Sot u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë për kulturën.
Plot 800 mijë dollarë janë vënë në dispozicion të Ministrisë së Kulturës, që do ta përdorë këtë fond për të restauruar disa nga monumentet që janë dëmtuar më së shumti nga tërmeti i 26 Nëntorit.
“Më lejoni ta nis me një “uau” të madhe, sepse kjo pamje i ka tejkaluar pritshmëritë e mia. Sot në fakt shënojmë fillim e projektit për të restauruar disa prej siteve apo vendeve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Tërmeti mund të ketë dëmtuar ndërtesat, por nuk ka dëmtuar shpirtin e shqiptarëve. Ne kemi punuar me Shqipërinë në projekte të shumta për kulturën, përfshirë restaurimin e galerisë numër tre të kalasë në Gjirokastër, dokumentacionin e muzikës isopolifonike shqiptare si dhe ruajtjen e Kullës së Sahatit në Tiranë. Sot jam shumë e gëzuar që jam këtu bashkë me ministren Margariti për të nënshkruar një grant prej afro 800 mijë dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe në Prezë”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim.
Ky projekt restaurimi pritet të zgjasë dy vite dhe mendohet se puna do të nisë fillimisht në kullën C në Durrës, për të vazhduar më pas me punën në Teqenë e Dollmës në Krujë, në kalanë mesjetare të Prezës dhe të përfundojë me restaurimin e Kullës së Sahatit të Krujës, e cila ka edhe punën më të madhe në këtë proces restaurimi.