Ndoshta populli francez nuk e ka dashur asnjëherë Mbretëreshën e Francës Maria Antoneta, edhe pse pozicioni i saj është rivlerësuar plotësisht përgjatë dekadave dhe shekujve. Por fakt është se fundi i saj ishte tragjik me prerje koke ne gijotinë më 16 tetor 1793, pas një gjyqi farsë, të shoqëruar nga brohorimat entuziaste të njerëzve që kishin mbushur Sheshin e Revolucionit, sot Sheshi i Konkordës.
Një nga ngjarjet që e bëri edhe më antipatike në sytë e popullit ndodhi rreth një dekadë më parë, midis viteve 1784-1785, dhe lidhej me një mashtrim të famshëm. Fjala është për skandalin e gjerdanit, që ishte një nga arsyet që shkaktoi Revolucionin Francez dhe fundin e Ancien Régime (Regjimit të Vjetër).
Gjerdani në fjalë ishte një xhevahir i mrekullueshëm i punuar nga argjendarët e njohur Sharl-August Bohmer dhe Pol Basenzhe, i përbërë nga rreth 160 pjesë, përfshirë diamante dhe margaritarë. Një objekt me një vlerë shumë të madhe.
Për kohën vlerësohej në mbi 1 milion e gjysmë livre. Ai ishte prodhuar me porosit të mbretit Luigji XV, që dëshironte t’ia dhuronte gjerdanin të dashurës së tij të preferuar, Konteshës Mari-Zhan dy Barri. Me vdekjen e mbretit më 10 maj 1774, kontesha u largua menjëherë nga oborri mbretëror, ndaj nuk mundi ta marrte dot gjerdanin që mbeti në punishten pariziane të Bohmer dhe Basenzhe.
Gjithsesi, ai iupropozua sovranëve të rinj, Maria Antoneta dhe Luigji XVI të kurorëzuar më 11 qershor 1775. Por oborri e konsideroi shumë të papërshtatshme një blerje aq të shtrenjtë në një periudhë vështirësish ekonomike.
Luigji XVI ishte i interesuar të rimerrte kontrollin e kolonive të humbura në Amerikën e Veriut. Por ai shkaktoi shumë pakënaqësi tek francezët për shkak të krizës së rëndë financiare, që çoi në rritje të reja të çmimeve dhe kushte gjithnjë e më të vështira të jetesës. Përveç kësaj, mbretëresha e re paragjykohej për shkak të origjinës së saj austriake.
Pra, nuk mund të kryhej një shpenzim i tillë i madh, në kushtet kur njerëzit po vdisnin nga uria. Por në vitin 1782, tek argjendarët Bohmer dhe Basenzhe mbërriti një lajm i papritur:
Mbretëresha Maria Antoineta ishte e interesuar për xhevahirin.
Fjala u përhap nga një njeri i afërt i monarkes, zonja Zhan dë la Mot. Pasi u takuan me këtë të fundit, argjendarët i premtuan asaj një përqindje të mirë nëse mund ta bindte mbretëreshën të blinte gjerdanin. Në fakt ndërmjetësi kryesor i shitjes ishte kardinali i Rohan Lui-Eduard de Gemene, ish mik i konteshës Mari-Zhan dy Barri.
Por artizanët e ngratë nuk e dinin se thashethemet që arritën deri në veshët e tyre ishin thjesht absurde, të stisura nga Mari-Zhan në bashkëpunim me burrin e saj Nikolas dë La Mot, pak fisnik dhe aventurier, dhe gjithmonë në kërkim të mashtrimeve për të siguruar jetesën.
Që të dy punësuan disa zonja të reja dhe shoqëruese që mund të ngjanin me Mbretëreshën
e Francës. Kështu, në gushtin e vitit 1784 kardinali i Rohan u takua në kopshtet e pallatit të Versajës me atë që ai besonte të ishte Mbretëresha Maria Antoineta.
Në realitet, ajo ishte një prostitutë e re e Palais-Royal, një kompleks parizian në të cilin, midis salloneve luksoze, parukerive dhe dyqaneve, ajo praktikonte profesionin më të vjetër në botë. Në këtë rast luajti rolin e sundimtares, dhe emri i saj ishte Nikol d’Oliva, e veshur me kujdes, e stiluar dhe edukuar nga çifti djallëzor dë la Mot.
Dorëzimi i gjerdanit, me ndërmjetësimin e besuar të kardinalit, u krye në janarin e vitit 1785. Me këtë rast, Zhan de la Mot mori përsipër t’i dorëzojë personalisht gjerdanin e mrekullueshëm mbretëreshës dhe të rregullojë pagesën me disa këste të përshtatshme.
Natyrisht premtimi nuk u mbajt. Gjerdani u çmontua dhe diamantet dhe perlat shumë të çmuara u çuan në Londër dhe iu shitën shpejt disa argjendarëve vendas. Mashtrimi kishte qenë i suksesshëm.
Kaluan disa muaj dhe ende nuk ishte paguar asnjë nga këstet për shitjen e gjerdanit. Ndaj Sharls-August Bohmer mori guximin dhe shkoi në Versajë për të takuar mbretëreshën dhe pyetur se kur do të paguante për xhevahirin e çmuar.
Mbretëresha e pa me habi, duke mos kuptuar se çfarë po luhej. Mashtrimi u zbulua. Kardinali naiv i Rohanit, u burgos menjëherë në Bastijë dhe u mor në pyetje publikisht. Por ai veprim rezultoi të ishte një gafë, pasi ky mashtrimi u botua shpejt në gazetat e gjithë vendit, duke zemëruar të gjithë popullin francez, nga Alsasa në Korsikë.
Maria Antoneta e kuptoi gabimin, por dëmi tashmë ishte bërë:Për popullin, ajo e kishte porositur blerjen e gjerdanit, për shkak të etjes së saj të shfrenuar për luks. Dhe siç do të argumentonte më vonë Jozef Gëbels, ministri famëkeq i propagandës së Rajhut të Tretë,
një gënjeshtër e përsëritur 100, 1000 apo 1 milionë herë shpejt do të bëhet një e vërtetë.
Në verën e vitit 1785, të gjithë njerëzit e përfshirë në atë mashtrim ishin burgosur në fortesën e famshme pariziane, përveç Nikola de La Mot, që qëndroi në Londër dhe u dënua në mungesë.
Përveç kardinalit u arrestuan Nikol d’Oliva, Maria Antoneta e rremë, Reto dë Vilet, bashkëpunëtori i saj, Xhuzepe Balsamo, kont i Kaliostros, një figurë kontroverse me origjinë italiane, që u fajësua direkt për mashtrimin nga Zhan dë la Mot. Dhe natyrisht edhe vetë kjo e fundit.
Gjyqi u ndoq me shumë interes nga fisnikëria dhe populli i thjeshtë. Në fund të gjyqit, Reto dë Vilet u shpall fajtor dhe u dëbua, Xhuzepe Balsamo u shpall i pafajshëm por u përjashtua nga Mbretëria. Nikol d’Oliva u lirua nga të gjitha akuzat.
Edhe kardinali i Rohanit u lirua, por u privua nga të gjitha funksionet e tij të mëparshme. Zhan de la Mot, ideatorja e mashtrimit të madh vuajti dënimin më të ashpër. Ajo u dënua me fshikullim dhe burgosje në burgun Salpetrier. Për më tepër, për t’i kujtuar përjetë gabimin që kishte bërë, ajo u markua në gjoks me hekur të nxehtë me gërmën V, për fjalën franceze “voleuse”(hajdute).
Pas disa vitesh, kur shpërtheu Revolucioni Francez, të cilin ajo e kishte ndihmuar për të nxitur me mashtrimin e saj, Zhan de la Mot u arratis duke u strehuar edhe ajo në Londër si bashkëshorti. Vdiq aty më23 gusht 1791, duke u rrëzuar nga një dritare në rrethana të paqarta.
burimi: https://www.vanillamagazine.it/lo-scandalo-della-collana-il-gioiello-che-fece-scoppiare-la-rivoluzione-francese-2/
përshtatur për Tirana Today