Policia e Bjellorusisë arrestoi dhjetëra persona në Minsk ditën e sotme, gjatë protestave anti-qeveritare, të cilat shpërthyen që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale në gusht.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit bjellorus dhe policia përdori granata për të shpërndarë turmën, raportuan disa media të Bjellorusisë. Sipas mediave, grupi i të drejtave Vesna-96 tha se 70 persona janë arrestuar deri më tani.
Opozita ka organizuar protesta të rregullta që nga gushti, duke akuzuar Presidentin Alexander Lukashenko për manipulimin e zgjedhjeve për të zgjatur kontrollin e tij 26-vjeçar në pushtet. Ai mohon mashtrimin elektoral dhe ka refuzuar të japë dorëheqjen, shkruan Reuters.
Tubimet në rrugë u ndezën përsëri pas vdekjes së një protestuesi 31-vjeçar anti-qeveritar Roman Bondarenko, i cili ndërroi jetë në spital në fillim të këtij muaji pas asaj që demonstruesit thanë se ishte rrahur rëndë nga forcat e sigurisë.
Ministria e brendshme e mohoi përgjegjësinë për vdekjen e Bondarenko, duke thënë se ai u vra në një përleshje me civilët.