Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest shtëpie” për ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Klodian Duro. Ky i fundit u denoncua nga ish-bashkëshortja për përndjekje.
Duro u arrestua mbrëmjen e 24 marsit, pasi kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes, dhe sipas saj, kishte filluar që të godiste derën e saj. Pas thirrjeve për t’u larguar, ai nuk është bindur. Ndaj ajo është detyruar që të njoftonte policinë.
Gjatë seancës, avokati i tij është shprehur se klienti kishte shkuar në banesë për të takuar të bijën, por ish-bashkëshortja nuk e kishte lejuar.
“Ata janë në proces divorci, dhe çështja ndodhet në Apel. Ish-bashkëshortja nuk e ka lejuar që të takojë vajzën. Më datë 21, vajza ka pasur ditëlindjen dhe ish-bashkëshortja nuk e ka lejuar”, është shprehur avokati.
Pas divorcit, ish-bashkëshortja e Duros kishte një urdhër mbrojtje, urdhër i cili u thye nga ish-mesfushori para pak ditëve, dhe në këtë formë u arrestua.