Trajneri kuqezi, Edi Reja, nuk ishte i kënaqur me terrenin e fushës së stadiumit ʺAir Albaniaʺ. Pavarësisht se Shqipëria fitoi ndaj Kazakistanit me rezultatin 3-1, Reja i ka kërkuar dhe FSHF-së që në ndeshjen e nesërme ndaj Bjellorusisë të mos luhet tek impianti më modern në vend, por në ʺElbasan Arenaʺ.
FSHF ka kërkuar që sfida të spostohej në stadiumin e qytetit të Elbasanit, por ka qenë kombëtarja bjelloruse që e ka ndalur këtë iniciativë të Edi Rejas dhe FSHF-së.
Zyrtarisht sfida e nesërme në orën 16:00 ndaj Bjellorusisë do të luhet në kryeqytet në ʺAir Albaniaʺ Stadium, ku do të përballojnë terrenin e rënduar të fushës, por edhe presionin e fitores.
Bjellorusët nuk kanë pranuar të zhvendosen në Elbasan, me justifikimin paksa absurd, se kanë pronotuar hotelin në Tiranë dhe e kanë të pamundur ndryshimin e lokacionit të tyre.