulua në shumicën e kremrave kundër diellit të testuara nga“Valisure”, kompania thotë se përdorimi i benzenit në kremrat e diellit nuk është “i pashmangshëm”, dhe sipas saj nuk duhet të lejohet çdo lloj sasie e gjurmueshme e këtij kimikati.
“Është kritike që agjencitë rregullatore të adresojnë problemin e pranisë së madhe të benzenit në kremrat e diellit, në mënyrë që të gjithë individët të ndjehen të sigurt kur përdorin produkte kundër diellit”, thotë dr.Kristopher Bunik, profesor i asoociuar i dermatologjisë në Universitetin e Jeilit.
Ndërkohë në një reagim për Live Science, FDA theksoi se po shqyrton studimin në fjalë. “FDA merr seriozisht çdo shqetësim të ngritur në lidhje me sigurinë e produkteve që janë nën mbikëqyrjen tonë, përfshirë kremrat kundër diellit. Ndërsa agjencia po vlerëson peticionin e nënshkruar edhe nga shumë qytetarë, ne do të vazhdojmë të monitorojmë tregun e kremrave të diellit, për të ndihmuar në sigurimin se kremat kundër diellit të jenë të sigurt për konsumatorët amerikanë”, theksohet në deklaratë.
Gjetjet e studimit në fjalë, nuk do të thotë se njerëzit duhet të ndalojnë përdorimin e kremrave kundër diellit, të cilat mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit të lëkurës. “Shumë produkte të kremrave kundër diellit të testuar nga “Valisure” nuk kishin ndotje me benzen, dhe ato produkte janë me sa duket të sigurta dhe duhet të vazhdojnë të përdoren, së bashku me kapele të përshtatshme dhe veshje mbrojtëse nga dielli, për të reduktuar rrezikun e kancerit të lëkurës”, tha Bunik.
Burimi i lajmit: livescience. Përshtati Tirana Today