Odesa erdhi nga Italia për të kërkuar ndihmën e rubrikës “Ka një mesazh për ty” për të gjetur nënën e saj biologjike.
Në moshën 13-vjeçare ajo kishte mësuar se ishte e birësuar dhe pas shumë vitesh ka marrë guximin dhe i është drejtuar emisionit për të mësuar kush janë prindërit e saj biologjikë.
Ardit Gjebrea ftoi në studio nënën biologjike të Odesës, e cila kishte ardhur nga Gjermania dhe historia e saj ishte tepër prekëse.
Historia e dashurisë me burrin e saj ka nisur që në moshën 17-vjeçare, por gjatë rrugës ata hasën në pengesa të mëdha. Durimi, bashkëshorti i saj ishte i dënuar politik dhe vazhdimisht përndiqej. Kur lindi vajza e tyre, Irfani tregon se mjekët i thanë se ishte nën peshë dhe duhet të qëndronte në inkubator.
Dashuria e saj me bashkëshortin arriti të kapërcente pengesat që të tjerët vendosnin, arritën të largohen së bashku nga Shqipëria, por pa vajzën e tyre sepse nuk ua dhanë. Ata e kanë kërkuar vazhdimisht, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të saj.
Kur Arditi i tha Irfanit se e kanë gjetur vajzën dhe ajo ka dëgjuar nga ana e ekranit gjithë historinë, ajo emocionohet dhe shpërthen në lot.
Irfani: Jeta ime ka qenë shumë e vështirë. Kam humbur 4 njerëz në jetën time që i kisha shumë të dashur. Vëllanë 23-vjeç, nënën, babain dhe bashkëshortin para dy vitesh.
Ardit Gjebrea: Më trego pak historinë me të?
Irfani: Isha 17 vjeçe kur u njohëm. Kaluam shumë bukur, kur një ditë prej ditësh i thanë mamasë, si e lë vajzën të dashurojë atë njeri që ka qenë dënuar për politikë. Mamaja ime i tha nuk ka ç’të duhet me kë dashuron vajza ime, lere të qetë. Unë nuk e dija.
Ardit Gjebrea: Çfarë kishte ndodhur me Durimin?
Irfani: Durimi ishte 17 vjeç, për tentativë arratisje e futën në burg, 7 vjet e gjysmë… ishte fëmijë nën moshë.
Ardit Gjebrea: Ju u dashuruat pasi doli ai nga burgu?
Irfani: Pasi doli nga burgu.
Ardit Gjebrea: Ju tregoi?
Irfani: Jo, e kam marrë vesh pas 4 muajsh.
Ardit Gjebrea: Si vazhdoi lidhja?
Irfani: Lidhja vazhdoi shumë mirë, por këtu në Shqipëri ishin ata që e ndiqnin dhe donin ta fusnin në burg me çdo kusht. Nuk mund ta lija ta fusnin prapë brenda, vetëm kur u hapën rrugët, që ika bashkë me të, çdo gjë pastaj ishte më e lumtur.
Ardit Gjebrea: Patët ndonjë moment shkëputje nga njëri-tjetri?
Irfani: Jo gjithmonë bashkë, kemi qenë të lidhur me njëri-tjetrin tërë jetën.
Ardit Gjebrea: Kishit fëmijë?
Irfani: Kisha, por atë fëmijë ma morën në kohën e monizmit.
Ardit Gjebrea: Si ta morën?
Irfani: Më thanë është nën peshë.
Ardit Gjebrea: Si ia vutë emrin?
Irfani: Bashkova emrin tim dhe të burrit tim, Doriana dhe fëmijën e kam në certifikatën time familjare, edhe sot e kësaj dite. Fëmija im nuk ikën që aty, e kam peng. E kam kërkuar dhe do ta kërkoj.
Ardit Gjebrea: Si ta morën fëmijën?
Irfani: Fëmija ishte nën peshë dhe më thanë do ta mbajmë në inkubator. Një ditë prindërit s’ishin, më vjen shefja e maternitetit dhe një mami me xhipin e degës së brendshme dhe më thonë duhet ta çojmë fëmijën në befotrof se duhet të rrijë dhe 3 muaj aty në inkubator.
Në kohën që Irfani lindi, i dashuri i saj nuk ishte me të sepse nuk e linin dhe ai nuk e pa vajzën e tij.
Irfani: Kur ka qenë çupa 8 muajshe doja ta merrja në shtëpi shkova aty, por më thanë s’ka Doriana këtu.
Irfani shpërthen në lot, në momentin kur Arditi i thotë se vajza e saj jeton në Itali. Sapo shikon vajzën e saj në anën tjetër të ekranit, ajo thotë: Më fal, Dori.
Odesa: S’kam çfarë të fal sepse rrethanat e jetës të çojnë në shumë kthesa, kështu që s’kam çfarë të të fal.
Nënë e bijë u takuan në studio dhe ky moment ishte tepër emocionues. /tvklan.al