Papati nuk ka qenë kurrë një institucion i imunizuar ndaj kundërshtive, dhe ka arritur të mbijetojë për shekuj me radhë që nga rënia e Perandorisë Romake, përmes Karlit të Madh, skizmës që vuri kundër njëri-tjetrit dy Papë, Kryqëzatat, ngritjen e komunizmit dhe dy Luftërat Botërore.
Një Papë, Piu XII shërbeu gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ndjekur një linjë midis pritshmërisë së liderëve botërorë dhe Kishës Katolike. Udhëheqësi aktual i katolikëve, Papa Françesku, ka njoftuar se ka kërkuar përshpejtimin e procedurave për bërjen publike të arkivave që i përkisnin mbretërimit të Piu XII, duke thënë se “kisha nuk ka frikë nga historia”.
Periudha që i përkasin këto arkiva, është midis viteve 1939-1958, kur vdiq Papa Piu XII. 150 studiues nga institucione në mbarë botën, kanë aplikuar për të parë dokumentet arkivore. Njëherazi në arkiva, mund të pranohen 60 studiues.
Disa historianë e kanë kritikuar ashpër Piun XII, për mosdënimin më zë të fortë të krimeve të nazistëve. Madje disa kanë arritur deri aty, sa e kanë quajtur atë “Papa i Hitlerit”, kur vetë Hitleri ka thënë për Piun XII, se ai nuk ka qenë “asnjëherë një mik i imi”.
Sidoqoftë, kjo deklaratë nuk ishte e mjaftueshme, për të frenuar historianët që ta klasifikonin Piun si “Papën e Hitlerit”. Udhëheqësi i Italisë, dhe aleati i Boshtit, Benito Musolini u tërbua nga lajmi se Papa kishte paralajmëruar personalisht udhëheqësit e Vendeve të Ulëta (Holandës dhe Belgjikës), për pushtimin gjerman.
Ai e urdhëroi ambasadorin e tij në Vatikan, të paraqiste para Papës një note proteste zyrtare. Ministri i tij i Jashtëm, tha se Papa Piu XII ishte “i gatshëm ta linte veten të mbyllej në një kamp përqendrimi, në vend se të mos bënte asgjë kundër ndërgjegjes së tij”.
Ndërsa kritikët, e vënë theksin tek fakti se Piu XII, ishte jashtëzakonisht i heshtur në lidhje me trajtimin mizor që Adolf Hitleri u bëri Judenjve, duke mos e dënuar kurrë publikisht genocidin. Edhe pse nga ana tjetër, atij i njihet merita e inkurajimit të manastireve, kishave dhe institucioneve të tjera, që të fshihnin mijëra hebrenj. Kur dëbimet u bënë një kërcënim shumë real, 477 hebrenj u strehuan brenda mureve të qytetit të Vatikanit, teksa 4 mijë të tjerë u fshehën në Romë. Në fakt, Piu XII kishte një rekord të fortë të qëndrimeve kundër regjimit nazist edhe përpara se të zgjidhej Papë.
Gjatë 12 viteve që ai i kaloi si një nunc papal në Gjermani gjatë viteve 1917-1929, ai mbajti mbi 40 fjalime, që denonconin aspekte të ndryshme të ideologjisë naziste. Në vitin 1935, kur ishte Sekretar i Shtetit në Vatikan, ai i dërgoi një letër Peshkopit të Këlnit, në të cilën i përshkroi nazistët si “profetë të rremë, që kanë krenarinë e Luciferit (Djallit)”.
Si Kardinal, ai nënshkroi “Reichskoncordat” me qeverinë e Hitlerit, në mënyrë që të kishte një marrëveshje diplomatike, që do ta mbronte statusin e kishës katolike brenda kufijve të Gjermanisë naziste. Sidoqoftë, midis ratifikimit të dokumentit në vitin 1933 dhe shpërthimit të luftës në vitin 1939, ai firmosi 55 ankesa në lidhje me shkeljet e traktatit nga ana e nazistëve.
Në vitin 1937, ai publikoi një enciklikë të shkruar në gjuhën gjermane, e cila u shpërnda në kishat dhe katedralet e gjithë Gjermanisë, dhe që denonconte paganizmin e ideologjisë naziste. Ky akt e zemëroi Hitleri, që inskenoi një seri gjyqesh me prova të fabrikuara ndaj klerit katolik gjerman.
Ishte kjo përvojë, që siç pretendojnë disa historianë, çoi në hezitimin e Papa Piut XII për të folur hapur gjatë luftës mbi Holokaustin, pasi kjo gjë mund të shkaktonte një hakmarrje më të dhunshme nga ana e nazistëve. Arkivisti dhe bibliotekari i Vatikanit, Kardinal Hoze de Mendonça tha se “hapja e arkivave është vendimtare për historinë bashkëkohore të kishës dhe botës”. Ndërkohë kreu i Arkivit Apostolik të Vatikanit, Peshkopi Serxho Pagano, është i bindur se miliona faqet e arkivave që do të publikohen për herë të parë, do të tregojnë se “e mira ishte aq e madhe, sa që do të zhdukë edhe ato pak hije që ekzistojnë”.
Studiuesit e parë, që do të kenë qasje në arkiva, do të jenë anëtarët e komunitetit hebre në Romë, muzeut të Holokaustit Izraelit, dhe muzeu përkujtimor i Holokaustit në SHBA. Eksperti amerikan Dejvid Kercer, që do të jetë ndër të parët që do lexojë letrat e Piut XII, pohon se ka “shenja nervozizmi” në lidhje me atë që mund të zbulohet.
Profesori i historisë moderne evropiane në Universitetin e Shefilldit, Meri Vinsent thotë se Papa Piu XII “ishte një njeri i kujdesshëm, i rreptë, që u përpoq të manovronte përmes disa rrethanave pothuajse të pamundura”. Ndërsa ai qartazi nuk ishte një simpatizant i nazistëve, duke e mërzitur si Hitlerin ashtu edhe Musolinin, duke mos denoncuar publikisht genocidin masiv ndaj hebrenjve dhe pakicave të tjera, Piu XII rrezikoi të linte pas një trashëgimi toksike. Vatikani shpreson që hapja e arkivave, të hedhë një dritë shumë të nevojshme, mbi një periudhë të errët të historisë së Kishës Katolike. /TIRANA TODAY