“Balfin” dhe “Kastrati”, janë dy grupet me fitime më të larta në vend. Në vitin 2019, “Kastrati Group” raportoi fitimet më të larta nga aktiviteti në Shqipëri, me 3.1 miliardë lekë, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit. “Balfin” raportoi fitime 2.6 miliardë lekë brenda vendit, ndërsa përfshirë dhe aktivitetet jashtë, totali i fitimeve arriti në 6.4 miliardë lekë, sipas burimeve zyrtare nga grupi.
“Alb-Building”, në sektorin e ndërtimit së bashku me “Alb-Energy”, në prodhimin e energjisë u renditën në vend të tretë me 1.8 miliardë lekë fitime.
“Finman”, me aktivitet në fushën e ndërtimit (kompania kryesore është “Alb-Star” ishte i katërti për fitimet e realizuara në 2019-n, me 1.7 miliardë lekë.
Më pas, renditet grupi “Infosoft-Joti”, me aktivitet në shpërndarjen e produkteve dhe teknologji informacioni, me 1.3 miliardë lekë fitime para taksave. “Agna”, distributori më i madh në vend, realizoi fitime 1.2 miliardë lekësh. “Unioni Financiar Shqiptar”, me aktivitet në fushën financiare, raportoi fitime po 1.2 miliardë lekë.
EHW, grupi më i madh i industrisë përpunuese në vend, së bashku me rrjetin e supermarketeve “Conad” dhe “Conad Food Trade”, ku EHW ka shumicën, raporti fitime prej 1 miliardë lekësh.
Me rritjen e të ardhurave dhe fitimeve, diversifikimi brenda vendit duket se nuk mjafton. Shqipëria po bëhet edhe më e vogël për të mëdhenjtë dhe grupet kanë deklaruar se po shohin me përparësi zgjerimin në rajon.
Në renditje në 2019-n ka hyrë dhe “Grupi Bolv”, me aktivitet në tregtimin e karburanteve dhe në punimet inxhinierike për shpime për kompanitë e naftës dhe gazit raportoi fitime prej 1 miliardë lekësh, me rritje të ndjeshme prej 60% në krahasim me 2019-n.
“Kastrati”
Kastrati është grupi më i madh sa i përket xhiros, ndërsa ka kaluar në 2019-n i pari edhe për fitimet, nga aktiviteti në vend. Kompanitë kryesore të grupit “KASTRATI group” (tregtim me shumicë i naftës), “KASTRATI” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe Autostar Albania (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total, një fitim prej 3.1 miliardë lekësh, me rritje prej 12% me bazë vjetore.
Përmirësimi i fitimeve u ndikua nga nafta, e cila rriti përfitueshmërinë në 2019-n, si rrjedhojë e tendencës ulëse të çmimeve të tregtimit, me ritme më të ngadalta se në tregjet globale. Albanian Highway Concession (ku Kastrati ka 50%), që gjeneroi fitime të larta një vit më parë, në 2019-n raportoi rezultat minimal, pasi kompania hyri në ciklin e investimeve.
Kompania është optimiste edhe për ecurinë në 2020, pavarësisht krizës së shkaktuar nga COVID-19. Drejtuesit vlerësojnë se madhësia dhe diversifikimi do t’i ndihmojnë ata në këtë fazë. “Ne në Kastrati Group jemi përpjekur që situatën e krijuar ta kthejmë në avantazhe dhe të përshpejtojmë proceset e brendshme që lidhen me përmirësimin tonë.
Gjatë kësaj periudhe, kemi përshpejtuar të gjitha projektet e planifikuara në kohë për ‘rinovimin’ e vetvetes, sigurisht duke interpretuar ndryshimet e kushteve me maturi dhe në kohën e duhur. Por, ne vazhdojmë të punojmë me kapacitete të plota në të gjitha projektet e tjera dhe nuk kemi asnjë shtyrje apo ngadalësim të investimeve apo projekteve”, pohon zëvendëspresidenti i Kastrati Group, z. Leonard Kastrati.
Grupi, vitet e fundit, është diversifikuar në ndërtim, me projektin më të madh “Downtown One”, një projekt shumëfunksional, me apartamente rezidenciale luksoze, zyra dhe ambiente lokale. Në turizëm, pas blerjes së aksioneve të ish-Sheraton është nënshkruar marrëveshja me “Hyatt Hotels Corporaton”. Z.Kastrati thotë se humbjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe në sektorin e hotelerisë dhe turizmit do të kompensohen në të ardhmen e afërt.
“Balfin”
“Grupi BALFIN” ka fitimet më të mëdha, në një total prej rreth 6.4 miliardë lekësh, mbi gjysma e të cilave vjen nga aktivitetet jashtë Shqipërisë, sipas burimeve zyrtare.
Në total, në vitin 2019, fitimi para taksave i 11 kompanive më të mëdha të grupit, vetëm ato që operojnë në Shqipëri, ishte rreth 2.6 miliardë lekë, me një rënie prej 31% me bazë vjetore. Arsyeja kryesore e rënies së fitimeve lidhet me performancën negative të Albchrome, që deri një vit më parë (në 2018) gjeneronte fitimet më të larta për grupin. Prodhuesi dhe përpunuesi i kromit ka kaluar një vit të vështirë, për shkak të performancës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në rënie ishin edhe fitimet e sipërmarrjes së ndërtimit Mane TCI, e cila varet nga cikli i zhvillimit të projekteve.
Në kahun pozitiv ndikoi Tirana Bank, e cila nga humbjet e 2018-s, periudhë kur pronësia kaloi nga grekët e Bankës së Pireut tek Grupi BALFIN, ka rezultuar me fitime 633 milionë lekë në 2019-n.
Për nga norma e përfitueshmërisë kryesojnë qendrat tregtare, “TEG” dhe “QTU”, dy modele biznesi që sollën një riformatim të tregtisë me pakicë në vend dhe ndonëse u kopjuan nga shumë të tjerë, sërish nuk kanë arritur t’i konkurrojnë. QTU iu rikthye fitimeve në 2019-n, pas investimit që dyfishoi sipërfaqen e tij. “Kid Zone” (Jumbo) është një nga sipërmarrjet e tjera fitimprurëse të grupit.
“Green Coast”, një investim në fushën e turizmit, ku grupi ka përqendruar vëmendjen së fundmi, ka filluar të gjenerojë fitime në 2019-n.
Duke përfshirë shoqëritë që operojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, fitimet e konsoliduara të Grupit BALFIN kapin shifrën e 6.4 miliardë lekëve, sipas burimeve zyrtare. Rreth 50% e aktivitetit të Grupit BALFIN zhvillohet jashtë Shqipërisë.
“Viti 2019 mund të përfshihet te vitet e suksesshme për ecurinë në tërësi të shoqërive të Grupit BALFIN. Pothuajse të gjithë sektorët ku ne jemi të pranishëm kanë shënuar rritje gjatë 2019, duke iu referuar ecurisë në të gjitha vendet ku jemi të pranishëm. Këtu do të doja të ndalesha tek industria minerare, e cila edhe gjatë 2019-s nuk ka kaluar një moment të mirë, për shkak të rënies së çmimeve në tregjet globale”, pohoi Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Grupit BALFIN.
Ajo shton se në vitin 2020, për sa i përket Grupit BALFIN, mund të themi që dy sektorët e ndikuar më shumë nga pandemia janë shitjet me pakicë dhe industria e rëndë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve.
“Nga të dhënat tona, që gjithsesi nuk mund të përfaqësojnë gjithë tregun, rënia në total e shitjeve me pakicë është mesatarisht rreth 12% në krahasim me 2019. Këtu përfshijmë harkun kohor nga janari në gusht 2020, duke marrë së bashku shoqëritë e Grupit BALFIN jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, thotë znj. Muka.
“AGNA”
Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa sh.a.” (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2019 fitime 1.2 miliardë lekë, me një rënie prej 7% me bazë vjetore.
Dy kompanitë raportuan një xhiro prej rreth 26.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 3.2% në raport me vitin e mëparshëm.
Alma Bici, drejtoreshë marketingu e grupit Agna, pohon se ecuria e Agna Group ka qenë e mirë gjatë vitit 2019. Por, 2020-a ka qenë shumë i vështirë, por në sajë të diversifikimit të portofolit, kemi mundur t’ju përgjigjemi nevojave të klientëve dhe konsumatorëve. “Kemi rishikuar strategjitë tona, duke investuar më pak në aktivitetet marketing dhe duke u fokusuar në aktivitete dhe promocione në pikën e shitjes, për të qenë sa më pranë konsumatorëve tanë”, pohon ajo.
“Union Financiar Grup”
“Union Financiar Grup” është një nga grupet financiare me kapital shqiptar, me fitime më të larta.
Për katër kompanitë kryesore të grupit, banka “Union Bank”, operatori i shërbimeve financiare dhe transfertave “Union Financiar Tiranë”, sipërmarrja e qirasë financiare “LandesLease” dhe “Paylink” (në përpunimin e pagesave, që është në fazë të ngritjes së biznesit të saj e rezulton ende me humbje) fitimet arritën në vitin 2019 në 1.2 miliardë lekë, me një rritje prej 13% me bazë vjetore, si rrjedhojë e performancës së mirë të të tre sipërmarrjeve kryesore të grupit. “Unioni Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit, është edhe kompania më fitimprurëse, me një normë prej rreth 50%.
“2019-a ishte një vit i mirë në përgjithësi për grupin e Unionit Financiar dhe arritja e rezultatit të këtij viti është një bazë për të vijuar rritjen e mëtejshme të kompanive të Grupit”, thotë z.Edmond Leka, Kryetari i Bordit Drejtues të “Union Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit të Union Financiar, që përfshin “Union Bank”, “Unioni Financiar” dhe “LandesLease”.
“Ne kemi arritur jo vetëm të rritemi me ritme më të larta se tregu bankar në Union Bank, por kemi arritur edhe një stabilitet në performancë si në aspektin e kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet. Gjatë vitit 2019, arritëm të përfshijmë në Bankë edhe biznesin e ICB (ish-bankës Malajziane) që e blemë në fund të vitit 2018 dhe kjo u bë pa cenuar këto parametra të performancës që përmenda më parë.
Po ashtu në kompanitë e grupit, që ofrojnë shërbime pagesash kemi vijuar rritjen e mëtejshme të biznesit dhe rritjen e eficiencës operative të brendshme në to dhe do të vijojmë të jemi inovativë në një fushe që tashmë e ka të domosdoshme që të kesh inovacionin në bazë të modelit të biznesit që po ofron tek klientët në treg”.
Leka shton se viti 2020 me fenomenin e Covid-19 sigurisht që përbën një sfidë për të gjithë aktorët në treg e kjo përfshin edhe kompanitë e grupit. Është e pritshme që kriza e Covid-19 të ketë një ndikim në sektorin Bankar dhe kjo varet shumë nga kohëzgjatja e krizës. “Deri tani këto efekte kanë qenë relativisht të ulëta por shpresoj, që thellimi i krizës në vendet fqinjë apo në BE të mos replikohet edhe në Shqipëri, pasi sigurisht që do të ketë një ndikim më të madh në këtë skenar”.
Ai pohon se shërbimet e pagesave që ofrojnë krahas atyre bankare janë pak më resiliente në lidhje me krizën, pasi njerëzit sidoqoftë do të duhet të bëjnë pagesa për shërbimet që marrin. “Është e vërtetë që një pjesë e atyre që kanë preferuar pagesat cash kalojnë në pagesa online apo me karta, por në këtë aspekt ne kemi investuar në mënyrë që të kemi infrastrukturën e duhur për të lejuar aksesin e klientëve në shërbimet tona në disa mënyra dhe kjo e mban klientin të shërbyer pavarësisht nga mënyra se si e akseson këtë shërbim”.
EHW
EHW është grupi më i madh i industrisë përpunuese në vend, me aktivitet në përpunimin e mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafështama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”. Në total, grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese, raportoi një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh, me rritje 4.2% në raport me vitin 2018. Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW, me fitime prej 536 milionë lekësh.
Së bashku me rrjetin e supermarketeve “Conad” dhe “Conad Food Trade” (ku EHW ka shumicën e aksioneve) fitimet e grupit arrijnë në rreth 1 miliard lekë, me rritje 17% me bazë vjetore.
Z.Luan Leka, president i EHW i konsideron pozitive rezultatet e vitit 2019 për grupin EHW. “Kompania EHW ka vazhduar politikën e investimeve në mënyrë të pandërprerë me qëllim përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, realizimin e produkteve të reja dhe optimizimin e menaxhimit të proceseve. Kompania Qafshtama, pjesë e grupit, përfundoi ndërtimin dhe vënien në punë të stabilimentit të ri në Qafshtamë, ku prodhohet formati 19 litra, që përdoret kryesisht për konsum në zyra. Është programuar ndërkohë investimi për prodhimin e pijeve freskuese”.
Grupi Bolv
Grupi Bolv, një nga më të mëdhenjtë në sektorin e tregtimit të naftës ka hyrë në 2019-n në listën e grupeve me fitime të mëdha, si rrjedhojë e diversifikimit në fushën e punimeve inxhinierike për kompanitë e naftës dhe gazit. Albrilling, e krijuar në vitin 2014 ka raportuar një rritje të ndjeshme si të të ardhurave (në 2.4 miliardë lekë) ashtu dhe fitimeve në 2019-n, që u dyfishuan në 733 milionë lekë. Së bashku me tregtimin e naftës (Bolv Oil dhe Olsi), fitimet e grupit arritën në rreth 1 miliardë lekë në 2019-n, me rritje gati 60% me bazë vjetore. Së fundmi grupi po diversifikohet dhe në turizëm dhe po investon për ndërtimin e një hoteli në hyrje të Tiranës, në partneritet me markën ACCOR./Monitor/