Socialdemokrati Zoran Milanoviç doli fitues i raundit të parë në zgjedhjet presidenciale të dielën në Kroaci para Kolinda Grabar-Kitaroviçit.
Në janar kroatët vendosin në balotazh për presidenten apo presidentin e ri.
Socialdemokrati opozitar Zoran Milanoviç doli fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci të dielën (22.12) duke fituar afër 30% të votave pas numërimit të gati të gjitha votave, bëri të ditur Komisioni Zgjedhor në Zagreb në orët e vona të natës.
Presidentja aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviç renditet e dyta.
Kandidatja e partisë konservatore të djathtë, që qeveris aktualisht vendin, HDZ arriti vetëm 27% të votave.
Për shkak se asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur më shumë se 50% të votave në raundin e parë, më 5 janar pritet të zhvillohet balotazhi mes dy konkurrentëve, shkruan agjencia e lajmeve “dpa”.
Në shumicën e sondazheve, Kitaroviç kryesonte, por me një distancë të vogël kundrejt socialdemokratit, Milanoviç. Në vend të tretë u rendit kandidati i pavarur dhe i njohur si këngëtar, Miroslav Skoro me 24%.
Kitaroviç ende shpreson
Kreu i Shtetit në Kroaci ka më shumë kompetenca ceremoniale përfaqësuese, megjithatë zgjedhjet konsiderohen si një tregues i fuqisë në elektorat të kampeve të majtë e të djathtë.
Anëtarja më e re e BE-së, Kroacia merr kryesinë e radhës së BE më 1 janar. Në fushatën zgjedhore tema si drejtimi joefektiv i qeverisë dhe largimi masiv i njerëzve nga vendi luajtën një rol të madh.
Grabar-Kitaroviç hyri në garë me avantazhin e presidentes.
Vëzhguesit janë të mendimit, se Grabar-Kitaroviç në balotazh mund t’ia dalë të rikonfirmohet edhe njëherë në postin e presidentes, për shkak se votuesit e kandidatit të tretë në renditje, Skoros, shihen si votues të spektrit konservator, që votën mund t’ia japin kandidates së partisë konservatore, HDZ.
Kritikët e presidentes Grabar-Kitaroviç shprehen, se gjatë mandatit të parë, presidentja kroate u shfaq si një figurë e zbehtë dhe pa substancë politike. /DW