Këshilli i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut shkarkoi kryetarin e këtij institucioni, Sulejman Rexhepi.
Në deklaratë thuhet se Rexhepi u shkarkua nga detyra për shkak të shkeljes së Kushtetutës së BFI-së, respektivisht nenit 36.
Në këtë nen, veç të tjerash, thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij janë në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.
Vendimi për shkarkimin e Rexhepit vjen pas një sërë veprimesh që kanë nxitur reagime në opinionin e gjerë, përfshirë edhe martesën e tij me një vajzë shumë më të re në moshë.
Veç kësaj, reagime të shumta në opinion ka shkaktuar edhe një prononcim i Rexhepit gjatë Festës së Bajramit, këtë javë, kur deklaroi se koronavirusi ka vdekur.
“Nga sot, sëmundjen COVID-19 e shpall të vdekur. Zoti është me ne dhe kur Zoti është me ne, ne jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Rexhepi.
Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, shkruan “opinion.al”.