Prej më shumë se një viti, Serbia po përpiqet nëpërmjet Telekom Srbija të fusë këmbët në hapësirën shqiptare të telekomunikacionit. Përpjekja e parë nisi me ofertën për blerjen e Telekom Albania në Shqipëri, e tani për blerjen e IPKO në Kosovë. Por pse ky insistim për të hyrë patjetër në hapësirat shqiptare?!
Së pari, duhet theksuar se sektori i telekomunikacionit, përveç aspektit ekonomik, është një sektor shumë i ndjeshëm nga pikëpamja strategjike. Në një vështrim të përciptë mbi legjislacionin që rregullon këtë sektor, kuptohet qartë ndjeshmëria ndaj përpunimit, grumbullimit dhe ruajtjes së të dhënave personale (ku në kushtet e teknologjisë së sotme, arrihet të krijohen profile shumë të qarta edhe për sferat më intime të veprimtarisë njerëzore dhe institucionale).
Së dyti, infrastruktura e Telekomunikacionit është tejet nevralgjike nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare dhe përdorimit të saj në kushtet e emergjencave civile, veçanërisht në vende pa një infrastrukturë tjetër mbështetëse të komunikimit për forcat e rendit dhe sigurisë, siç është Shqipëria dhe Kosova.
Së treti, në kushtet konkrete, operatorët vendas, gjithnjë e më shumë kanë diversifikuar fushën e tyre të veprimtarisë, duke u përfshirë gjerësisht në sektorin e medias audio vizive, gjë e cila e ka rritur shumë fuqinë ndikuese të këtyre operatorëve edhe në aspektin politik, kulturor e social.
Ndaj, është mëse legjitime të shtrohet pyetja nëse qëllimet e një operatori të zotëruar kryesisht nga ekzekutivi serb janë thjesht ekonomike?
Shqipëria dhe Kosova kanë një orientim të qartë pro euroatlantik. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova me një prezencë të gjerë ushtarake amerikane. Ndërkohë, Serbia ka një orientim politik kundër NATO-s, dhe e mbështet politikën e sigurisë kombëtare tek aleanca e ngushtë me Rusinë. Pavarësisht angazhimit në procesin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjithmonë e më shumë janë shtuar kohët e fundit kritikat për ushtrimin autoritar të pushtetit, dhe shqetësimet për rritjen e ndikimit politik në media dhe në ekonomi nga ana e presidentit aktual Aleksandar Vuçiç dhe partive që përkrahin atë.
Në këtë kontekst, është pak e besueshme alibia se këto veprime strategjike të Telekom Srbija duhen vlerësuar thjesht dhe vetëm në aspektin ekonomik, dhe se mund të shërbejnë si gur prove për aftësinë, të Shqipërisë apo Kosovës, për thithjen e investimeve të huaja.
Shqipëria nuk ka asnjë kompleks për të shëruar në këtë aspekt, pasi në më shumë se 30 vite, ndjek një politikë tejet liberale për aksesin e kapitalit të huaj në tregjet e saj. Kjo dëshmohet nga prania e investimeve të huaja në të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshirë edhe ata më nevralgjikët si energjia, bankat, transporti apo edhe telekomunacioni. E ngjashme paraqitet situata edhe në Kosovë, me të gjitha vështirësitë disa herë më të mëdha që ajo ka hasur, edhe për shkak të pengesave artificiale që Serbia i ka krijuar ndër vite me shumë zell. Sektori energjetik është shembulli më i qartë, kur vetëm pas shumë vitesh përpjekje dhe ndërhyrjes energjike të Sekretariatit të Komunitetit Energjetik (kuptohet, vendet kryesore të BË-së), arriti të eliminojë bllokimin në sistemin e saj të transmetimit.
Prandaj, aksesi në sektorët strategjikë nuk mund dhe nuk duhet t’i krijohet kompanive shtetërore të një vendi i cili, lehtësisht për arsye jo ekonomike, mund të destabilizojë infrastrukturën e komunikimit dhe të marrë nën kontroll të dhëna tejet sensitive për ekzistencën, dhe në mënyrë të veçantë, për përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’u njohur si shtet dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare edhe nga Serbia. Ka shumë fusha të tjera ku ndërmarrjet serbe mund të hyjnë e të bëhen pjesë e ekonomisë kosovare, por kanë shfaqur qartazi mosbesimin e tyre në institucionet dhe politikat ekonomike të Kosovës, çka është në kontrast të plotë me përpjekjet e Telekom Srbija në dy vitet e fundit. Një tjetër tregues i synimeve jo ekonomike është edhe çmimi i përfolur për blerjen e IPKO-s, i cili është shumë larg logjikës së tregut, ofruar pikërisht nga një operator i cili dominon tregun serb, duke mos krijuar hapësira konkurruese.
Për të gjitha këto arsye, institucionet e Kosovës duhet të ndjekin shembullin e qëndrimit parimor të institucioneve shqiptare, të cilat i thanë prerazi JO hyrjes në treg të Telekom Sbrija rreth dy vite më parë./LAPSI.al