Një numër vakancash në bordet e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe të Televizionit Publik Shqiptar janë plotësuar apo pritet të plotësohen brenda mandatit të parlamentit aktual dhe me mbështetjen e deputetëve që përfaqësojnë opozitën vetëm formalisht, duke rrezikuar transformimin e këtyre institucioneve në degë të partisë në pushtet, paralajmërojnë ekspertët.
Bordet e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe të RTVSH-së duhet të jenë ligjërisht jopartiake dhe të pavarura politikisht ndërsa formulat ligjore të përzgjedhjes së tyre i kanë dhënë maxhorancave dhe opozitave parlamentare të drejta për të propozuar apo rrëzuar kandidatura si formula që garantojnë larmishmëri në përbërjen e bordeve. Edhe më herët, borde të tilla janë cilësuar jo të pavarura politikisht pasi pjesëmarrësit në to kanë qenë në shumicë mbështetës të njohur të partive të ndryshme politike. Megjithatë, formula e deritanishme, (e cila përdoret edhe për shumë institucione të tjera të pavarura në vend), ka bërë që bordet në fjalë të jenë miniparlamente të vogla, me përfaqësues të partive të ndryshme parlamentare. Kjo mund të ndryshojë dhe bordet të bëhen të njëanshme në rast se parlamenti aktual nxiton për t’i plotësuar vakancat para se të shpërndahet më 7 korrik.
Sipas Koloreto Cukallit, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, një praktikë e tillë përbën asgjë më shumë se sa një tentativë për kapje të shtetit nga socialistët si dhe rrezikon të krijojë institucione reputacion të munguar.
Sipas Koloreto Cukallit, kryetar i Këshillit të Etikës, nxitimi i parlamentit aktual për të plotësuar vakancat përbën një shkelje të frymës së ligjit dhe “një tentativë për të kapur shtetin pa pritur ribalancimin e legjislativit.”
Cukalli rikujton se një nga vëejtjet kryesore të Komisionit të Venecias gjatë shqyrtimit të projektligjit kontrovers për kontrollin e medias online, ishte pikërisht fakti që AMA nuk gëzon reputacion si një institucion me të vërtetë i pavarur ndërsa plotësimi i vakancave me parlamentin aktual ka gjasa do të bëjë të kundërtën e asaj që është kërkuar, pra forcimi i pavarësisë.
“Komisioni i Venecias bëri të qartë se borde të tilla duhet të jenë të pavarura politikisht dhe jo thjeshtë me përfaqësues të maxhorancës dhe minorancës,” vërejti Cukalli. “Në rast se parlamenti aktual i zgjedh të gjithë zëvendësuesit, ka gjasa që AMA do të bëhet një institucion edhe më pak i besueshëm se sa sot,” shtoi ai duke rikujtuar se edhe zgjedhja e katër anëtarëve të bordit të RTVSH-së u bë në shkurt të këtij viti u bë pa garë dhe përmes procedurave që nuk garantojnë jo vetëm pavarësi politike, por edhe përbërje maxhorancë-opozitë sipas formulës së zbatuar deri më sot.
Po kështu mendon edhe Elvin Luku, drejtues i Medialook, një organizatë studimore për median dhe komunikimin në Tiranë.
“Natyrisht që miratimi me votat e këtij parlamenti, pra mazhorancës dhe opozitës të shumë kontestuar parlamentare të anëtarëve të Këshillit Drejtues i Radio Televizionit Publik, si organi më i lartë vendimmarrës i RTSH-së, përbën në opinionin tim një shqetësim shumë të madh,” tha Luku.
“Është me rëndësi jetike për lirinë dhe pavarësinë e mediave që dhe anëtarët e AMA-s të votohen nga Kuvendi i ri,” shtoi ai, duke vërejtur se Televizioni Publik përbën sipërmarrjen mediatike më të madhe në vend sa i përket buxhetit vjetor prej 2 miliardë lekësh që paguhen nga taksapaguesit.
Opozitë në maxhorancë
Në 26 shkurt të këtij viti, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë, nën drejtimin e deputetes socialiste Mirela Kumbaro, shqyrtoi aplikimet për plotësimin e katër vakancave në bordin drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar, institucionit mediatik me buxhetin më të madh në vend, financuar si kortezi e taksapaguesve shqiptarë. Katër qytetarë kishin aplikuar për vakancën që ishte shpallur që në qershor të vitit 2020.
Bazuar në formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, deputeti Klajdi Qama përjashtoi dy nga katër kandidatët duke shfrytëzuar të drejtën e tij si përfaqësues i “pakicës parlamentare”.
Formula e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTSH, përcaktuar në paragrafin c të pikës 3 të nenit 95 të ligjit Për Mediat, i jep të drejtë opozitës parlamentare të përjashtojë në diskrecion dy nga katër kandidaturat e propozuara, si një mënyrë për të garantuar një zgjedhje me kompromis mes palëve të anëtarëve të bordit dhe që bordi të mos jetë krijesë e vullnetit politik të maxhorancës.
Problemi është se z. Qama, 33 vjeç, i cili hyri në kuvend nga listat e LSI-së në vitin 2019, dy muaj pas ushtrimit të këtij funksioni si përfaqësues i “opozitës parlamentare” garoi për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë në listat e Partisë Socialiste.
Në mars, në Kuvendin e Shqipërisë u miratuan katër anëtarë të rinj të bordit të TVSH-së. Së paku dy prej tyre kanë përkatësi të qartë politike, pasi kanë shërbyer si këshilltarë për mediat për ministra të Partisë Socialiste.
Qama ka gjasa do të vijojë të votojë si përfaqësues i “opozitës parlamentare” deri në 7 korrik, kur mandati i parlamentit të mëparshëm skadon ndërsa parlamenti i ri pritet të mblidhet në 9 shtator 2021.
Të hënën më 24 maj, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, shpalli hapje të thirrjeve për katër vakanca të krijuara nga bordin e AMA, përfshirë atë të Agron Gjekmarkajt, i cili dha dorëheqjen pasi u bë deputet i opozitës. Sipas njoftimit zyrtar, komisioni e bëri mbledhjen nën drejtimin e Ramazan Gjuzit, i cili ka hyrë në parlamentin aktual nga listat e LSI. Njoftimi bën të ditur se vendimi për shpalljen e vakancave “u mor në unanimitet”, pra që mes shumicës parlamentare socialiste dhe opozitës së re parlamentare nuk pati mosmarrëveshje.
Përveç Gjekmarkajt, tre vakancat e tjera janë krijuar tashmë që prej më shumë se një viti. Ato i përkasin anëtarëve Zylyftar Bregu, i cili u shkarkua nga maxhoranca socialiste në nëntor 2018, ndërsa dy vakancat e tjera, ajo e krijuar nga largimi i anëtarëve Piro Misha dhe Gledis Gjipali, janë krijuar në tetor të vitit 2019.
Sipas Lukut, do të ishte e arsyeshme që parlamenti aktual t’ia linte këtë punë parlamentit të ardhshëm sepse në këtë mënyrë, bordet e reja do të ishin më të besueshme.
“Personalisht, përtej afateve te përcaktuara do të preferoja, që të pritej konstituimi i Kuvendit të ri dhe me votat e opozitës së re, të dalë nga parlamentaret e fundit,” tha ai.
“Është pritur deri tani ndaj nuk ka nxitim të pritet dhe pak muaj,” shtoi Luku./BIRN/