Presidenti i SHBA Donald Trump dhe kandidati për president Michael Bloomberg akuzuan njëri-tjetrin për racizëm, gjë që ka çuar në shkallëzimin e luftës së fjalëve mes dy biznesmenëve të pasur.
Presidenti Trump e nisi i pari, duke postuar në Twitter një klip audio të vitit 2015, ku dëgjohet Bloomberg duke mbrojtur përdorimin e një taktike të caktuar të policisë në kohën kur ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut mes viteve 2002 dhe 2013.
Taktika e njohur si “stop and frisk” ka të bëjë me ndalimin e një të dyshuari pa pasur ndonjë arsye të fortë.
“UOU, BLOOMBERG është një racist kokë e këmbë!” shkroi Presidenti Trump në Twitter, koment që më pas e fshiu.
Edhe presidenti Trump në të kaluarën e ka mbështetur një taktikë të tillë.
Bloomberg, i cili po kandidon për të marrë emërimin e Partisë Demokrate për të sfiduar republikanin Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, kërkoi ndjesë për përdorimin e kësaj teknike policore nëntorin e kaluar, pak ditë para se të shpallte kandidaturën.
Në një deklaratë të martën, zoti Bloomberg citoi atë që e quajti angazhim tij për reformën në drejtësinë penale dhe barazinë racore, duke shtuar: “Presidenti Trump trashëgoi një vend që ishte duke marshuar drejt një barazie më të madhe dhe na ndau me apelimet e tij raciste dhe retorikën e urrejtjes”.
Të dy personalitetet janë miliarderë. Donald Trump u pasurua me biznesin e pasurive të palujtëshme ndërsa Michael Bloomberg i fitoi miliardat duke shitur informacion financiar.
Bloomberg nuk po garon në katër garat e para mes demokratëve por po bën një fushatë të kushtueshme në të gjithë vendin përpara garave brenda partisë në muajin mars. Ai është ngritur në anketat e opinionit publik ndërkohë që po shpenzon qindra miliona dollarë për reklama televizive. /Voa