Prokuroria e Përgjithshme, sektori i dekriminalizimit ka nisur procedurat dhe kërkon heqjen e mandatit të këshilltarit të Bashkisë Kamëz, Mirush Dema. Sipas informacioneve, mësohet se Dema është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe duhet të largohet nga detyra.
KQZ do të shqyrtojë të mërkurën rezultatet e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme, për mandatin e anëtarit të këshillit Bashkiak të Kamzës.
Sipas njoftimit të KQZ, në mbledhjen që do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 13:00, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, do të shqyrtohen verifikimet e Prokurorisë.
Kjo kërkesë erdhi pasi Dema dhe disa anëtarë të tjerë të këshillave Bashkiakë, kanë deklaruar dënime jashtë vendit, por që vetë komisioni nuk mund t’i verifikojë në shtete të huaja. Mirush Dema ka deklaruar një ndalim për verifikim në Gjenevë, dhe dëbim në Suedi e në vendet e BE-së deri në tetor 2019.