Esad Pashë Toptani është i vetmi kryeministër shqiptar që duke ushtruar deyrën ka urdhëruar ekzekutimin e ministrit të qeverisë së vet.
Ministri i Financave, Nexhati Libohova, u vra më 26 maj 1915, në Durrës, nga truproja e kryeministrit, Osman Bali, pasi ai zbuloi tradhtinë ndaj Esad Toptanit, që e kishte ngritur karrierën mbi intriga dhe krime, zbatonte rregullin se ato cilësi që ai kishte vetë, nuk mund t’i zbatonin vartësit kundrejt tij.
Eqrem bej Libohova, nipi i Esad Pashë Toptanit, është një nga personazhet e rralla të kohës që jo vetëm e ka njohur Nexhati Libohovën, por i ka lënë të dokumentuara vetitë që përbënin karakterin e tij. Për Vlorën, Nexhati Libohova ishte thjesht një Esad i vogël.
“Ministër i Financave të Esad Pashës ishte një avokat i quajtur Nezhat efendi Çomo, nga Libohova, një intrigant me shkollë, inteligjent i thekur, i cili nga njëra anë i shërbente pashës dhe politikës së tij, ndërsa nga ana tjetër merrej vesh me kundërshtarët e tij.”
Por a mund të jetonin bashkë në një qeveri si kryeminitër Esadi i madh dhe si ministër i Financave Esad i vogël?
Ishte momenti kur Esadit të madh i vinte në ndihmë vetëm një instikt që e ka shoqëruar gjithë jetën: vrasja.
SKENA E VRASJES
Eqrem bej Vlora, një personazh shumë aktiv i ngjarjeve të asaj kohe, ka qenë dëshmitar okular i një vrasjeje tipike mafioze.
“Rastësisht Esadit i ra në dorë letërkëmbimi i tij (Nexhati Libohovës) dhe e thërret për t’i kërkuar llogari. Pastaj nuk ia zgjati shumë: ia dorëzoi sejmenit të vet, Osman Balit. Ky e futi mëkatarin në një thes dhe e shtroi në dajak, derisa nga trupi i tij mbeti vetëm një grumbull pa formë.”
INTRIGA VAZHDOI EDHE PAS VDEKJES
Por si u paraqit vrasja e ministrit nga kryeministri? Duart jo vetëm duhet të laheshin, por pastërtia e tyre duhet të ishte bindëse. Kryeministri Esad Pashë Toptani sajoi historinë, sipas së cilës ministri kishte kryer një vjedhje në arkat e shtetit dhe ishte larguar bashkë me paratë.
Mithat Frashëri është i pari që e zbuloi intrigën pas vrasjes së Nexhati Libohovës. Në portretizimin që i ka bërë Esad Pashë Toptanit, në punimin “Cili ka qenë Esadi”, Frashëri publikoi edhe një shkresë në formë urdhri, tipike për natyrën e kryeministrit të asaj kohe.
“Për vrasjen tragjike të Nexhati Efendiut, ai nxorri një qarkore ku thuhej se Nexhati ishte arratisur me një shumë të madhe që ai e kërkonte dhe i premtoi një shpërblim atij që do ta zbulonte.”
Pra, pasi zbuloi tradhtinë e vartësit të vet, urdhëroi vrasjen e tij dhe pasi ajo u krye, e shpalli në kërkim si hajdut të arkës së shtetit. Madje, vuri në dispozicion një shumë të madhe të hollash për atë që jepte informacion. Edhe Al Capone duket diletant përballë një krimi të tillë.
Marrë nga libri i Roland Qafokut ‘100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)’