Adriano Galliani ka theksuar gjithmonë se nuk do të flasë për Milan sa i përket administrimit të tij aktual, por ish-drejtuesi i kuqezinjve ka shumë anekdoda për të treguar sa i përket të kaluarës dhe atyre viteve të arta. I intervistuar nga spanjollja “AS”, ai ka treguar një prapaskenë mjaft interesante nga dy pengjet e tij të merkatos.
“I pari është shitja e Kaka në vitin 2009, isha i dëshpëruar, nuk dëshiroja, mendova të arratisesha në Brazil për të fituar kohë. Florentino Perez më tha ‘Bëj çfarë të duash’. Në fund u desh të dorëzohesha. Pastaj pengu më i madh është ai me Fernando Redondo.
Në vitin 2000 ai ishte më i miri në Ligën e Kampioneve, isha i çmendur pas tij. Mendova se kisha mbyllur një nga blerjet më të mira të jetës time. Ai erdhi këtu, u dëmtua dhe nuk ishte kurrë në gjendje të tregonte talentin e tij të mrekullueshëm. Zhgënjimi më i madh i karrierës time ishte ai që nuk arrita t’i gëzohem këtu, ishte një lojtra dhe një njeri i jashtëzakonshëm, dëshironte që t’i hiqnim rrogën kur ishte i dëmtuar”, tregoi Galliani i cili nuk ka një shpjegim pse Kaka zhgënjeu në Spanjë.
“Nuk di të jap një shpjegim, janë misteret e këtij sporti. Berlusconi thotë gjithmonë një gjë: futbolli është si besimi, ka mistere të gëzueshme dhe të dhimbshme. Në fund të fundit, kjo është arsyeja se pse na pëlqen kaq shumë”.