Ka shumë mundësi që ju ka ndodhur edhe juve ose dikujt që njihni:të keni parë në ëndërr rënien e dhëmbëve. Jo, një makth i tmerrshëm, por padyshim jo i këndshëm. Ka gjasa që ju të keni pasur frikë që fëmijë nga “Zana e Dhëmbëve”, dhe truri juaj përpunon mendime të pakëndshme?
Apo keni nevojë të vizitoni dentistin tuaj? Lidhja midis ëndrrave që shohim dhe shëndetit, është studiuar në kërkimin e njohurive rreth shëndetit mendor, sëmundjeve të tjera, trurit dhe gjumit. Për shembull, studimet tregojnë se njerëzit që kanë shqetësime dhe makthe në gjumë që provokojnë aktivitete fizike si shkelmimet të shoqëruara me klithma,kanë më shumë predispozitë për t`u prekur nga sëmundja e Parkinsonit dhe çrregullimet neurodegjenerative të lidhura me të.
Njerëzit me ëndrra më pozitive, raportojnë një gjumë me cilësi më të mirë dhe dieta ushqimore të shëndetshme. Ndërkohë kujtimi i më pak ëndrrave gjatë gjithë natës mund të jetë një shenjë e apneas në gjumë. Por ankthet mund të lidhen gjithashtu me sëmundje të zemrës, një gjendje që mund të ulë sasinë e oksigjenit që arrin në trurin tuaj dhe që për pasojë e prish gjumin.
Gratë shtatzëna dhe ato pas lindjes, përjetojnë zakonisht ëndrra që u duken shumë reale. Dhe kjo ka të ngjarë për shkak të privimit nga gjumi, niveleve hormonale të ndryshuara dhe emocioneve që rrethojnë përvojën e nënës.
Megjithatë, pak nga këto studime ndihmojnë në përgjigjen e pyetjes nëse ëndrra juaj me rënien e dhëmbëve e justifikon apo jo një vizitë tek dentisti. Kur diskutohet nëse duhet t’i konsideroni ëndrrat si të dhëna për shëndetin tuaj, rregulli i përgjithshëm duket të jetë: Ndoshta ndonjëherë, por edhe nëse i kushtoni vëmendje, përdorni së pari arsyetimin e shëndoshë.
“Në përgjithësi, nëse shihni ëndrra të këqija dhe përjetoni makthe, dhe nëse kjo gjë po ju shqetëson, atëherë kjo është një gjendje për të cilën duhet të bëni diçka”- thotë Tore Nilsen, drejtor i Laboratorit të Ëndrrave dhe Maktheve në Universitetin e Montrealit në Kanada.
Ai thotë se ëndrrat dhe sidomos ato të këqija “mund t’ju tregojnë se diçka kërkon vëmendje”. Por koncepti se ëndrrat dhe përmbajtja e tyre mund të sinjalizojnë probleme specifike shëndetësore nuk pranohet gjerësisht.
“Të trajtuarit e ëndrrave si mjete të dobishme në këtë aspekt, është e diskutueshme”-thotë Deirdre Leig Barret, studiuese e ëndrrave në Shkollën Mjekësore të Harvardit. Por ajo dhe të tjerët tregojnë për disa vëzhgime intriguese që mund të sugjerojnë se ka më shumë për të zbuluar në lidhje me ëndrrat prodromale, ose ëndrrat që parashikojnë një gjendje para se ajo të zbulohet zyrtarisht nga mjekët.
Në librin e saj Barret përshkruan shembullin e 2 njerëzve, ëndrrat e të cilëve i lajmëruan se njollat në trupin e tyre ishin kancerogjene. Në një rast, personi pa në ëndërr një panterë që e kafshonte në shpinë, u zgjua dhe pa një shenjë pikërisht në kurriz, dhe më pas shkoi tek mjeku.
Në rastin tjetër, ëndërruesi, në këtë rast një femër, pa një seri ëndrrash ku njëri prej tyre kishte udhëzime shumë të theksuara për t’u vizituar tek mjeku. Ajo shkoi shpejt tek mjeku dhe gjithçka u vërtetua:vuante nga melanoma, kanceri i lëkurës, që ishte fatmirësisht në fazat e tij më të hershme.
Histori të tilla nuk janë të rralla, madje disa janë shumë më dramatike. Ato paraqesin mundësinë që ëndrrat mund të na kujtojnë qëtë kujdesemi për diçka që e kemi anashkaluar, apo madje mund të na paralajmërojnë para se të zbulohet problemi.
“Unë mendoj se ëndrrat mund të në thonë çdo gjë mbi trupin tonë ose mendjen tonë, përfshirë gjërat për të cilat nuk jemi aspak të vetëdijshëm”- thotë Barret. Studimi i saj zbulon një incidencë më të madhe të ëndrrave rreth sëmundjeve me avancim të ngadaltë, të tilla si tumori, të cilat mund të jenë të pranishme në trup shumë kohë para se të zbulohen.
Karlil Smith, profesor i psikologjisë në Universitetin Trent në Peterboroug, Kanada, është i njohur për studimin e tij mbi rolin e ëndrrave në kujtesën dhe të mësuarit e njeriut. Ëndrrat prodromale që ka analizuar Smith, kanë prirjen të jenë shumë realiste, shpesh shumë specifike dhe këmbëngulëse.
Ëndërruesi do të përjetojë episode të shumta, që me kalimin e kohës do shtohen në detaje të reja. “Disa ëndrra të këtij lloji, mbi të njëjtën temë, mund të bashkohen për të na dhënë informacione më të plota”- thotë ai, duke shtuar se emocionet negative në një ëndërr priren të jenë më të forta në një gjendje më të rëndë shëndetësore. Nilsen, Barret dhe Smith i inkurajojnë njerëzit që t’u kushtojnë vëmendje ëndrrave të tyre, sidomos ato që përsëriten, ose që janë dukshëm më realiste se të tjerat.
Burimi i lajmit: https://www.discovermagazine.com/mind/can-a-dream-warn-you-about-cancer
Përshtatur nga TIRANA TODAY