Nga: Desar Sulejmani
Si çdo herë, që nga 21 dhjetori i vitit të largët 1962, atëherë kur Shqipëria sapo kishte nisur garën e saj „Festivali i Këngës në Radio“, edhe këtë vit, ky aktivitet i patjetërsueshëm i këngës e zhvillimeve të reja muzikore alternative në Shqipëri (ndër të tjera pop, rock, soul, r&b, ethno-folk, apo jazz) ngjalli një lloj kërshërie relative në opinionin shqiptar. I mbuluar si përherë më një tis mjegulle informative, i plotësuar me lajme dhe informacione kundërshtuese, të cilat shkonin deri në thirrje të hapura për mospjesëmarrje, akuzave për favorizime të njëanshme për këngëtare apo kompozitorë të veçantë, edhe FEST 58, në bulëzën e tij ndërtuese qëlloi mjaft polemik dhe konfliktual, i ndryshëm nga notat e pritshmërisë në publik.
Në vëzhgimet e mia të përgjithshme në lidhje me zhvillimet teknologjike dhe ofertat programore të Radio Televizionit Shqiptar(RTSH), të para në këtë rast nga larg, kam vënë re kohëve të fundit disa anë pozitive dhe sfiduese në lidhje me vetëdijesimin e institucionit në lidhje me rolin e tij parësor në qasjen radiofonike/televizive në shoqëri. Roli edukues, mbështetës dhe ruajtës i vlerave të shëndosha shoqërore i takon vetëm RTSH-së, si institucion publik dhe kombëtar radioteleviziv në Shqipëri. Kjo është një e drejtë ligjore dhe morale, sikurse edhe përgjegjësi shoqërore, e cila në rastin më të mirë duhet të jetë udhërrëfyesja kryesore e çdo zhvillimi teknologjik, përmbajtësor e ideor në RTSH.
Sidoqoftë, dhe këtu të gjithë ne duhet të jemi në radhë të parë të sinqertë me veten, Festivali i Këngës në RTSH, sidomos pas mundësisë së dhënë Shqipërisë për pjesëmarrje në Eurovision Song Contest (ESC), jo vetëm ka humbur karakterin dhe qëllimin e krijimit të tij, – prezantimin e ideve të reja në muzikë, tekst, orkestrim e vokal të këngës moderne shqiptare – por sa po vjen dhe po e ngushton rrezen e veprimit, sikurse po karakterizohet viteve të fundit jo më si një platformë serioze e hapur garuese, por si një nismë më shumë personale, private, aq më pak gjithëpërfshirëse e kombëtare. Shkëndija e zhvillimit të një konflikti përmbajtësor në këtë rast është e pashmangshme. Në rastin e Festivalit të Këngës në RTSH përplasen dy botë artistike krejt të ndryshme. Nga njëra anë kemi karakterin tërësisht garues, të lirë nga çdo lloj kornize përgjithësuese 3-minutëshe, hovin e natyrshëm artistik eksperimental dhe provokues, kërshërinë profesionale për të zbuluar rrugë të reja të këngës bashkëkohore shqiptare, cilësi këto, të cilat mund të shfaqen (ashtu sikurse edhe janë shfaqur jo rrallë) lirisht në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, ndërkohë që nga ana tjetër kemi të bëjmë me një pjesëmarrje ndoshta të detyruar, apo përqendrim artificial drejt një konkursi evropian të këngës, lidhje apo favorizim kompozitorësh/producentësh e studiosh prodhuese të saj, kufizimin e gjinisë së këngës vetëm drejt motiveve afatshkurtra argëtuese, të cilat, ndër të tjera e vendosin gjininë përkatëse (jo vetëm shqiptare) nën një standardizim të thellë ideor, përmbajtësor, politik dhe gjatësie artistike.
Unë, i çliruar nga çdo paragjykim përmbajtësor, i hapur dhe me shpresën për zhvillime pozitive, e kam ndjekur me dëshirë e kërshëri të veçantë festivalin e sivjetshëm, ndryshe nga herët e tjera, në gjithë tërësinë e tij, pra që nga momenti i parë, thirrjen për sjellje të këngëve garuese, shpalljen e tyre nga juria përzgjedhëse e deri në momentet e fundit me 22 dhjetor 2019.
Duke qenë ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të viteve të fundit të këtij formati artistik nëRTSH, përshëndeta personalisht marrjen në dorë të drejtimit të FEST 58 nga vetë kupola drejtuese e institucionit, ndryshe nga vitet e tjera kur kishim të bënim me drejtues nga institucioni i Radios. Në mendjen time ky ishte një hap i natyrshëm drejt marrjes së përgjegjësive institucionale pas dështimeve të herëpashershme të ndodhura viteve të fundit. FEST 58, premtonte pra në momentin fillestar dhe parimor korrektesë institucionale, rregulla të qarta garuese si dhe transparencë etike deri në minutën e fundit të zhvillimit të tij.
Të jem i sinqertë, në mbyllje të çdo Festivali të Këngës në RTSH të viteve të fundit, kam menduar që kemi arritur në kufirin e padurueshëm të mediokritetit intelektual e artistik, që nuk ka më keq, apo që ka ardhur më së fundmi momenti i një reflektimi institucional, njerëzor e mbi të gjitha etiko – artistik, krijimi i një vizioni të ri (jo vetëm për Festivalin e Këngës) si pjesë e përgjegjësisë edukuese të RTSH-së ndaj shoqërisë në tërësi. Por mbas mbarimit të natës së tretë të FEST 58, kuptova që kisha menduar gabim, ndjeva që kufiri i paaftësisë e mediokritetit artistik, manipulimit shembullor të publikut, i falsitetit njerëzor, dhe shkeljeve të rregullave garuese në institucionin e vetëm radioteleviziv të shtetit amë nuk i kishte ardhur fundi, por vazhdonte të ishte një realitet i hidhur, i pranishëm dhe i prekshëm nga çdokush.
Fatkeqësisht edhe këtë vit, Festivali i Këngës në RTSH, e nisi me të kundërtën e asaj që shpalli me nota “moraliste” edhe vetë prezantuesja Alketa Vejsiu (Minuta e 52-të e natës së parë – Meritokracia). Fest 58 nuk e hodhi hapin e parë të tij – përzgjedhjen e këngëve garuese – në bazë të një rregulloreje të qartë, transparente e të hapur dhe si pjesë e një zhvillimi artistik të paktën të logjikshëm e të merituar. Treshja përzgjedhëse Ciko, Çene dhe Malaj, treguan edhe një herë që ishin vetëm marioneta dhe zbatues të një politike, të një vendimi të ngushtë, i cili, siç u duk më vonë, ishte i paracaktuar. Duke prezantuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë shpjegim të mirëfilltë vetëm emrat e këngëtarëve, por jo të kompozitorëve, autorëve të tekstit e aq më pak të orkestruesve të këngëve, juria e zgjedhur “me kujdes” nga përgjegjësit kryesorë të Fest 58, shkeli jo vetëm një rregullore të brendshme të vetë RTSH-së, por hodhi hapin e parë drejt një manipulimi pothuajse tre mujor, rrotullimit të qëllimshëm drejt emrave “VIP”, apo stisi pseudo – komplote e legjenda urbane, duke vendosur kështu standarte aspak profesionale, aq më pak parimore drejt netëve përfundimtare të“kompeticionit” të këngës shqiptare. Duke njohur profilin e deritanishëm të anëtarëve të jurisë, prapavijën e tyre profesionale, kjo mënyrë të vepruari pa principe e përgjegjësi mbi vendimet që po merrnin, nuk më çuditi aspak!
Ndërkohë konfliktet e interesit, të cilat e kanë zanafillën e tyre dhe kanë zënë vend këmbëkryq prej shumë vitesh në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, në Fest 58 ishin aq të hapura dhe irrituese, saqë linin për një çast larg vëmendjes çdo lëvizje sadopak pozitive e risi artistike të netëve të zhvillimit të garës, siç ishte p.sh. zgjidhja skenografike e italianes Patrizia Bocconime ndryshimet e planeve dritore, të cilën e vlerësoj si një gjetje origjinale dhe aktive për skenën e trishtë të Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Në këtë prizëm,ndërhyrjet e shumta të reklamës (së bashku me minutazhin e tej zgjatur të tyre)ishin përherë absolutisht të papranueshme, ndërkohë që shtroja përherë pyetjen, se përse RTSH ka nevojë për kaq shumë mbështetës privatë, ndërkohë që financohet nga buxheti i shtetit, rrjedhimisht direkt nga taksapaguesit shqiptarë, apo pse në mes të ngjarjes më serioze të këngës moderne shqiptare, publiku i gjerë duhet te shikonte në ekranin e RTSH-së pulat, tavat e tepsitë, pluhurat larës, apo edhe çdo reklamë tjetër bajate (direkt në sallë, apo e regjistruar), kur njëkohësisht thelbi i festivalit, karakteri i tij parësor, gara artistike mes këngëve e protagonistëve të saj, ndërpritej dhunshëm e në mënyrën më të palogjikshme të mundur. Apo në këtë rast lepuri fle diku tjetër?
Kështu i gjithë padurimi, kërshëria apo argëtimi i thjeshtë njerëzor, sikurse edhe vlerësimi profesional,humbitnin lidhjen e natyrshme me skenën e Pallatit të Kongreseve nga ndërhyrjet pa kuptim, e folura plot gabime gjuhësore, apo me mungesë të theksuar integriteti ideor prezantues, bashkuar këto të gjitha jo vetëm me një inteligjencëtë ulët skenike, krejtësisht si të një kukulle “Barbie”, por edhe pa shije të Alketa Vejsiut. Ajo më së miri ia arriti qëllimit të na tregonte të gjithëve, sesi NUK duhet të jetë një prezantuese e një ngjarjeje kaq të rëndësishme artistike në vend. Vejsiu gjatë tre netëve të FEST 58, e ndodhur në të shumtën e rasteve jashtë kornizave profesionale dhe nivelit absolutisht të paanshëm qëia kërkon rasti përkatës, jo vetëm qëcenoi në mënyrë tëpacipënë përgjithësi inteligjencën e përbashkët dhe në veçanti të femrës shqiptare, por e ndodhur në gjendje të vazhdueshme hipnoze vetëkënaqësie, në mungese të një skenari të mirë menduar (FEST 58 zyrtarisht nuk kishte skenarist/e), së bashku me krijuesen e saj Grabocka, ishte në cakun e kryerjes sëakteve tëdënueshme penale, siç ishtep.sh. rasti i shkeljes së privatësisë familjare të së miturës Sara Bajraktari dhe falsiteti i mesazheve në lidhje me të, apo duke nxjerrë e shfrytëzuar vetëm për imazh në skenën e Pallatit të Kongreseve fëmijënë orën 23:30!
Edhe nëse të kënduarit i shpeshtë me playbacke pa asnjë vlerë artistike të prezantueses Vejsiu, rrjedhimisht personalizimi i tejskajshëm i skenës së Festivalit të Këngës në RTSH, përdorimi artificial i fjalëve të huaja (vajbin/vibe – dridhje, apo suspancë/suspense – tension/pasiguri, etj.), hartimet “moraliste”alla Revista Class, të cilat në gojën e Vejsiut u kthyen gjithmonë në bumerang-un e vetë ideve të përcjella, parada e veshjeve shpeshherë jo serioze dhe aspak në nivelin e duhur artistik për një skenë kaq të rëndësishme artistike kombëtare, ndërprerjet e vazhdueshme e të stërpërdorura të garës muzikore si p.sh. me numrat e baletit, apo të humorit politik me nivel të ulët, të shoqëruara me duartrokitje të regjistruara, pyetjet e çastit drejtuar anëtarëve të jurisë, kur ata nuk mund t’i përgjigjeshin në mungesë të një mikrofoni, mund të quhen si zgjedhje regjisoriale apo skenariste të çastit (dritëshkurtre), të sjella sidoqoftë me bindje të plotësi “risi” artistike, si imazh pa qëllim të vërtetë përmbajtësor e mbi të gjitha me një arrogancë provinciale në skenën e Fest 58, treguan më së miri, se dyshja Grabocka – Vejsiu është prej kohësh përfaqësuesja më e rëndësishme e antivlerës artistike të spektakleve televizive në Shqipëri.
Gjithashtu i papranueshëm institucionalisht, për të mos thënë profesionalisht amator, ishte fakti i mungesës së përkthimit paralel të të gjithë bisedave që Vejsiu bënte me të ftuarit e huaj (Alessandro Mahmoud, Eleni Foureira, Giusy Ferreri). Qasje e pabazuar në mungesë të një skenari paraprak ishte po ashtu edhe trajtimi jo i barabartë ndaj këngëtarëve garues pas paraqitjes së këngës së tyre – dikush e linte skenën pa folur asgjë, dikush thoshte vetëm njëfalënderim, dikush tjetër kishte lirinë të përshëndeste familjen dhe shoqërinë, ndërkohë që të tjerë intervistoheshin gjerë e gjatë.
Nga ana tjetër moskujdesi artistik(orkestrimet mediokre, që të kujtonin spektaklet skandaloze të tjetërsimit të këngës shqiptare në formatet private televizive) shoqëruar me mungesë ideore, paraqitja e pamenduar skenike, e fshehur nën petkun e “vlerësimit” të figurave të nderuara të këngës së kultivuar shqiptare, e ktheu shpeshherë skenën e Fest 58 në një arenë prezantimesh personale narciste apo të tregimeve e barsoletave të moshës së tretë, gjithmonë duke mos harruar falënderimet hiperbolike për ftueset.Duke lënë kështu figura të njohura të këngës shqiptare në vrullin e “emocionit të çastit”, drejtueset artistike Grabocka dhe Vejsiutreguan në fakt mospasjen e një koncepti të mirëfilltë mbi rrjedhën logjike të skenarit në lidhje me vetë të vlerësuarin / vlerësuarën, duke shfaqur kështu në të vërtetë një mungesë të theksuar respekti ndaj vetë festivalit dhe institucionit të RTSH-së.
Duke u kthyer te kënga, si elementi kryesor artistik i një formati të tillë televiziv, oferta muzikore e Fest 58, ashtu e cunguar që në rrënjë/përzgjedhje, u soll përgjatë tre netëve të tij e vakët, pa profile të mirëfillta artistike, si rezultat i një gare pa rregulla të qarta e të hapura, me shumë konflikte të pastra interesi, mungesë totale vetë ndërgjegjësimi etik e profesional. Në vazhdimësi nga viti i kaluar, në pushimet e garës muzikore, prezantuesja shfaqej në reklama deri tek biznesi i saj privat, drejtori muzikor merr pjesë në garë si kompozitor, apo kompozitorë të veçantë arrijnë me dy krijime personale deri në natën përfundimtare apo publikut iu prezantohen autorë tekstesh, që janë familjarë të dyshes drejtuese artistike. Të gjithë ne dëgjuam tekste këngësh mjaft të varfra dhe jashtëzakonisht të cunguara në mesazh, ndoqëm paraqitjet e “VIP-ave” të këngës shqiptare në të shumtën e rasteve me produkte artistike vokale, elemente koreografike, apo veshjeje të nivelit banal(shpeshherë nuk isha i sigurtë nëse ata ishin të vetëdijshëm që po merrnin pjesë në Fest 58 dhe nuk ishin duke kënduar në ndonjë dasmë, “sebep” familjar, apo klub nate shqiptarësh në Evropën Perëndimore) dhe pa asnjë motiv estetiko – artistik të mirëqenë. Gjithashtu prezantimi i përhershëm i bazës muzikore të këngëve të FEST 58 me playback (të regjistruar), ndërkohë që në skenë ishin mbi 40 muzikantë të nderuar profesionistë, të shndërruar në këtë rast,mbi bazë të konceptit artistik/regjisorial, thjeshtë në statistë, pianot koncertale që lyheshin nga nata në natë nga e bardha në vjollcë, rrjedhimisht keqpërdoroheshin nga regjia vetëm si dekor skenik, apo këngët që iu prezantuan publikut shqiptar në mënyrë manipulative si “risi muzikore” e të krijuara nga këngëtare të ashtuquajtura “kompozitore”, kur në të vërtetë protagonistet nuk i njohin elementet themeltare të muzikës se shkruar, nuk sollën pothuajse asgjë të re nga çfarë kemi dëgjuar e parë gjatë viteve të kaluara.Përkundrazi, të gjitha këto elemente u bënë edhe një herë një dëshmi e gjallë e mungesës totale të vizionit afatgjatë, sesi mund të zhvillohet kënga bashkëkohore shqiptare.
Në këtë rast vlen të përmenden gabimet e rënda në ndarjen/theksin ritmik të fjalës shqipe, siç ishte p.sh. rasti i këngës “Me tana” (sipas dialektit shkodran – Me t’tàna – Me të gjitha), ndërkohë që E. Gjata e sjell në versionin e kënduar, me sakte me melodi të ritmizuar në rrokjen e dytë “…Me tanà…”, pra me një fjalë shqipe të tjetërsuar nën theksin tipik sllav. E njëjta gjë ndodh edhe me këngën fituese “Shan” ku që në fillim, tek togfjalëshi “mbaj dot/mbaj dot”, apo “ta ndaj/ta ndaj” vendoset një melodi e theksuar ritmikisht gabim, kundër rrjedhjes melodike natyrale të gjuhës shqipe.
Këtu lind pyetja se mos ndoshta këngëtaret tona porosisin vetëm këngët, mjaftohen me zërin e tyre, të cilin e përdorin në të shumtën e rasteve pa mbështetjen apo përgatitjen e nevojshme trupore/mendore dhe nuk interesohen shumë në lidhje me thelbin e asaj që këndojnë?Mos ndodh kjo edhe nga padija profesionale? A mos vallë kemi të bëjmë këtu me krijime vokale nga e njëjta dorë, e huaj, natyrisht jo e ndjeshme ndaj ritmit natyral të gjuhës shqipe? A e kanë menduar ndër të tjera këtë gjë të përbashkët të këtyre dy këngëve përfaqësueset shqiptare në jurinë e Fest 58, kur kanë votuar në mënyrë të ndryshme për to? Këto janë vetëm disa pyetje, të cilat ndoshta asnjëherë nuk do të gjejnë një përgjigje të hapur e të sinqertë, por sidoqoftë ia vlejnë që të shtrohen hapur dhe pa dorashka.
Personalisht e gjej të rëndësishme hapjen e Festivalit të Këngës në RTSH ndaj bashkëpunimeve me artistë të huaj (këngëtarë, kompozitorë, autorë tekstesh, apo orkestrues e producentë). Duke qenë që tashmë të gjithë vrapojnë drejt ESC, pa pyetur shumë për pasojat, formati gjeopolitiko – artistik që mbart në vetvete ky aktivitet i këngës evropiane, ta imponon të menduarin e të vepruarin në mënyrë të zgjeruar, jashtë rrezes lokale të veprimit. Parë nën këtë dritëhije, në kuadratin e sotshëm artistik të Festivalit të Këngës në RTSH, nuk ka asgjë të keqe, nësekjo garë e këngës shqiptare i hap dyert për të huajt, kjo edhe pse deri tani e kemi treguar me vepra, se nuk dimë ta bëjmë vetë, se nuk jemi në gjendje të kalojmë ndasitë e çastit, se nuk mundemi të kemi një vizion serioz e të ndërtojmë një skuadër artistike absolutisht profesioniste, e cila do të na nderonte me një pjesëmarrje dinjitoze në ESC. Pra, pjesëmarrja e Darko Dimitrov-it nga Maqedonia e Veriut si kompozitor në Fest 58, në princip nuk paraqet asnjë blasfemi. Deri këtu nuk ka absolutisht asgjë të kritikueshme, qoftë edhe moralisht. Aq me pak kjo pjesëmarrje etij mund të quhet tradhti ndaj Festivalit apo gjithë brezave që e kanë ndërtuar atë që nga viti 1962.
Por kjo pjesëmarrje, dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet publikisht, nuk vjen nga vullneti personal apo dëshira e z. Dimitrov së bashku me kolegun e tij Lazar Cvetkov për të garuar si të barabartë në festivalin tonë, por absolutisht e paracaktuar dhe e drejtuar në mënyrë të detajuar drejt një fitoreje të sigurtë nga drejtuesit kryesorë të Fest 58.
Me këtë rast dua tërendis vetëm disa nga arsyet pse u bë e gjithë kjo zgjedhje:
- Darko Dimitrov është prej vitesh njëemër i njohur e aktiv mes kukullave këngëtare shqiptare anembanë trojeve autoktone;
- Darko Dimitrov bashkëpunon prej kohësh me spektaklet e këngës nëmediat private, atje ku dyshja Grabocka – Vejsiu vepronlirisht e plotfuqishëm;
- Fituesja e Fest 58, Arilena Ara, si produkt artistik i spektakleve të drejtuara e ideuara nga dyshja Grabocka – Vejsiu, bashkëpunon, që nga fillimet e suksesit të saj vokal, përveç disa këngëve të prodhuara nga TETA Records (Izrael), në mënyrë të përqendruar me Darko Dimitrov;
- Pas suksesit të Tamara Todevska në ESC 2019, bashkëpunimi me z. Dimitrov u pa nga drejtuesit e Fest 58 si një mundësi (ndër të tjera naive) për një sukses (të garantuar) shqiptar në Rotterdam. Sidoqoftë duke krahasuar fare thjeshtëkëngët përkatëse të z. Dimitrov (“Proud” me “Shaj” apo “Eja merre”), dallohet qartëndasia dhe mënyra e ndryshme e prezantimit të këngës nga vetë ai. Mesazhi global, thjeshtësia e interpretimit, forca muzikore apo realizimi artistik për bashkëqytetaren e tij, janëndër të tjera ato elementë artistikë, të cilët janë shumë larg ofertës muzikore që ai ka sjelle në Fest 58 si kompozitor i dyfishtë. Unë dyshoj që këtu kemi të bëjmë me një ofertë të sinqertë ardhur si nismë nga Shkupi. Më shumë besoj në një kërkesë nga pala shqiptare, më shumësajdisje (servilosje) politiko – financiare (Mini – Schengen-iste), e cila i plotësontemë së miri kushtet për katapultimin përfundimtar të së “të mikluarës” të Grabockës –Vejsiut drejt ESC 2020.
Të gjitha pikat e lartpërmendura (lista mund të zgjatet lehtësisht), mund të jenë të zbatuara, disi të kuptuara, apo deri diku të pranuara, kur përqendrohen në transmetues televizivë privatë. Të sjella sidoqoftë ashtu hapur e pa drojë, me një vetëvlerësim prej budallai, me tone të vazhdueshme delirie duke sfiduar hapur të zotin e shtëpisë, Fest 58 dhe RTSH-ja – rasti më flagrant ishtekomenti i Vejsiut mbi rëndësinë e formateve televizive private në gjetjen dhe zhvillimin e talenteve të reja – ndërkohë qëështë detyra institucionale, morale e logjikisht profesionale pikërisht e RTSH-së, që të marrë në dorë zbulimin, zhvillimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të talenteve të reja – na treguan të gjithëve sa shterpë, sa pak përmbajtje dhe ide të reja kishte në drejtimin artistik të dyshes Grabocka – Vejsiu, fatkeqësisht mbështetur edhe nga titullari i RTSH-së, në Fest 58. Rrjedhimisht oferta artistike e grupit realizues të Festivalit të Këngës në RTSH 2019, e parë në planin afatshkurtër mund të ndjehet nga publiku i gjerëndër të tjera si irrituese, me mungesë totale të një autokritike e vetëpërmbajtjeje profesionale, me mendësi të vjetruara e amorfe drejtimi televiziv, e parë me largpamësi, edhe pse e dhimbshme, ajo është një ofertë shembullore për të mos u përsëritur më kurrë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, gjithmonë nëse mendojmë se RTSH mendon sinqerisht dhe me seriozitetin e duhur në lidhje me humbjen e mundshme të besueshmërisëinstitucionale në shoqërinë shqiptare majtas e djathtas kufirit politik!
Së fundmi, do të kishte qenë shume shpresëdhënëse, nëse Arilena Ara (sikurse dhe shumë shoqe e shokë të talentuar të saj), të mbërrinin në ESC pikërisht në bazë të meritës e nivelit të tyre të pastër profesional, pa makinacionet, ndryshimet në minutë të fundit, apo vlerësimet subjektive të shoqevebashkëqytetare në juri. Arilena Ara, me talentin e saj, padyshim të dukshëm dhe me një të ardhme artistike shpresëdhënëse, nuk e ka të nevojshme këtë “damkosje” artistike që në fillimet e karrierës së saj. Nga ana tjetër është absolutisht naive dhe në fakt humbje kohe të presësh gjëra të mira, vizione afatgjata, principe profesionale apo paraqitje ndryshe të Festivalit të Këngës në RTSH nga njerëz, të cilët më së paku janë arkitektët kryesore të prishjes së ekuilibrave të natyrshëm profesionalë, të futjes së një stili pune pa rregulla dhe vizion, kudo ata kanëpatur detyra shtetërore, institucionale.
Le të shpresojmë që Arilena Ara në javët e muajt në vazhdim ta përvetësojë artistikisht më thellë këngën e saj, pa patur qëllim në vetvete prezantimin e tërësisë së gjerë tingëllore të saj t, duke u fokusuar kështu në një timbër vokal natyral, i cili rrezaton automatikisht mbështetje të vetëdijshme trupore. Ajo i ka të gjitha mundësitë për një paraqitje të mirë artistike para dhe sidomos mbrapa skenës së ESC 2020 në Rotterdam, ndryshe nga çfarë na u përpëlitën sytë turpërueshëm majin e kaluar nga paraardhësja e saj.
Desar Sulejmani
Pianist, Dirigjent