Suedia dhe Letonia u bënë sot vendet e fundit që pezullojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca ndërsa rregullatorët evropianë analizojnë të dhënat e sigurisë së saj. Ato u bashkohen Gjermanisë, Francës, Italisë dhe vendeve të tjera evropiane që kanë ndalur imunizimin kundër koronavirusit me vaksinën e kompanisë AstraZeneca, pas njoftimeve për efekte të mundshme anësore. Por siç raporton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Henry Ridgwell, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksina është e sigurt.
Suedia dhe Letonia iu bashkuan Francës, Gjermanisë dhe Italisë, përfshirë dhe disa vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, duke vendosur të ndalin imunizimin me vaksinën e AstraZeneca-s.
“Vendimi i sotëm është thjesht një masë për siguri”, thotë Jens Spahn, Ministër gjerman i Shëndetësisë.
Ky vendim vjen pas njoftimit që bënë të shtunën autoritetet norvegjeze se vetëm pak pas vaksinimit një person kishte vdekur si pasojë e hemorragjisë në tru dhe tre të tjerë ishin shtruar në spital për shkak të mpiksjes së gjakut.
“Aktualisht nuk mund të themi nëse rastet janë të lidhura me vaksinën, por për shkak të seriozitetit të tyre ne po kryejmë një hetim tërësor”, thotë Sigurd Hortemo, Kryemjek në Agjencinë norvegjeze të Barnave.
Vende të tjera jashtë Evropës kanë ndaluar gjithashtu vaksinimet me AstraZeneca-n, mes tyre Kongo dhe Indonezia.
Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ekziston ndonjë provë se vaksina e AstraZeneca-s shkakton mpiksje të gjakut. Ajo u bëri thirrje vendeve të vazhdojnë ta përdorin vaksinës.
“Nga 330 milionë doza vaksinash që janë shpërndarë, ne nuk jemi në dijeni për ndonjë rast vdekjeje si pasojë e vaksinës. Ka pasur vdekje pas vaksinimit, por njerëzit vdesin nga sëmundjet çdo ditë”, thotë doktor Soumya Swaminathan, Shefi i Kërkimeve Shkencëtare në OBSH.
Kompania AstraZeneca thotë se nga 17 milionë njerëz në Evropë që kanë marrë vaksinën, tek më pak se 40 është ndeshur mpiksje e gjakut.
Vaksina konsiderohet si një shtyllë kryesore e programeve të imunizimit masiv në shumë vende. Ajo ka kosto relativisht të ulët dhe nuk ka nevojë të ruhet në temperatura ultra të ftohta. Në Nigeri punonjësit e shëndetësisë filluan të premten të marrin vaksinën e AstraZeneca-s.
“Ne nuk besojmë se këto njoftime rreth vaksinës së AstraZeneca-s janë një arsye që ne të ngadalësojmë vaksinimin kundër COVID-19-s”, thotë Akin Abayomi, Komisioneri Shtetëror për Shëndetin në Lagos.
Shkencëtarët druhen se ndalja e procesit të imunizimit mund të godasë besimin global tek vaksina.
“Është e qartë se duhet të hetohet. Mendoj se shqetësimi më i madh është se ne e dimë që veçanërisht në një kohë kur sëmundja ndeshet ende rëndom dhe rastet po rriten në një numër vendesh evropiane, çdo vonesë me vaksinimet do të çonte në raste më të rënda dhe në më shumë vdekje”, thotë profesor Paul Hunter, Shkolla e Mjekësisë Norwich.
Sipas zotit Hunter hetimet rreth efekteve anësore të raportuara mund të kenë pasoja të padëshiruara.
“Sapo fillojmë të shqetësohemi për një rezultat specifik të padeshiruar, ka të ngjarë që më shumë njerëz do ta raportojnë atë rezultat. Dhe mundet që pothuajse të krijojmë një përshtypje të rreme të një epidemie“, thotë profesor Paul Hunter.
Vaksina e kompanisë AstraZeneca sapo ka marrë miratimin zyrtar nga autoritetet braziliane, një nga vendet e goditura rëndë nga pandemia. Kompania nuk ka aplikuar ende për marrjen e autorizimit për përdorim në raste emergjente nga Shtetet e Bashkuara. /Zëri i Amerikës/