Deputetja e sapozgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar në emër të PD-së manovrën që, sipas saj, Partia Socialiste ka përdorur për të vjedhur votat në Tiranë dhe Durrës. Në një postim në rrjetet sociale, deputetja Tabaku shkruan se përveç kërcënimit, Rama-Doshi-Rakipi, kanë blerë me paratë e buxhetit të shtetit votat e qytetarëve. Ajo ka risjellë pwr publikun faktin se 120 milionë euro nga buxheti u paguan për 4 muaj për të gjithë qytetarët që iu ishte dëmtuar banesa nga tërmeti.
POSTIMI I PLOTË I TABAKUT
Mbi 120 mln euro janë përdorur nga buxheti shtetit për të blerë votën nga qytetarët në 4 muajt e parë te vitit, nëpërmjet pagesave për tërmetin. Përditë dalin në dritë prova, fakte dhe të dhëna se si kanë blerë vota edhe përmes buxhetit të shtetit. Rama-Doshi-Rakipi përpos presioneve me grupe të strukturuara kriminale kanë përdorur në kundërshtim me ligjin milionat e buxhetit për të blerë vullnetin e votuesve. Në 8 vjet abuzuan me taksat në kurriz të shqiptarëve, në 2 vite pas tërmetit nuk shpërndanë asnjë ndihmë për tërmetin duke i varfëruar qëllimisht për ti blerë më lehtësisht. Tirana, Vora, Shijaku, Durrësi dhe Kamza janë ato bashki ku ky krim elektoral është konsumuar më shumë. Me një rritje në 500% të pagesave gjatë fushatës elektorale.