Gjigandi farmaceutik francez Sanofi raportoi të hënën e 17 majit, rezultate pozitive në provat e fazës së dytë të vaksinës anti-Covid që po prodhon aktualisht, duke rritur shpresat se Franca më në fund mund të zërë vendin e humbur në garën për të prodhuar një vaksinë.
Sanofi dhe partneri i tij britanik GSK thanë se vaksina e tyre arriti nivele të forta të përgjigjeve neutralizuese të antitrupave, në përputhje me ato të matura në njerëzit që janë rikuperuar nga COVID-19 në provat klinike të fazës së dytë, shkruan Euractiv.
Rezultatet shënojnë një ”përmbysje” për Sanofi pasi rezultatet zhgënjyese nga provat fillestare vitin e kaluar la Francën pa një vaksinë të prodhuar nga ky shtet.
Provat e fundit u kryen midis 722 vullnetarëve të rritur. Ato treguan se pas një doze të dytë, vaksina prodhoi një “përgjigje të fortë imune” midis të rriturve të të gjitha grupeve të moshës, që varion midis 95 dhe 100 përqind. Vullnetarët që morën pjesë në studim ishin midis moshës 18 dhe 95 vjeç.
“Të dhënat tona të Fazës 2 konfirmojnë potencialin e kësaj vaksine për të luajtur një rol në adresimin e kësaj krize të vazhdueshme globale të shëndetit publik,” tha nënkryetari ekzekutiv dhe kreu global i Sanofi Pasteur, Thomas Triomphe.
Faza e tretë e studimit do të zhvillohet midis 35,000 të rriturve në fund të majit ose në fillim të qershorit dhe do të testojë efikasitetin e vaksinës kundër llojit të parë të gjetur në Wuhan, Kinë në fund të vitit 2019 dhe variantit të zbuluar në Afrikën e Jugut.
Deri tani janë prodhuar disa vaksina anti-Covid, si Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Sinovac, Coronavac dhe Johnson & Johnson.