Në Kosovë ende nuk ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal. Ndonëse në muajin shtator është thënë se janë siguruar 160 mijë e 500 doza të vaksinës kundër gripit, që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), ato do të arrijnë në Kosovë në muajin nëntor.
Sami Uka, kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë se janë bërë gjitha përgatitjet për t’i vaksinuar qytetarët, por që vaksinat, siç thotë ai, janë vonuar.
Ai thotë se meqë është periudha e pandemisë me COVID-19, shtyrja e vaksinimit kundër gripit sezonal për grupe të caktuara, është e dëmshme.
“Fatkeqësisht jemi në periudhë të pandemisë dhe kjo shtyrje mund të ketë efekte negative, sidomos te të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe shtatzënat. Problem më i madh do të jetë ngatërrimi i simptomave të gripit sezonal dhe COVID-19, e që rrjedhimisht edhe diagnostikimi se cila është cila, por edhe në aspektin e trajtimit”, tha Uka.
Ndryshe, dallimi mes viruseve sezonale dhe koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen e COVID-19, është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka. Ndërkaq, sa i përket simptomave kanë ngjashmëri, si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, thonë se tashmë doza të mjaftueshme vaksinash janë prokuruar dhe pritet që në muajin nëntor të jenë të gatshme, në mënyrë që qytetarët të mund të vaksinohen.
Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri, bëri të ditur se këtë vit është menduar që rreth 500 mijë njerëz të vaksinohen.
Mbi 160 mijë doza të vaksinave kundër gripit sezonal tashmë janë siguruar përmes UNICEF-it, derisa pjesa tjetër do të blihen sapo të shpallet fituesi i tenderit, që kjo ministri ka shpallur tashmë.
Megjithëkëtë, Hoti thotë se muaji tetor do të ishte më optimal sa i përket vaksinimit kundër gripit sezonal, por që kjo nuk varet nga Ministria e Shëndetësisë, meqë vaksinat që janë siguruar, e që do të vijnë në Kosovë, janë në prodhim e sipër.
“Kah fundi i muajit tetor do të arrijnë në Kosovë, derisa në muajin nëntor do të fillojë vaksinimi. Janë edhe 250 mijë vaksina të tjera në procedura të tenderimit që do t’i blejë Ministria e Shëndetësisë. Sivjet, meqë është e pranishme edhe sëmundja COVID-19, duhet të ketë më shumë investim në vaksinën e gripit sezonal, në mënyrë që të mos ketë bashkëdyzim në mes viruseve dhe të mos përkeqësohet situata”, tha Hoti.
Ndërkaq, infektologët në Kosovë thonë se është e nevojshme që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kështu shprehet infektologu Sali Ahmeti, sipas të cilit, infektimi me gripin sezonal, e ulë imunitetin e popullatës, andaj janë më të rrezikuar që të sëmuren me COVID-19.
“Vaksina kundër gripit sezonal është mirë të jepet tash, meqë jemi në kohën e pandemisë dhe gripi sezonal do të sjellë vështirësi në menaxhimin e rasteve me COVID-19. Kjo meqë mund të dalin ngatërresa diagnostike, pasi janë të përafërta simptomat dhe jo gjithmonë dhe në të gjitha rastet është e mundur që të bëhet diferencimi mes COVID-19 dhe gripit sezonal, andaj edhe kërkon të ketë, sigurisht, konfirmim laboratorik. Në anën tjetër, sa më i madh të jetë numri i të infektuarve me gripin sezonal, e ulë imunitetin dhe hap mundësi të reja për infeksion me koronavirus, andaj mendoj se vaksinimi për moshat e shtyra sidomos, do të ishte mëse i nevojshëm”, tha Ahmeti.
Ndryshe, vitin e kaluar kanë qenë 100 mijë vaksina në dispozicion për qytetarët. Këtë vit është menduar të shumëfishohet numri i vaksinimit, për shkak të pandemisë me COVID-19.
Kategoritë që duhet të vaksinohen në periudhën e gripave, janë të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna si dhe personat me sëmundje kronike.
Vaksina kundër gripit sezonali mbron njerëzit për një sezon dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim.
Edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, pati thënë se meqë gradualisht po i afrohemi sezonit të vjeshtës dhe dimrit, e që do të ketë në qarkullim edhe viruse të tjera të gripit, një hap i rëndësishëm është që Kosova të vaksinojë një numër sa më të madh të personave kundër gripit sezonal.
Në Kosovë, vitin e kaluar, shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal kishte filluar në muajin dhjetor.REL