Policia ka arrestuar dy inspektorë në Himarë, dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi kanë lejuar ndërtimet pa leje. Ata akuzohen se kanë “shpërdoruar detyrën”, duke dhënë leje për ndërtime.
Uniformat blu bënë ndalimin e shtetasve R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë. Po kështu edhe të shtetasit me inicialet E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Po të njëjtat burime shtojnë se janë shpallur në kërkim shtetasit M. N., 36 vjeç, banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.
Njoftimi i policisë:
Shpërdoruan detyrën duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve, vihen në pranga 2 shtetas, 2 të tjerë shpallen në kërkim. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një pune intensive hetimore disa javore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë? “Arrest në burg”, bëri ndalimin e shtetasve R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë; E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve M. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.