Nga Pierre Haski “Internazionale”
Mali i Zi, një nga republikat e ish-federatës jugosllave, është një shtet i pavarur që prej vitit 2006. Në vitin 2014, qeveria nënshkroi një kontratë me Kinën për të ndërtuar një autostradë, duke marrë një hua nga Kina në vlerën 1 miliard dollarë.
Sot, shteti i vogël ballkanik me një popullsi prej vetëm 600.000 banorësh, nuk po mundet që ta shlyejë borxhin e madh, dhe po kërkon ndihmë nga Bashkimi Evropian. Është një rast tipik i të ashtuquajturit “kurthi i borxhit”, për të cilin Kina akuzohet shpesh në lidhje me “Rrugët e reja të Mëndafshit”, projekti i madh që përfshin ndërtimin e infrastrukturës në këmbim të pasjes së një borxhi të madh ndaj Pekinit.
Qeveria e re malazeze e mori detyrën vitin e kaluar, pasi mundi në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 partinë që e kishte mbajtur pushtetin për 30 vite me radhë. Ndaj, ajo që nuk është aspak përgjegjëse për huanë e marrë nga Kina.
Gjithsesi, fakti është që kësti i parë i pagesës do të duhet të paguhet maksimumi në muajin korrik. Ndërkohë, autostrada nuk është përfunduar ende dhe shteti malazez që gjendet nën një krizë të rëndë ekonomike, nuk është në gjendje që të paguajë.
Në këto kushte, ekziston rreziku që Kina të marrë për shumë kohë pronësinë e tokave apo pronave shtetërore. Në një intervistë të dhënë për “Financial Times”, ministri malazez i Financave, Milojko Spajiç, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian për të shlyer borxhin ndaj Kinës.
“Kjo do të ishte një fitore e lehtë për Evropën”- deklaroi Spajiç pa e fshehur synimin e tij për të luajtur me rivalitetet gjeopolitike, në mënyrë që t’i japë mundësi vendit të tij ta kapërcejë këtë moment shumë të vështirësi.
Larg vëmendjes ndërkombëtare, Ballkani dhe Evropa Qendrore janë shndërruar në arenën e betejave shumë të rëndësishme për ndikim gjeopolitik. Pranisë tradicionale ruse, i është bashkuar edhe ajo e Kinës, e cila e konsideron zonën si një portë për të depërtuar me thellë në kontinentin e vjetër.
Që nga viti 2012, Pekini ka krijuar një platformë dialogu të quajtur “17 + 1”, në të cilën “1” është Kina, ndërsa në mes të“17” gjejmë vendet anëtare të Bashkimit Evropian si Hungaria dhe Greqia, dhe vende të tjera që nuk janë ende pjesë e unionit, të vendosura kryesisht në Ballkanin Perëndimor.
Në Bruksel, ekspertët theksojnë vështirësinë administrative dhe politike të ri-pagimit të kredive të vendeve të treta
Me investimin e miliarda dollarëve, Pekini ka arritur të shtjerë në dorë një pjesë të mirë të infrastrukturës në rajon (siç është porti i Pireut në Greqi), duke përfituar nga kriza e borxhit, dhe duke e shtuar kreditimin në Ballkan për projekte që nuk do të kishin marrë fonde të mëtejshme.
Ky lloj ndikimi e ka trazuar gjithnjë e më shumë Evropën. Për momentin nuk ka mbërritur ende një përgjigje zyrtare e BE-së ndaj apelit për ndihmë të Malit të Zi. Por burime nga Brukseli nënvizojnë vështirësinë administrative dhe politike të ri-pagimit të huave për llogari të një vendi të tretë.
Rreziqet në këtë rast janë kryesisht të natyrës gjeopolitike, dhe në këtë aspekt duhet
të analizohet edhe kjo histori. Evropa e ka injoruar për një kohë të gjatë Ballkanin, një zonë
e paqëndrueshme nga të gjitha pikëpamjet. Evropianët janë zgjuar vetëm kohët e fundit për të miratuar një strategji që hap një “perspektivë evropiane” për këto shtete, me një proces të gjatë që mund të çojë në anëtarësimin e tyre në union.
Pikërisht në këtë kuadër, Mali i Zi i ka bërë thirrje BE-së për ta ndihmuar. Më 11 prill Fransua Heizburg, ish-presidenti i Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike në Londër, shkroi në Twitter se Brukseli duhet të ndihmojë Malin e Zi që të heqë qafe kreditorin kinez, duke kërkuar në këmbim një transparencë më të madhe në menaxhimin e projektit, dhe ndoshta një hetim të mundshëm mbi episodet e korrupsionit.
Kjo histori duhet të ndiqet nga afër, pasi do të zbulojë aftësinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me një luftë për ndikim që po zhvillohet pikërisht në “oborrin” e saj.
burimi:https://www.internazionale.it/opinione/pierre-haski/2021/04/12/cina-balcani-unione-europea
Përshtatur nga Tirana Today