Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar ekzekutimin e “Grupit të Deputetëve” dhe bashkëpunëtorëve të tyre në 10 tetorin e vitit 1947, e cila sipas tij instaloi zyrtarisht “institucionin” e eleminimit fizik, spastrimit e terrorit ndaj mendimit ndryshe.
Meta thotë se 30 vjet pas rrëzimit të regjimit diktatorial dhe 73 vjet pas kësaj ngjarjeje, shqiptarët kanë, si atëherë, një Parlament monist, të vendosur në funksion të pushtetit, që miraton ligje e ndryshon Kushtetutën vetëm për të ndaluar opozitën politike.
Kreu i shtetit shprehet se vendi drejtohet nga një regjim autokratik që tenton të marrë formën e një junte.
Postimi i Presidentit Meta në Facebook
Ekzekutimi i “Grupit të Deputetëve” dhe bashkëpunëtorëve të tyre në 10 tetorin e vitit 1947, ka hyrë në historinë e Shqipërisë, si një prej akteve më të rënda të asgjesimit masiv të opozitës politike, që instaloi zyrtarisht “institucionin” e eleminimit fizik, spastrimit e terrorit ndaj mendimit ndryshe.
Vrasja mizore nëpërmjet një gjyqi të montuar të figurave të shquara së kohës, intelektualë të spikatur e me reputacion në popull, antifashistë dhe politikanë pro perëndimorë, do të hapte siparin e një krimi shtetëror të përditshëm në 4 dekadat në vijim.
30 vjet pas rrëzimit të regjimit diktatorial dhe 73 vjet pas kësaj ngjarjeje, shqiptarët kanë, si atëherë, një Parlament monist, të vendosur në funksion të pushtetit, që miraton ligje e ndryshon Kushtetutën vetëm për të ndaluar opozitën politike, ndëshkuar mendimin ndryshe dhe median kritike, dhe që ngre kartonat jeshilë vetëm për ligje në funksion të një kaste oligarkësh që po vjedh çdo ditë pasuritë e shqiptarëve.
Fatkeqësisht, vendi drejtohet nga një regjim autokratik që tenton të marrë formën e një junte, ku Kryeministri në detyrë mburret me krenari nga foltorja e Kuvendit një-partiak për vendimin e babait të tij për varjen e poetit Havzi Nela, kur në të gjithë Europën Lindore po frynte era e ndryshimeve demokratike.
Duke nderuar kujtimin e “Grupit të Deputetëve” që sakrifikuan jetën e tyre për Lirinë dhe Demokracinë, është detyra e të gjithëve ne të mbrojmë sot këto vlera që rrezikohen sërish nga një Sekt pa vlera, pa nder e pa Atdhe, si Rilindja, e përfaqësuar nga bijtë e etërve gjakatarë, që mburren me firmat e dënimeve me varje, duke firmosur sot akte për shtypjen e opozitës, asgjësimin e fjalës së lirë e llogaridhënies, sundimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
1.Shefqet Beja (me varje)
- Enver Sazani (me vdekje)
- Sheh Karbunara (me vdekje)
- Selaudin Toto (me vdekje)
- Irfan Majuni (me vdekje)
- Tefik Deliallisi (me vdekje)
- Hysen Shehu (me vdekje)
- Salim Kokalari (me vdekje)
- Sulo Konjari (15 vjet burg)
- Ramazan Tabaku (me vdekje)
- Gjovalin Vlashi (burg përjetë)
- Rustem Sharra (burg përjetë)
- Xhevat Xhafa (burg përjetë)
- Rram Marku (burg përjetë)
- Beqir Çela (me vdekje)
- Riza Alizoti (me varje)
- Sulo Klosi (me varje)
- Paolo Saggioti (me vdekje)
- Foto Bala (burg përjetë)
- Abdyl Kokoshi (me vdekje)
- Shefki Minarolli (burg përjetë)
- Pertef Karagjozi (me vdekje)
- Mehmet Prishtina (me vdekje)
- Agathokli Xhitoni (me vdekje)
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3434991226547126