Ministrja e Kulturës në Kosovë, Vlora Dumoshi dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani i kanë dërguar një letër ngushëllimi familjes së Rikard Ljarjes, i cili humbi jetën 3 ditë më parë.
“Rikardi ishte aktori, regjisori dhe skenaristi që me talentin, fisnikërinë dhe hijeshinë e tij ndriçoi skenën dhe ekranin shqiptar, për të lënë aty, gjurmët e pashlyera të roleve unike të realizuara mjeshtërisht prej Tij. Ai ishte magneti që na mbante mbërthyer sa herë shfaqej në ekran me gjithë potencën artistike dhe peshën e fjalës që e bënte atë krejt të veçantë e të papërsëritshëm në kinematografinë shqiptare”, thuhet në letrën e ambasadës së Kosovës në Tiranë”.
Ndërkohë në letrën e ngushëllimit, Vlora Dumoshi shkruan se Rikardi e ka ngritur kulturën shqiptare në një nivel tjetër me angazhimin e tij.
“Vdekja e tij ishte humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i vlerave filmike që do la pas vetes, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas”, thuhet në letrën e ministres.