Nga Michael Hirsh “Foreign Policy”
Mbledhja vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të jetë veçanërisht e çuditshme këtë vit, me fjalimet online të udhëheqësve nga e gjithë bota, në kuadër të 75 vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Por e vërteta është se shumë kombe ishin duke u distancuar nga OKB, shumë kohë përpara se të shfaqej koronavirusi. Më e dukshme ka qenë armiqësia e administratës Trump. Tema kryesore e këtij viti e asamblesë është “përballja me Covid-19, përmes një veprimi efektiv shumëpalësh”.
E megjithatë, kjo është pikërisht ajo që bota nuk ka bërë kundër pandemisë më të keqe ndër dekada. Në vend të kësaj, çdo vend ka vepruar vetëm për vete, pavarësisht nga nisma COVAX, e bashkë-koordinuar së fundmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që synon të shpejtojë zhvillimin e vaksinave për vendet më në nevojë.
Përveç OKB, që supozohet të jetë reaguesi i vijës së parë, OBSH, e gjen veten nën sulm nga të gjitha anët, dhe sidomos nga anëtarja më e fuqishme, Shtetet e Bashkuara. Armiqësia e Uashingtonit ndaj krijesës së saj të pas Luftës së Dytë Botërore, ka një histori të gjatë, e cila shtrihet në administratat demokratike dhe ato republikane.
Por Donald Trump ka shkuar më larg se çdo president tjetër në margjinalizimin e Kombeve të Bashkuara. Duke pretenduar se OBSH-ja ka rënë nën ndikimin e Kinës, SHBA po paguan shumën më të madhe për agjencinë kryesore shëndetësore të botës, edhe pse numri global i të vdekurve nga Covid-19 po arrin në 1 milionë (dhe vdekjet mbi 200.000).
Ndërkohë Trump u tërhoq nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe marrëveshjet për emigracionin. Shtetet e Bashkuara u kundërshtuan kohët e fundit nga Këshilli i Sigurimit dhe udhëheqja e OKB në tentativën për të rivendosur sanksionet mbi Iranin për shkak të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të cilën Trump e ka refuzuar.
75 vjet më vonë, Kombet e Bashkuara janë shndërruar në një institucion shumë të ndryshëm nga sa supozohej të ishin kur u themeluan më 24 tetor 1945. Për pjesën më të madhe të historisë së saj, Asambleja e Përgjithshme ka qenë pak më shumë sesa një “banak për biseda”.
Këshilli i Sigurimit – i projektuar nga Uashingtoni për të qenë një organ vendimzbatues i dominuar nga fuqia e madhe e paqes në botë – është i paralizuar për shkak të thellimit të armiqësisë midis SHBA, Kinës dhe Rusisë, ku secila vendos veton pas rezolutës së rivalit.
Dhe ndërsa Trump po distancohet nga OKB, Pekini ka lëvizur me shpejtësi duke i dhënë goditje të mëdha Uashingtonit në përpjekje për të marrë një rol udhëheqës në këtë organizatë.
Shumica e ekspertëve dhe diplomatëve besojnë se Trump po tregohet budalla me distancimin nga Kombet e Bashkuara, duke e lënë atë të hapur ndaj ndikimit kinez, Pasi pavarësisht të metave të saj, OKB i shërben në mënyrë jetike interesave amerikane. Në fakt, kur analizohet historia e saj e gjatë, rezulton se Kombet e Bashkuara kryesisht e kanë arritur qëllimin e tyre më të madh: parandalimin e një lufte të tretë botërore, thotë Stefan Shlezinger, autori i një libri në vitin 2004 rreth themelimit të OKB, “Akti i krijimit”.
“OKB ka luajtur një rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e krizave më të mëdha dhe më të rrezikshme që kemi pasur në 75 vitet e fundit, me në krye Krizën Kubane të Raketave”- thotë ai. Dhe kjo është e vërtetë. Ambasadori i atëhershëm amerikan në OKB, Adlai Stivenson luajti një rol jetik në shmangien e luftës bërthamore midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, kur ai u përball me ambasadorin sovjetik në Këshillin e Sigurimit, duke i thënë: “Ju jeni tani para gjykatës së opinionit botëror!”.
Shlezinger numëron rreth 30 raste në librin e tij, kur Kombet e Bashkuara luajtën një rol paqe-bërës në parandalimin e një konflikti rajonal ose lokal, që mund të kishte kërcënuar shpërthimin e një lufte në shkallë të gjerë, madje disa nga këto konflikte mund të tërhiqnin në valle edhe Uashingtonin.
Këtu përfshihet krizat në Kamboxhia, Mozambik, Guatemalë, Angola, Serbi, Afrikën e Jugut, Namibi dhe Kroaci. Megjithatë, pak nga këto ngjarje pushtuan titujt kryesorë të mediave. “Problemi është se dështimet e OKB-së kanë prirjen të jenë dramatike, ndërsa sukseset cilësohen si diçka normale”, thotë Riçard Gouan i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, duke iu referuar dështimit të OKB në parandalimin e gjenocidit në Ruandë dhe masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjës.
Por Kombet e Bashkuara kanë rezultuar kritike në vendet e trazuara në mbarë botën, nga Afganistani në Siri në Irak. Dhe vazhdon të kryejë funksione thelbësore stabilizuese, por dhe duke qenë si një autoritet legjitimues në çështje si mospërhapja e armëve bërthamore, sanksionet kundër kombeve diktatoriale si Koreja e Veriut dhe Irani, apo një pushtim i armatosur.
OKB luajti një rol thelbësor në nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit mbi klimën, dhe marrëveshjen bërthamore të Iranit. Që të dyja këto Trump i ka refuzuar, por kandidati demokrat Xho Bajden është zotuar t’u ribashkohet nëse zgjidhet president.
Është e vërtetë, Kombet e Bashkuara kanë dështuar pjesërisht për të përmbushur rolin që nisi një shekull më parë me ëndrrën e Udrou Uillsonit për një qeverisje globale përmes Lidhjes së Kombeve (që dështoi, vetëm për t’u ri-shpikur në një mënyrë më praktike nga Frenklin Ruzvelt).
Por për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, kur bëhet fjalë për çështje vërtet madhore, Kombet e Bashkuara kanë vepruar më shumë si një shtesë e fuqisë amerikane sesa si një forcë që krijon pengesa për Uashingtonin. Së fundmi, shumica e presidentëve e njohin rolin më të gjerë që ka OKB, nën-strukturën e madhe të stabilitetit që ajo i ofron sistemit global.
Burimi i lajmit: https://foreignpolicy.com/2020/09/21/much-maligned-but-still-necessary-the-u-n-at-75
Përshtatur nga TIRANA TODAY